As-Sa'di · Tafsir · in Albanian
Al-Baqarah 2:17–29
2:17Page 4
مَثَلُهُمۡ كَمَثَلِ ٱلَّذِي ٱسۡتَوۡقَدَ نَارٗا فَلَمَّآ أَضَآءَتۡ مَا حَوۡلَهُۥ ذَهَبَ ٱللَّهُ بِنُورِهِمۡ وَتَرَكَهُمۡ فِي ظُلُمَٰتٖ لَّا يُبۡصِرُونَ ١٧
Their example is that of one who kindled a fire, but when it illuminated what was around him, Allāh took away their light and left them in darkness [so] they could not see.
“Ata i përngjajnë dikujt që kërkon t'i ndizet një zjarr.” -Shembulli më i përshtatshëm që mund të jepet për gjendjen e tyre është ai i një personi që kërkon prej të tjerëve t'i ndezin një zjarr. Përfytyro një njeri që ka nevojë të madhe për të ndezur një zjarr, në errësirën e thellë në të cilën ndodhet, dhe këtë zjarr e kërkon nga dikush tjetër. E kërkon nga dikush tjetër, sepse ai vetë nuk ka lëndë për ta ndezur. Krijimi i këtij zjarri ndriçues është jashtë natyrës, zakonit dhe mundësive të tij.“Por, sapo ai e ndriçon vendin përreth…” -Për një moment, ai ndriçohet prej këtij zjarri, i cili i bën dritë gjithçkaje përreth tij. Kështu, atij i jepet mundësia të vështrojë qartë vendin ku ndodhet. Ky zjarr i ofron atij njëfarë qetësie prej çdo frike dhe ankthi që e rrethon. Duke përfituar prej tij, njeriu gjen një lloj prehjeje. Por pikërisht në atë moment, kur mendon se këtë zjarr e ka bërë pronë të tijën, nga e cila mund të përfitojë si të dojë:“Allahu ua shuan dritën, dhe i lë mes errësirash, kështu që ata nuk mund të shohin.” -Pra, Allahu i Madhëruar e largon ndriçimin që jep ky zjarr, e bashkë me ndriçimin, edhe gëzimin e shkurtër që një njeri i tillë përjeton. Ai mbetet i vetmuar në errësirën e madhe të zjarrit që djeg, pasi prej këtij zjarri largohet ndriçimi, por mbetet nxehtësia dhe aftësia djegëse. Atëherë, ai përhumbet e endet mes errësirave të pafund. Mbi të ngrihet e frikshme errësira e natës, errësira që krijojnë retë, errësira që krijon shiu dhe errësira e dëshpërimit, që vjen pas largimit të beftë të dritës. A mund ta përfytyrosh gjendjen e këtij të mjeri?! E tillë është shëmbëlltyra e munafikëve. Ata kërkojnë prej muslimanëve zjarrin ndriçues të imanit, sepse për ta imani është një cilësi e huaj. Ata përfitojnë diçka nga ky zjarr, ndonëse është i ndezur nga tjetërkush. Me anë të këtij zjarri, ata sigurojnë paprekshmërinë e jetës e të pasurisë së tyre mes besimtarëve. Ky zjarr u jep njëfarë qetësie në jetën e dynjasë. Por pikërisht kur ata janë duke shijuar frytet dhe të mirat e mundit të tjetërkujt, ata i kap befas vdekja, e cila ua ndërpret atë përfitim të vagët prej dritës së besimtarëve. Pas takimit me vdekjen, ata i kaplon tërësisht ankthi, trishtimi dhe ndëshkimi i dhimbshëm. E kështu, ata do të provojnë tmerrin dhe shijen e hidhur të mohimit, të hipokrizisë dhe të çdo lloj poshtërsie tjetër, fillimisht në errësirën e varrit, dhe pastaj në errësirën e zjarrit të Xhehenemit, që do të jetë "vendprehja" e tyre e përjetshme. Vëre me kujdes se si i përshkruan ata Allahu i Lartësuar, kur thotë se ata janë:
2:18Page 4
صُمُّۢ بُكۡمٌ عُمۡيٞ فَهُمۡ لَا يَرۡجِعُونَ ١٨
Deaf, dumb and blind - so they will not return [to the right path].
Të shurdhër, memecë dhe të verbër, -Ata janë të shurdhër kundrejt dëgjimit të çdo mirësie, janë memecë që nuk mund të flasin e të thonë kurrë fjalë të mira e të drejta, dhe janë të verbër për të parë të vërtetën e qartë.…dhe kurrë nuk mund të kthehen(në rrugë). -Ata nuk e ndërrojnë rrugën e tyre, për shkak se ata e kanë braktisur të vërtetën (dritën), pasi e kanë njohur njëherë atë. Kështu që, ata kurrë nuk kanë për të kthyer rrugë. Ndryshe ndodh me dikë që është në humbje për shkak se nuk e njeh të vërtetën. Ky është më pranë udhëzimit, dhe shpresat e tij për t`u kthyer janë më të shumta. Allahu i Madhëruar jep edhe një shembull tjetër për të qartësuar gjendjen e munafikëve, duke thënë:
2:19Page 4
أَوۡ كَصَيِّبٖ مِّنَ ٱلسَّمَآءِ فِيهِ ظُلُمَٰتٞ وَرَعۡدٞ وَبَرۡقٞ يَجۡعَلُونَ أَصَٰبِعَهُمۡ فِيٓ ءَاذَانِهِم مِّنَ ٱلصَّوَٰعِقِ حَذَرَ ٱلۡمَوۡتِۚ وَٱللَّهُ مُحِيطُۢ بِٱلۡكَٰفِرِينَ ١٩
Or [it is] like a rainstorm from the sky within which is darkness, thunder and lightning. They put their fingers in their ears against the thunderclaps in dread of death. But Allāh is encompassing1 of the disbelievers.
Ata, gjithashtu, i përngjajnë dikujt mes një shiu të rrëmbyer prej së larti,…Pra, rasti i tyre mund të ilustrohet edhe me një shembull tjetër: Me një njeri që ndodhet mes një shiu të dendur e të rrëmbyer, që bie nga qielli.…plot errësirë, me gjëmime e vetëtima”. -Domethënë, ai është i mbuluar nga errësira të shumta njëra mbi tjetrën: nga errësira e natës, nga errësira e reve dhe errësira e shiut.…me gjëmime -Pra, ai dëgjon edhe oshtimën e frikshme të bubullimës, që buron nga retë.…e vetëtima -Ky njeri sheh herë pas here edhe dritën që shkreptin nga mesi i errësirave të reve. Në të tilla situata:Ata i vendosin gishtat në veshët e tyre, prej frikës së vdekjes nga rrufeja. -Ky është një përshkrim tjetër i gjendjes së munafikëve. Ata, kur dëgjojnë Kur’ânin, urdhrat dhe ndalesat e tij, premtimet dhe kërcënimet e përmendura në të, vendosin gishtat në veshë për të mos lejuar dëgjimin e tyre. Ata tmerrohen nga kërcënimet e Kur’ânit dhe i shqetëson çdo premtim që gjendet në të, prandaj ua kthejnë shpinën fjalëve të tij, duke e urryer shumë këtë gjendje. E tillë është edhe gjendja e njeriut në mes të shiut të rrëmbyer, që furishëm zbret nga qielli. Ai i zë veshët me gishta nga frika e vdekjes. Por nëse për këtë të fundit shpresohet ndonjë mundësi shpëtimi, për munafikët nuk ka asnjë shans për të shpëtuar, sepse:Allahu është Gjithpërfshirës i jobesimtarëve(me dijen dhe pushtetin e Tij). -E si mund t`i shpëtojnë ata Allahut të Madhëruar e të Plotfuqishëm, i Cili është Gjithëpërfshirës dhe i Pashmangshëm, në aspektin e dijes dhe të pushtetit që ka mbi ta? Ata nuk mund t`i fshihen dijes dhe shikimit të Tij, ashtu sikurse nuk mund t’i shpëtojnë forcës dhe pushtetit të Tij absolut mbi gjithçka. Ai ua llogarit dhe ua regjistron të gjitha veprat atyre, dhe shpërblimin ka për t’ua dhënë të plotë. Duke qenë se ata e meritojnë shurdhërinë, memecërinë dhe verbërinë ndaj udhëzimit, duke qenë se ata e meritojnë plotësisht që t’u mbyllën dyert e besimit para syve, atëherë Allahu i Madhëruar i kërcënon me një masë tjetër të dhimbshme, kur thotë:
2:20Page 4
يَكَادُ ٱلۡبَرۡقُ يَخۡطَفُ أَبۡصَٰرَهُمۡۖ كُلَّمَآ أَضَآءَ لَهُم مَّشَوۡاْ فِيهِ وَإِذَآ أَظۡلَمَ عَلَيۡهِمۡ قَامُواْۚ وَلَوۡ شَآءَ ٱللَّهُ لَذَهَبَ بِسَمۡعِهِمۡ وَأَبۡصَٰرِهِمۡۚ إِنَّ ٱللَّهَ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٖ قَدِيرٞ ٢٠
The lightning almost snatches away their sight. Every time it lights [the way] for them, they walk therein; but when darkness comes over them, they stand [still]. And if Allāh had willed, He could have taken away their hearing and their sight. Indeed, Allāh is over all things competent.
Vetëtima gati ua rrëmben shikimin. Sa herë që ajo u bën dritë, ata ecin, ndërsa kur errësohet, qëndrojnë të shtangur. E nëse do të donte Allahu do t’ua merrte dëgjimin dhe shikimin. -Sikur të dëshironte Allahu i Madhëruar, Ai do t’ua hiqte edhe dëgjimin e shikimin fizik. Ky është kërcënim me një ndëshkim që mund të zbresë që në këtë jetë, para vdekjes. Pra, le të jenë më të kujdesshëm dhe më të përmbajtur me hipokrizinë dhe të keqen që ata shfaqin.Allahu, është i Plotfuqishëm për gjithçka -Të jeni të sigurt se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka. Atij nuk i shpëton dot asgjë. Pushteti i Tij absolut i jep të drejtën dhe mundësinë që, nëse dëshiron diçka, e kryen, dhe askush nuk e kundërshton dhe nuk mund ta ndalojë Atë. Në këtë ajet, dhe në të tjerë të ngjashëm me të, gjejmë një argument shumë të fuqishëm kundër një grupi të humbur e të devijuar, të quajtur Kaderie, të cilët pretendojnë se veprat e robit janë jashtë pushtetit të Allahut të Lartësuar (pra, nuk janë të nënshtruara dhe nën ndikimin e pushtetit të Tij). Ky ajet tregon qartë se edhe veprat e tyre futen te fjala e Allahut: ‘In-nall-llâhe alâ kul-li shejin ķadîr’ (Allahu, është i Plotfuqishëm për gjithçka).
2:21Page 4
يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ ٱعۡبُدُواْ رَبَّكُمُ ٱلَّذِي خَلَقَكُمۡ وَٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِكُمۡ لَعَلَّكُمۡ تَتَّقُونَ ٢١
O mankind, worship your Lord, who created you and those before you, that you may become righteous -
O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj… -Ky është një urdhër gjithëpërfshirës, që u drejtohet të gjithë njerëzve, për një çështje që, në kuptimin e saj, është po ashtu gjithëpërfshirëse. Kjo çështje, për të cilën urdhërohen të gjithë njerëzit është adhurimi (ose ibadeti). Ky term përfshin tri aspekte kryesore, që janë:1. Zbatimi rigoroz i urdhrave të Allahut të Lartësuar.2. Largimi nga të gjitha ndalesat e Tij.3. Pranimi, pohimi dhe besimi i plotë dhe pa mëdyshje te çdo lajm e kumt i ardhur prej Allahut të Lartësuar.Allahu Krenar e i Lartësuar i urdhëron njerëzit t’i përkushtohen asaj çështjeje, për hir të së cilës Ai i krijoi. Allahu i Madhëruar thotë në suren Dhariat, ajeti 56: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë”. Më poshtë, Allahu i Madhëruar shpjegon përse Ai duhet adhuruar si Një i vetëm, duke u kujtuar dhe u qartësuar njerëzve se vetëm Ai është Zoti i tyre, i Cili kujdeset për ta, duke u mundësuar mirësi të pafundme.…i Cili ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush! -Pra, Ai ju krijoi ju dhe të parët tuaj, kur nuk ekzistonit fare; Ai ju solli në ekzistencë. Por cili është qëllimi i këtij adhurimi? I Madhëruari thotë:që të bëheni të devotshëm … -Kjo frazë mund të kuptohet në dy mënyra:1. Nëse ju ia kushtoni adhurimet tuaja veç Allahut, të Vetmit dhe Absolutit, ju do të jeni të ruajtur dhe të sigurt nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij, sepse keni vepruar pikërisht atë gjë që e largon nga ju zemërimin dhe ndëshkimin e Tij.2. Nëse ju ia kushtoni adhurimet tuaja vetëm Allahut të Lartësuar e të Pashoq, ju jeni bërë të devotshëm e, sigurisht, ndër të shpëtuarit.Të dyja kuptimet janë të sakta dhe, në fund të fundit, rrjedhin nga njëra-tjetra, sepse kush bën adhurim të pastër dhe të plotë veç për Allahun, është edhe i devotshëm, dhe kush është i devotshëm, sigurisht që ka shpëtuar prej zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut të Lartësuar. Më tej, i Madhëruari vazhdon të na tregojë mirësitë e Tij:
2:22Page 4
ٱلَّذِي جَعَلَ لَكُمُ ٱلۡأَرۡضَ فِرَٰشٗا وَٱلسَّمَآءَ بِنَآءٗ وَأَنزَلَ مِنَ ٱلسَّمَآءِ مَآءٗ فَأَخۡرَجَ بِهِۦ مِنَ ٱلثَّمَرَٰتِ رِزۡقٗا لَّكُمۡۖ فَلَا تَجۡعَلُواْ لِلَّهِ أَندَادٗا وَأَنتُمۡ تَعۡلَمُونَ ٢٢
[He] who made for you the earth a bed [spread out] and the sky a ceiling and sent down from the sky, rain and brought forth thereby fruits as provision for you. So do not attribute to Allāh equals while you know [that there is nothing similar to Him].
(Allahu është)Ai që tokën e bëri shtrat(vendbanim)-Kuptimi është: Mirësitë e Tij, të shfaqura apo të fshehta qofshin, vërshojnë pafundësisht e pandërprerë mbi ju. Ai e bëri tokën për ju të qëndrueshme dhe të qetë, si shtrat, që të sistemoheni dhe të gjeni prehje në të. Ju qëndroni të qetë në të, ndërtoni banesat tuaja, kultivoni ushqimet tuaja dhe nxirrni prej saj furnizimet e nevojshme për jetën. Mbi këtë tokë ndërtoni edhe rrugët ku ecni, për të përfituar nga të mirat e saj, e shumë e shumë të mira të tjera, të cilat i di Allahu i Lartësuar.…dhe qiellin kulm (mburojë) -Ndërsa qiellin, Allahu i Madhëruar e bëri si ndërtesë dhe fortesë mbrojtëse për vendqëndrimin tuaj, për tokën ku jetoni. Allahu i Madhëruar e mbushi këtë qiell me dobi të shumta, të cilat janë të domosdoshme për jetën tuaj në tokë dhe për vazhdimësinë e saj. A nuk e shihni diellin, hënën, yjet etj.?… që prej qiellit(semãun)ju lëshon ujë, nëpërmjet të cilit ju siguron lloje frytesh -Çfarë quhet semãun (qiell)? Semãun quhet gjithçka që qëndron apo ekziston sipër teje. Për këtë arsye, shpjeguesit e Kur’ânit kanë thënë se me fjalën ‘semãu’këtu nënkuptohen retë, prej të cilave, Allahu i Madhëruar lëshon shiun.…nëpërmjet të cilit ju siguron lloje frytesh -Me anë të këtij uji, prodhohen shumë fryte të tokës. Me këtë ujë rriten dhe zhvillohen të gjitha prodhimet e tokës, duke filluar prej drithërave, frutave, perimeve, vreshtave, hurmave, agrumeve etj.…si furnizim për ju -Të gjitha këto mirësi Allahu i ka krijuar për ju, thjesht dhe vetëm që ju të ushqeheni dhe të përfitoni kënaqësi pas kënaqësish në këtë jetë, që po kaloni mbi tokë.Atëherë mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut kur ju e dini(të vërtetën)! -Pra, mos i përshkruani Allahut shokë e partner në adhurimin ndaj Tij! Mos i konsideroni asnjë si të ngjashëm, të njëjtë dhe të barabartë me Të! Mos merrni si të barabartë a të njëjtë me Allahun asgjë e asnjë prej krijesave, në asnjë këndvështrim! Nuk ka ndonjë krijesë që të jetë e barabartë apo e njëjtë me Allahun, dhe që të meritojë adhurimin tuaj. Asnjë krijesë nuk duhet adhuruar, por adhurohet vetëm Allahu. Asgjë nuk e meriton dashurinë tuaj, sikurse e meriton Allahu. E si mund të meritojnë krijesat adhurimin dhe dashurinë tuaj, kur ato, sikurse dhe ju, janë të krijuara, të nënshtruara, nevojtare në vetvete? Ato vetë kanë nevojë për furnizimin e Allahut. Ato nuk kanë asnjë grimcë të vogël pushteti, as në qiej e as në tokë, dhe nuk kanë asnjë lloj mundësie për t'ju sjellë juve dobi apo dëm.kur ju e dini(të vërtetën) -Pra, mos i bëni këto gabime, kur ju e dini shumë mirë se Allahu i Madhëruar është Absolut dhe nuk ka të ngjashëm dhe të barabartë me Të, që të meritojë adhurimin tuaj. Askush nuk mund t’i afrohet Madhështisë së Tij, as në aspektin e krijimit, furnizimit, administrimit dhe rregullimit të çështjeve të gjithësisë, dhe as në aspektin e meritueshmërisë së adhurimit dhe dashurisë së krijesave për Të. Atëherë, si është e mundur që ju adhuroni dhe u shprehni dashurinë zotave të tjerë, pas dijes dhe sigurisë që keni krijuar për çështjet e sipërpërmendura?! Kjo po, që konsiderohet si çudia e çudirave dhe si mendjelehtësi e paparë. Ky ajet përmban në vetvete disa çështje:1. Urdhrin për të adhuruar një Zot të vetëm.2. Ndalimin nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Tij.3. Ai është provë e qartë dhe e padiskutueshme, që vërteton detyrueshmërinë e adhurimit të Allahut të Madhëruar.4. Ai dëshmon se çdo adhurim që kryhet dhe i përkushtohet dikujt tjetër veç Allahut, është i kotë dhe i pavlefshëm.5. Në këtë ajet përmendet dhe vërtetohet teuhidi rububije, ose besimi se Allahu i Lartësuar është Unik, i Vetëm dhe Absolut, në aspektin e krijimit, furnizimit, administrimit dhe rregullimit të çështjeve të krijesave.6. Ky ajet është ftesë për njerëzit që, ashtu sikurse ata pohojnë dhe janë të sigurt se Allahu i Lartësuar është i Vetëm, Unik, Absolut dhe i Pakrahasueshëm në aspektin e krijimit, furnizimit, administrimit dhe rregullimit të çështjeve të krijesave, në të njëjtën mënyrë duhet të pohojnë dhe të besojnë bindshëm, se ai është Unik, i Vetëm, Absolut dhe i Pakrahasueshëm edhe në aspektin e meritës së adhurimit. Ai është argumenti më i qartë logjik që, nga njëra anë, dëshmon njësimin e Allahut në çdo aspekt dhe, nga ana tjetër, dëshmon kotësinë e adhurimit të të gjithë atyre që konsiderojnë si Zot dikë tjetër veç Allahut.7. Ky ajet hedh poshtë shirkun, me të gjithë përmasat dhe format e tij. Më pas Allahu i Madhëruar thotë:
2:23Page 4
وَإِن كُنتُمۡ فِي رَيۡبٖ مِّمَّا نَزَّلۡنَا عَلَىٰ عَبۡدِنَا فَأۡتُواْ بِسُورَةٖ مِّن مِّثۡلِهِۦ وَٱدۡعُواْ شُهَدَآءَكُم مِّن دُونِ ٱللَّهِ إِن كُنتُمۡ صَٰدِقِينَ ٢٣
And if you are in doubt about what We have sent down [i.e., the Qur’ān] upon Our Servant [i.e., Prophet Muḥammad (ﷺ)], then produce a sūrah the like thereof and call upon your witnesses [i.e., supporters] other than Allāh, if you should be truthful.
Nëse jeni në dyshim rreth asaj që Ne ia shpallëm adhuruesit Tonë… -Allahu i Madhëruar u drejtohet këtu botës së atyre kryeneçëve, që janë rebeluar kundër profetëve, në përgjithësi. Ai u drejtohet atyre që refuzuan ftesën e Profetit të fundit, duke pretenduar se ai ishte mashtrues dhe trillues, duke u thënë: “Nëse ju, o kryeneçë, kundërshtarë dhe refuzues të Profetit, jeni në mëdyshje dhe të lëkundur në lidhje me atë çka Ne i shpallëm adhuruesit tonë (Muhamedit a.s); nëse nuk jeni të qartësuar a është ajo rruga e vërtetë apo ndonjë rrugë tjetër, atëherë ejani t’i japim zgjidhje kësaj çështjeje njëherë e mirë. Le ta zgjidhim këtë situatë në mënyrë të qartë dhe të drejtë. Ky është Muhamedi (a.s). Ai është si ju, një njeri i thjeshtë. Nuk njihet si më oratori, dhe më i pushtetshmi mes jush. Ju e njihni shumë mirë atë, sepse ai u rrit dhe u edukua mes jush. Ju jeni të sigurt që nuk di as shkrim, as këndim (lexim). Ky njeri pretendon që libri të cilin po jua paraqet, vjen dhe i shpallet prej Allahut. Ndërsa ju e refuzoni një fakt të tillë, duke mëtuar se ai vetëm shpif dhe trillon.”…atëherë paraqitni ju një kapitull të ngjashëm me të (Kur’âni), madje ftojini (për ndihmë) të gjithë zotat që ju adhuroni përveç Allahut, nëse vërtet jeni të sinqertë –Nëse vërtet jeni të sigurt në atë që thoni, sillni, pra, ju një kapitull, që t`i afrohet hijes së këtij libri. Madje, për këtë projekt, thirrni në ndihmë kë të doni e kë të mundni prej specialistëve të kësaj lëmie. Aq më tepër që ju njiheni si elita e elokuencës dhe krijimtarisë letrare. Aq më tepër që jeni ndezur zjarr nga urrejtja dhe armiqësia kundër këtij Profet. Nëse mund të krijoni një kapitull të vetëm që t’i afrohet kësaj madhështie, atëherë pretendimi juaj qëndron.
2:24Page 4
فَإِن لَّمۡ تَفۡعَلُواْ وَلَن تَفۡعَلُواْ فَٱتَّقُواْ ٱلنَّارَ ٱلَّتِي وَقُودُهَا ٱلنَّاسُ وَٱلۡحِجَارَةُۖ أُعِدَّتۡ لِلۡكَٰفِرِينَ ٢٤
But if you do not - and you will never be able to - then fear the Fire, whose fuel is people and stones, prepared for the disbelievers.
E në mos e paçit bërë (deri tani), e as që do ta bëni kurrë(edhe në të ardhmen) -Por nëse ju dështoni, me plot kuptimin e fjalës, – dhe kurrë s’keni për t’ia arritur një diçkaje të tillë, se ky është thjesht një supozim, – atëherë kjo ka për të qenë një shenjë e madhe dhe e kthjellët, që tregon vërtetësinë e pretendimit të tij, që është Profet i Zotit të botëve. Kjo do të vërtetonte edhe saktësinë e shpalljes që i vjen nga Zoti. E nëse profetësia e tij vërtetohet, atëherë bëhet detyrë për ju që ta besoni atë dhe që të zbatoni programin e jetës që atij po i shpallet. Nëse ju nuk e bëni realitet projektin tuaj, - që kurrë s’ka për t’u bërë realitet, - atëherë Allahu i Madhëruar ju kujton Zjarrin, nga i cili duhet të ruheni. I Madhëruari thotë:…atëherë ruajuni Zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët! -Një zjarr i tillë nuk mund të ketë shembull në këtë jetë.Ai është përgatitur për jobesimtarët. -Domethënë, ai është përgatitur për mohuesit: për ata që mohuan Allahun dhe që refuzuan profetët. Atëherë, duhet të jeni shumë të kujdesshëm kur ta mohoni atë, në momentin që ju jeni të sigurt se Muhamedi është Profeti i Allahut. Ky ajet dhe të tjerë me të njëjtin kuptim si ai, quhen ndryshe edhe si "ajetet e sfidës". Me këto ajete sfidohen të gjitha krijesat, të cilat gjithmonë do të jenë të paafta për t`i bërë ballë kësaj sfide. Ato kurrë nuk do të mund ta përballojnë sfidën e Profetit të fundit, për të krijuar ndonjë vepër tjetër si Kur’âni, apo të ngjashëm e të përafërt me të. I Madhëruari thotë në suren Isra, ajeti 88: “Thuaj (o Muhamed): “Sikur njerëzit dhe xhindet të bashkoheshin të gjithë bashkë, për të sjellë një Kur’ân si ky, nuk do të mund t’ia arrinin kurrë të sillnin as një të ngjashëm me të edhe po ta ndihmonin njëri-tjetrin”.”. A ka logjikë që të pranojë se fjala e një krijese prej dheu mund t’i përngjasojë fjalës së Sunduesit dhe Mbretëruesit Absolut?! Ku mund ta gjejë pushtetin, forcën dhe mundësinë i varfri e i nevojshmi nga çdo këndvështrim, që të sjellë një fjalë, që të jetë si fjala e Absolutit?! Ai (Kur’âni) është fjala e Madhështorit në çdo aspekt. Kjo pra, është jashtë logjikës dhe jashtë mundësisë njerëzore. Çdokush që e njeh sadopak artin e fjalës, njohuritë gjuhësore dhe stilistikën, nëse krahason madhështinë e këtij Kur’âni me fjalën e çdo artisti qoftë, do të zbulojë çudira.Me fjalën e Allahut të Lartësuar: “E në qoftë se jeni në dyshim rreth asaj që Ne ia shpallëm adhuruesit Tonë...” e deri në fund, kuptojmë se për atë njeri që ka veç një lloj dyshimi a paqartësie që e pengon, ekziston shpresa e udhëzimit në rrugën e drejtë dhe e largimit nga rrugët e humbjes. Ky njeri i çoroditur, i paqartë dhe i paaftë që të dallojë të vërtetën nga e gabuara dhe e kota, nëse i sqarohet e vërteta me argumente bindëse dhe nëse është i sinqertë në zbulimin e së vërtetës, ai ka shumë shpresa që të udhëzohet dhe të gjejë rrugën e drejtë.Ndërsa kokëfortët e kryeneçët, nga ana tjetër, që e njohin të vërtetën dhe e braktisin atë, nuk mund të kthehen nga rruga e humbjes. Këta e braktisin dhe e shpërfillin të vërtetën pasi e kanë njohur mirë atë dhe pasi janë siguruar plotësisht rreth saj. Këta janë të vetëdijshëm për veprat që kryejnë dhe për vendimet që marrin, prandaj nuk ka ndonjë mundësi që të kthehen dhe të shpëtojnë nga humbja ku janë zhytur. Të njëjtën gjë themi edhe për atë që ka dyshime rreth të vërtetës dhe që nuk është i sinqertë në përpjekjet për ta zbuluar dhe për ta ndjekur këtë të vërtetë. Pra, edhe ky lloj njeriu, vështirë se mund të ketë sukses në gjetjen e rrugës së drejtë dhe në pasimin e saj.Përshkrimi i Profetit (s.a.u.s) nga Allahu i Madhëruar me cilësinë e adhuruesit, kur thotë: “alâ abdinâ”- “adhuruesit Tonë”, na jep një mësim shumë të rëndësishëm. Përmendja e kësaj cilësie, pikërisht në këtë moment madhështor të sfidës, tregon se ajo ishte cilësia më e vyer dhe më e lartë që mundi të arrinte Profeti (s.a.u.s). Profeti (a.s) e arriti atë gradë të lartë, të cilën nuk e kishte arritur askush nga të parët dhe as nga të fundit, pikërisht me adhurimet që ia përkushtoi Allahut të Lavdëruar. Me të njëjtën cilësi e ka përshkruar Allahu i Madhëruar Profetin (a.s) edhe në momentin kur flet për natën e Israsë, në suren Isra, ajeti 1: “I Dëlirë (e i Lavdëruar) qoftë Ai, që e mbarti adhuruesin e Tij (Muhamedin a.s.) natën nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja) drejt xhamisë "Aksa" (në Palestinë), rrethinat e së cilës Ne i kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga Shenjat Tona! Vërtet, Ai Dëgjon e Sheh gjithçka.” Po kështu e ka cilësuar edhe në momentet kur flitet për zbritjen e Shpalljes: “I Madhëruar qoftë Ai, që ia ia zbriti Dalluesin (Kur’ânin) robit të vet (Muhamedit), që të jetë paralajmërues për të gjithë botën!” [Furkanë, 1].Fjala e Allahut të Madhëruar rreth Xhehenemit: “Ai është përgatitur për jobesimtarët”, si dhe ajete të ngjashme me të, dëshmon për disa çështje:1. Ky ajet është mbështetje e mendimit të pasuesve të Sunetit dhe Xhematit, të cilët besojnë se Xheneti dhe Zjarri janë të krijuar tashmë, ndryshe nga ç’mendojnë mutezilët.2. Ky ajet tregon se muslimanët që e besojnë Allahun si Një të vetëm, edhe nëse kryejnë ndonjë gjynah të madh, nuk kanë për të qëndruar përjetësisht në Zjarr. Nëse muslimanët gjynahqarë do të qëndronin në Zjarr përjetësisht, atëherë do të ishte gabim të thuhej që: “është përgatitur për jobesimtarët”, pra, që Zjarri është përgatitur (si vendqëndrim i përhershëm) vetëm për qafirët. Ky është edhe mendimi i pasuesve të Sunetit dhe Xhematit, ndryshe nga ç’mendojnë huarixhët dhe mutezilët.Ky ajet argumenton edhe faktin se ndëshkimi bëhet i meritueshëm nga shkaqe të ndryshme. Shkak për ndëshkim mund të jetë kufri (mohimi i Zotit), por dhe të gjitha poshtërsitë e gjynahet, në larmishmërinë e tyre.
2:25Page 5
وَبَشِّرِ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّٰلِحَٰتِ أَنَّ لَهُمۡ جَنَّٰتٖ تَجۡرِي مِن تَحۡتِهَا ٱلۡأَنۡهَٰرُۖ كُلَّمَا رُزِقُواْ مِنۡهَا مِن ثَمَرَةٖ رِّزۡقٗا قَالُواْ هَٰذَا ٱلَّذِي رُزِقۡنَا مِن قَبۡلُۖ وَأُتُواْ بِهِۦ مُتَشَٰبِهٗاۖ وَلَهُمۡ فِيهَآ أَزۡوَٰجٞ مُّطَهَّرَةٞۖ وَهُمۡ فِيهَا خَٰلِدُونَ ٢٥
And give good tidings to those who believe and do righteous deeds that they will have gardens [in Paradise] beneath which rivers flow. Whenever they are provided with a provision of fruit therefrom, they will say, "This is what we were provided with before." And it is given to them in likeness. And they will have therein purified spouses, and they will abide therein eternally.
Allahu i Madhëruar, pasi përmend ndëshkimin e atyre që refuzojnë besimin tek Ai, vijon me shpërblimin e besimtarëve, që e shoqërojnë besimin me vepra të mira. Kjo është një mënyrë tërheqëse dhe e urtë, që Allahu i Madhëruar e përdor në të gjithë Kur’ânin. Ai përmend njëra pas tjetrës shpërblimin dhe kërcënimin, me qëllim që robi të përjetojë vazhdimisht edhe shpresën, edhe frikën ndaj Krijuesit. Allahu i drejtohet Profetit (s.a.u.s) dhe çdokujt që kryen misionin e tij, si dijetarët, thirrësit në fe etj., duke u thënë që:Përgëzoji ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira… –Pra, përgëzo ata që besojnë me zemrën dhe me gjuhën e tyre, dhe bëjnë vepra të mira me gjymtyrët e tyre, domethënë ata që vërtetojnë me punë të mira, atë që e besojnë me zemër dhe e shprehin me gojë. Allahu i Madhëruar i ka cilësuar veprat e mira, të cilat janë treguese të imanit, duke përdorur fjalën “ŝâliĥât”, që do të thotë “përmirësues, rregullues”. Ai ka përdorur këtë fjalë, sepse vepra të tilla bëhen shkak që gjendja e adhuruesit të rregullohet dhe të përmirësohet hap pas hapi. Me të tilla punë rregullohen dhe përmirësohen çështjet e kësaj jete dhe të jetës tjetër, që do të kalojë besimtari. Me të tilla punë zbukurohet jeta e kësaj bote dhe jeta e amshuar. Me të tilla punë largohen nga besimtari të gjitha gjendjet dhe cilësitë e këqija, dhe ai bëhet i denjë që të llogaritet mes të mirëve. Këta të mirë (ŝâliĥîn)janë pikërisht ata, që do të meritojnë të qëndrojnë dhe të shijojnë lumturinë pranë Mëshiruesit, në xhenetet që Ai ka përgatitur. Allahu i Lartësuar urdhëron dhe thotë që përgëzoini ata se:…se do të kenë xhenete… –Domethënë, do të kenë kopshte me bimë dhe pemë të çuditshme, me fruta të këndshme dhe hije të gjera. Degët e pemëve dhe bimët kacavjerrëse që gjarpërojnë në to, bëjnë që këto kopshte të quhen “xhennâtin”, që do të thotë: “diçka e fshehur”, pasi në to, për shkak të dendësisë së bimësisë dhe të pemëve të shumta, banorët e lumtur lëvizin pa u dukur. Kush do të hyjë në to, do të përjetojë gëzimin dhe lumturinë e asaj jete. Një bukuri tjetër që ndodhet dhe që shijohet në këto xhenete është edhe ekzistenca e lumenjve që rrjedhin në to. Allahu i Lartësuar thotë:në të cilët rrjedhin lumenj. –këto kopshte rrjedhin lumenj. Këta lumenj janë të llojeve të ndryshme: lumenj prej uji, prej qumështi, prej mjalti apo prej pijesh të këndshme. Këta lumenj burojnë dhe shpërthejnë kudo ku besimtarët i kërkojnë dhe i dëshirojnë. Besimtarët e drejtojnë rrjedhën e këtyre lumenjve ku të dëshirojnë, dhe prej tyre ujitet e gjithë bimësia e xhenetit, për të gëluar me plot fruta të këndshme e të shumëllojëshme.Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Të tilla mirësi na janë dhuruar edhe më parë -Sa herë që ata furnizohen me ndonjë frut prej Xhenetit, thonë: “Këtë furnizim e kemi përjetuar edhe më parë”, domethënë: Këto fruta janë të të njëjtit lloj dhe cilësi. Të gjitha janë të njëllojshme për sa i përket pamjes së këndshme dhe shijes së mrekullueshme. Nuk do të ketë ndonjë frutë që do të qëndrojë poshtë të tjerëve nga cilësitë, dhe nuk do të ketë moment që ata ta kalojnë pa shijuar dhe pa përjetuar kënaqësi në shijimin e këtyre frutave.Atyre u dhurohen mirësi të ngjashme (për nga bukuria dhe madhështia e tyre) -Disa thonë që kuptimi këtu është se ushqimet janë të ngjashme në emrat e tyre, por të ndryshme në shije. Disa thonë që janë të ngjashme në ngjyrë, por të ndryshme në emërtimet e tyre. Të tjerë thonë që ato janë të ngjashme me njëra-tjetrën në pamjen e tyre të bukur dhe në shijen e kënaqësinë që sjellin. Ndoshta ky shpjegimi i fundit është më i saktë për t'u pranuar. Allahu i Madhëruar, pasi flet për vendqëndrimet e tyre, vijon më tej me gratë e besimtarëve, të cilat i përshkruan me cilësinë më të goditur, më përmbledhëse, më të shkurtër dhe më të qartë, duke thënë:Atje do të kenë bashkëshorte të pastra -Allahu i Lartësuar, përsosmërinë e bashkëshorteve të besimtarëve e jep me cilësinë “të pastra”. Fjala “muŧahherah”(të pastra) është në trajtën e pashquar (në arabisht), dhe kjo të jep të kuptosh se pastërtia e tyre nuk është e përcaktuar ose e kufizuar vetëm në këtë apo atë aspekt. Allahu i Lartësuar nuk ka thënë që ato janë të pastra dhe të ruajtura nga ajo apo kjo mangësi. Kjo, pa dyshim, është bërë me qëllim që fjala të përfshijë të gjitha dimensionet e pastërtisë dhe përsosmërisë së atyre grave. Ato janë të pastra dhe të përsosura në aspektin e moralit të tyre, të fizikut, të fjalëve që thonë, të vështrimeve që dhurojnë etj. Nëse flasim për moralin dhe sjelljen e tyre, ato janë thellësisht shprehëse që në pamjen e tyre. Pamja e tyre shpreh thellë dashurinë për burrat e tyre. Megjithatë, këtë dashuri ato dinë ta shprehin jo vetëm me pamje, por edhe me mënyra të tjera: si me sjelljen apo me moralin e tyre. Të këndshme janë fjalët e bukura dhe të ëmbla që ato u përcjellin burrave të tyre. Ato kanë një edukatë të shkëlqyer fjalësh dhe veprimesh, që i kënaqin pa masë burrat e tyre. Fiziku i tyre është, gjithashtu, i pastër nga çdo lloj mangësie e dobësie, siç mund të jenë menstruacionet, lehonia, jashtëqitjet e çdo lloj sekrecioni i pështirë. Ato janë të pastra nga çdo lloj arome e pakëndëshme. Fiziku i tyre është i përsosur dhe me bukuri të rrallë. Edhe sikur t’i hetosh me vëmendje, nuk do të gjesh tek ato asnjë mangësi apo shëmtim. Ato janë të mirat, të bukurat. Ato janë të pastra në fjalët që thonë dhe në vështrimet që dhurojnë. Ato, me vështrimet e përqendruara te burrat e tyre, tregojnë se janë të mahnitura pas tyre dhe kurrë nuk thonë fjalë të shëmtuara. Në këtë ajet janë përmendur: përgëzuesi, i përgëzuari, përgëzimi dhe shkaku i përgëzimit. Kështu, përgëzuesi është Profeti dhe kushdo që kryen misionin e tij, nga pjesëtarët e këtij umeti. Të përgëzuar janë besimtarët që bëjnë vepra të mira. Përgëzime janë xhenetet e përshkruara, me cilësitë e lartpërmendura. Kurse shkaku që bën të mundur të fitohet ky përgëzim është besimi i shoqëruar me vepra të mira. Nuk ka asnjë mundësi përgëzimi pa iman dhe pa vepra të mira. Ky është përgëzimi më i madh i bërë nëpërmjet më të mirit të krijesave, që arrihet me mjetin më të shkëlqyer. Ajeti tregon se është e pëlqyeshme të përgëzosh besimtarët dhe të bëhesh shkak që ata të motivohen për vepra të mira, duke iu kujtuar shpërblimin që i pret. Veprat e mira bëhen më të thjeshta dhe më të dashura kur kujton shpërblimin e Allahut. Përgëzimi më i madh që përjeton njeriu në këtë jetë është suksesi që i jepet atij për të besuar dhe për të bërë vepra të mira.Ata do të jenë atje përjetësisht. -Pas përgëzimit të mësipërm, vjen përgëzimi në momentin e vdekjes dhe, pas vdekjes, vjen takimi me mirësitë e përjetshme, të premtuara nga Allahu i Madhëruar. E lus Allahun e Lartësuar që të na bëjë edhe neve prej të përgëzuarve. I Lartësuari thotë:
2:26Page 5
۞ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَسۡتَحۡيِۦٓ أَن يَضۡرِبَ مَثَلٗا مَّا بَعُوضَةٗ فَمَا فَوۡقَهَاۚ فَأَمَّا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ فَيَعۡلَمُونَ أَنَّهُ ٱلۡحَقُّ مِن رَّبِّهِمۡۖ وَأَمَّا ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ فَيَقُولُونَ مَاذَآ أَرَادَ ٱللَّهُ بِهَٰذَا مَثَلٗاۘ يُضِلُّ بِهِۦ كَثِيرٗا وَيَهۡدِي بِهِۦ كَثِيرٗاۚ وَمَا يُضِلُّ بِهِۦٓ إِلَّا ٱلۡفَٰسِقِينَ ٢٦
Indeed, Allāh is not timid to present an example - that of a mosquito or what is smaller1 than it. And those who have believed know that it is the truth from their Lord. But as for those who disbelieve, they say, "What did Allāh intend by this as an example?" He misleads many thereby and guides many thereby. And He misleads not except the defiantly disobedient,
Allahut nuk i vjen turp që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë ajo mushkojë a diçka edhe më e imët se ajo. -Kjo, pasi shembujt që sillen në Kur’ân janë plot urtësi dhe për të qartësuar të vërtetën. Allahu i Lartësuar nuk ngurron, ose nuk druhet, që të shfaqë të vërtetën. Me sa duket, ky ajet vjen si përgjigje ndaj atyre që i nënvlerësojnë të tillë shembuj dhe nuk u duket e drejtë sjellja në Kur’ân e këtyre shembujve rreth gjërave të imta e të parëndësishme (në dukje). Këta njerëz sikur kundërshtojnë Allahun në këtë aspekt. Por ky lloj kundërshtimi nuk është i drejtë dhe as me vend. Madje, me shembujt e sjellë, Allahu i Lartësuar kërkon të mësojë adhuruesit e Tij, dhe kjo është shprehje e mëshirës së Tij për ta. Për këtë arsye, këto shembuj duhen pranuar dhe për ta duhet shprehur mirënjohje e lavdërim. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë:Ata që besojnë e dinë se ai(shembull)është “e vërteta" nga Zoti i tyre. –Besimtarët, kur u vjen ndonjë shembull nga Allahu i Lartësuar, thellohen dhe meditojnë rreth tij, në mënyrë që ta kuptojnë atë. Nëse arrijnë të zbulojnë dhe të kuptojnë urtësitë e fshehura në shembujt e dhënë, në mënyrë të shtjelluar dhe imtësisht, atyre u shtohet dija dhe besimi. Por, edhe nëse nuk mundet të kuptojnë imtësisht gjithçka, ata janë të sigurt dhe e dinë mirë se kjo është e vërtetë e sigurt e sjellë nga Zoti i tyre. Madje, ata besojnë se urtësitë e fshehura në këtë shembull të sjellë, janë të vërteta dhe të padiskutueshme, edhe nëse nuk e dinë me hollësi se cilat janë këto imtësi. Ata janë të sigurt në diçka. Allahu i Lartësuar nuk i ka sjellë këto shembuj kot, por për urtësi të shumta e të dobishme. Ai i ka sjellë, me qëllim që krijesat të përfitojnë dije dhe përvojë.…Ndërsa ata që mohojnë do të thonë: “Ç’do të thotë Allahu me këtë si shembull?” -Ata, duke kundërshtuar dhe shpërfillur këto shembuj, tregojnë çoroditjen e tyre. Këto shembuj të sjellë e shtojnë edhe më shumë mohimin në zemrat e tyre, sikundër besimtarëve u shtojnë dijen dhe besimin. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë:Me atë(shembull)Ai bën që shumë të humbin, e shumë i udhëzon në rrugën e drejtë. -Kjo qe gjendja e besimtarëve dhe e qafirëve në momentin e zbritjes së ajeteve të Kur’ânit. Allahu i Lartësuar thotë: “Sa herë që shpallet ndonjë sure, disa prej tyre thonë: “Kujt ia shtoi besimin kjo sure?” Po. Besimtarëve ua shton besimin dhe ata gëzohen. E, sa u përket atyre, që kanë sëmundje në zemër, ajo ua shton edhe më shumë dyshimin që kanë, dhe ata do të vdesin si mohues.” [Teube 124,125]. Nuk ka mirësi më të madhe për adhuruesit sesa zbritja e ajeteve kuranore. E, megjithatë, këto ajete, për disa bëhen sprovë dhe çoroditje (humbje). Ato ua shtojnë të keqen mbi të keqen që i pushton, ndërsa për disa të tjerë është mëshirë dhe shtim i të mirave, mbi të mirat që pandërprerë i përjetojnë. I lartësuar dhe i lavdëruar qoftë Ai, që dalloi kë dëshiroi prej krijesave të Tij! Ai është i Vetmi që ka pushtetin të të udhëzojë në rrugën e drejtë dhe i Vetmi që nëse të lë në humbje, askush nuk mund të të udhëzojë. Me pas, Allahu i Madhëruar tregon shkakun e humbjes së atyre të cilët devijuan duke shpjeguar se kjo është drejtësia e Tij. Thotë i Madhëruari:Por në të vertetë, (me atë shembull), Ai nuk humb askënd tjetër, përveç atyre që braktisin rrugën e Tij(fâsiķîn).” -“Fâsiķîn” domethënë: ata që janë larg bindjes ndaj Allahut dhe mohues të rreptë të rrugës së profetëve të Allahut. Të humburit janë ata të cilët janë të qëndrueshëm e të pandryshueshëm nga këto cilësi dhe baza të tyre. E pra, urtësia e Allahut e ka përcaktuar që këta njerëz, për shkak se nuk e meritojnë udhëzimin e Tij, të mbeten në humbje, ashtu sikundër, po me urtësinë e Tij, Ai e ka përcaktuar që të udhëzojë ata që i japin përparësi imanit dhe bëjnë punë të mira. Fisķ-u (shfrenimi) është dy llojesh:1. Fisk që të nxjerr prej fesë, domethënë të cilësuarit me të nuk kanë iman, sikurse është rasti në këtë ajet.2. Fisk që nuk të nxjerr nga feja (nuk të bën jobesimtar), sikurse shfaqet në fjalën e Allahut, në suren Huxhuratë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë fâsiķ ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni rreth atij lajmi…”Më poshtë, Allahu i Madhëruar i përshkruan këta fasik-ë (jobesimtarë), duke thënë:
2:27Page 5
ٱلَّذِينَ يَنقُضُونَ عَهۡدَ ٱللَّهِ مِنۢ بَعۡدِ مِيثَٰقِهِۦ وَيَقۡطَعُونَ مَآ أَمَرَ ٱللَّهُ بِهِۦٓ أَن يُوصَلَ وَيُفۡسِدُونَ فِي ٱلۡأَرۡضِۚ أُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡخَٰسِرُونَ ٢٧
Who break the covenant of Allāh after contracting it and sever that which Allāh has ordered to be joined and cause corruption on earth. It is those who are the losers.
…ata që e thyejnë besën e dhënë Allahut, pasi ajo është lidhur, -Kjo besë është dy llojesh: besë e lidhur mes tyre dhe Allahut të Lartësuar, dhe besë e lidhur mes tyre dhe njerëzve të tjerë. Kjo e fundit dokumentohet dhe regjistrohet me elementë të shumtë sigurie. E, sidoqoftë, fasik-ët nuk pyesin fare për kontratat dhe marrëveshjet e bëra. Ata i shkelin dhe i thyejnë si marrëveshjet që kanë me Krijuesin, ashtu dhe marrëveshjet me krijesat. Ata shpërfillin urdhrat dhe ndalesat e marra nga Krijuesi, ashtu siç shpërfillin të drejtat e krijesave dhe marrëveshjet me ta. Përveç kësaj:... që e shkëpusin atë(lidhje)që Allahu ka urdhëruar të jetë e vazhdueshme, -Këto lidhje, për të cilat Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që të ruhen, janë të shumta. Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që, së pari, të mbajmë të paprekur e të vazhdueshme lidhjen mes nesh dhe Tij, duke forcuar besimin në fe dhe duke i shprehur Atij adhurimet tona në mënyrë të përsosur dhe me përkushtim. Ai na ka urdhëruar që të mbajmë të forta, lidhjet me Profetin e Tij. Lidhjet me të mbahen duke e besuar atë, duke e ndihmuar atë (dhe fenë e tij) , duke respektuar urdhrat e tij dhe duke i dhënë hakun e tij, në çdo aspekt. Ai na ka urdhëruar që të mbajmë lidhjet me prindërit tanë, me të afërmit, miqtë dhe me të gjitha krijesat, duke u dhënë atyre hakun, sipas dispozitave të vendosura nga Allahu i Madhëruar. Të gjitha këto lidhje duhet t`i mbajmë të forta dhe të paprekshme. Besimtarët i mbajnë fort të gjitha ato lidhje për të cilat i ka urdhëruar Allahu i Madhëruar, duke i dhënë hakun çdo aspekti, në formën më të përsosur dhe më të bukur. Ndërsa fasik-ët ndërpresin dhe shkatërrojnë çdo lidhje dhe harmoni, në gjithçka që i rrethon, duke shkelur me këmbë të drejtat e të gjithëve, me shfrenimin e tyre dhe me veprat e shëmtuara që bëjnë. Veprat e tyre quhen ndryshe edhe: ‘shkatërrim i tokës’. Allahu i Lartësuar e përkufizon krimin e tyre me fjalët:…dhe në tokë mbjellin shkatërrimin. -Përfundimi i të tillëve është i qartë:Pikërisht ata janë të humburit(që humbën gjithçka). -Këta që u përshkruan deri tani, janë të dështuarit dhe të humburit, qoftë në dynja, qoftë edhe në ahiret. Allahu i Madhëruar e ka kufizuar dështimin dhe humbjen vetëm për këta lloj njerëzish, sepse dështimi i tyre është i gjithanshëm. Ata nuk kanë asnjë lloj suksesi, pasi çdo vepër e mirë (që sjell fitim e sukses), për të qenë e tillë, ka si kusht imanin. Pra, ai që nuk ka iman, nuk ka të llogaritshme as vepra të mira. Ky është dështimi dhe humbja që sjell mungesa e imanit. Dështimi dhe humbja mund të shkaktohen ose nga kufri, ose nga gjynahet dhe gabimet, ose nga neglizhenca e treguar ndaj veprave të pëlqyeshme. Në këtë dështim dhe humbje mund të përfshihen të gjitha krijesat, përveç atyre që gëzojnë katër tipare:1. ata që besojnë;2. që bëjnë vepra të mira;3. që këshillojnë njeri-tjetrin për të drejtën;4. që këshillojnë njëri-tjetrin për durim,siç thotë i Madhëruari thotë në suren Asr: “Betohem për kohën! Njeriu është në humbje. Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, këshillojnë njëri-tjetrin për (të pasuar) të vërtetën dhe këshillojnë njëri-tjetrin për durim.”. Me fjalë të tjera, shkaktari kryesor i humbjes dhe i dështimit qëndron në mosrealizimin e atyre mirësive, për të cilat adhuruesi i ka plotësisht mundësitë që t`i realizojë. Ndërsa pasoja e dështimit është mosarritja e asaj gjëje që është brenda mundësive për t'u arritur.
2:28Page 5
كَيۡفَ تَكۡفُرُونَ بِٱللَّهِ وَكُنتُمۡ أَمۡوَٰتٗا فَأَحۡيَٰكُمۡۖ ثُمَّ يُمِيتُكُمۡ ثُمَّ يُحۡيِيكُمۡ ثُمَّ إِلَيۡهِ تُرۡجَعُونَ ٢٨
How can you disbelieve in Allāh when you were lifeless and He brought you to life; then He will cause you to die, then He will bring you [back] to life, and then to Him you will be returned.
Si e mohoni Allahun, kur(e dini se)ju ishit të vdekur, e Ai jua dha jetën -Kjo është një pyetje retorike, që tregon një ndjenjë habie dhe qortimi njëkohësisht. Si është e mundur pra, që ju të mohoni Allahun, i Cili ju krijoi pasi nuk ekzistonit?! Ai ju dhuroi, gjithashtu, edhe një larmi të pafundme mirësish.Pastaj, Ai ju bën të vdisni, e pastaj ju ringjall përsëri; e më pas(përfundimisht), tek Ai do të ktheheni. -Më pas, në momentin kur afati juaj do të jetë plotësuar, Ai do ju sjellë vdekjen, për t’ju dhënë shpërblimin e veprave që kryet në këtë jetë, që në momentin kur hyni në varr. Pastaj, Ai do t’ju ringjallë në Ditën e Ringjalljes dhe të Grumbullimit të Madh, për t'u rikthyer sërish tek Ai dhe për ta marrë të plotë shpërblimin e veprave tuaja. E pra, ju jeni (në të gjitha gjendjet) nën administrimin, përkujdesjen dhe mirësitë e Tij. Ju jeni të detyruar t`i nënshtroheni urdhrave dhe ligjit të Tij hyjnor, se pastaj do t`i nënshtroheni llogarisë dhe shpërblimit, sipas zbatimit të ligjit dhe urdhrave të Tij. Si është e mundur që, pas gjithë këtij informacioni, ju ta mohoni Atë? A nuk tregon kjo një injorancë të thellë dhe mendjelehtësi të pamatë? Kështu që, më e mira për ju është besimi te Zoti e devotshmëria ndaj Tij. Ju duhet të jeni të frikësuar prej ndëshkimit dhe të shpresoni fort shpërblimin e Tij.
2:29Page 5
هُوَ ٱلَّذِي خَلَقَ لَكُم مَّا فِي ٱلۡأَرۡضِ جَمِيعٗا ثُمَّ ٱسۡتَوَىٰٓ إِلَى ٱلسَّمَآءِ فَسَوَّىٰهُنَّ سَبۡعَ سَمَٰوَٰتٖۚ وَهُوَ بِكُلِّ شَيۡءٍ عَلِيمٞ ٢٩
It is He who created for you all of that which is on the earth. Then He directed Himself1 to the heaven, [His being above all creation], and made them seven heavens, and He is Knowing of all things.
Gjithçka që është në tokë, Ai(Allahu)e krijoi për ju -Komenti: Ai i krijoi këto të mira si bamirësi dhe mëshirë për ju, që të përfitoni prej tyre, të kënaqeni me to, dhe të nxirrni mësime e urtësi. Ky ajet madhështor është argument që vërteton se gjërat, në origjinë, janë të pastra dhe të lejuara. Gjërat konsiderohen në origjinë si të pastra, sepse Allahu i Madhëruar i ka sjellë ato si dëshmi për të treguar mirësitë e Tij. Përjashtim bëjnë vetëm gjërat e pista dhe të dëmshme, të cilat po nëpërmjet këtij ajeti kuptohet që janë të tilla. Kjo kuptohet nga i njëjti ajet, sepse ai tregon që shkaku i krijimit të këtyre gjërave, me të cilat Ai na tregon mirësinë dhe mëshirën e Tij, është që ne të përfitojmë dhe të kënaqemi. Ndërsa gjërat që nuk i ka krijuar për këtë qëllim, Ai i ka konsideruar të pista dhe na ka ndaluar nga ato. Me fjalë të tjera: Allahu i Lartësuar nuk mund të sjellë si prova të mirësisë dhe mëshirës së Tij, gjërat e pista dhe të dëmshme. Edhe ndalesat që Allahu i Madhëruar na ka bërë, kanë si qëllim mirësinë dhe mëshirën ndaj nesh. Pra, si në gjërat e lejuara, që janë shumë, ashtu edhe në gjërat që na i ka ndaluar, Allahu i Madhëruar tregon ndaj nesh mirësinë dhe mëshirën e Tij, duke na udhëzuar për të mira dhe duke na ndaluar nga të këqijat.…pastaj iu drejtua qiellit -Fjala ‘isteuã’ në Kur’ân vjen me tri kuptime, sipas rastit:1. Nëse vjen e vetme, e pashoqëruar me parafjalët e vendit ‘ala’ (mbi, sipër) apo ‘ila’ (tek, deri tek), ajo ka kuptimin ‘u plotësua, u përsos’, sikurse thotë Allahu i Lartësuar për Musain (a.s), në suren Kasas, ajeti 14: “E pasi ai (Musai) arriti moshën madhore dhe u plotësua (isteuã)(u bë i pjekur, u bë i plotë), Ne i dhamë atij dituri dhe urtësi.”.2. Nëse ajo vjen e shoqëruar me parafjalën e vendit ‘ala’ (mbi, sipër), atëherë ajo ka kuptimin “u lartësua, u ngrit sipër”, sikurse thotë Allahu i Lavdëruar: “Thumme isteuâ ala el arsh” (Pastaj u ngrit mbi arsh). Ose siç thuhet në suren Zuhruf, ajeti 13: “Ai që i krijoi të gjitha llojet dhe ju mundësoi të udhëtoni hipur në anije ose në kafshë, të uleni mbi to (Li testeuu alâ đhuhûrihî) dhe, atëherë, pasi të jeni vendosur mbi to, ta përkujtoni të mirën që jua dha Zoti juaj e të thoni: “Falënderuar qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë.”.” Fjala “li testeû” vjen nga “isteuâ alâ” (të ngriheni dhe të qëndroni mbi to).3. Nëse vjen e shoqëruar me parafjalën e vendit ‘ilâ’, që do të thotë “te, deri te”, ajo ka kuptimin: “synon, ka për qëllim, drejtohet, ka për objektiv”. Pra, “isteuã ilâ”do të thotë “synoi, u drejtua te”, sikurse vjen edhe në këtë ajet: “…pastaj iu drejtua qiellit”. Pra, kur Allahu i Lartësuar mbaroi krijimin e tokës, Ai synoi dhe iu drejtua krijimit të qiellit.Ai i përsosi ata shtatë qiej –Pra, i krijoi, i rregulloi dhe përsosi çdo gjë në to.Ai është i Gjithëditur për gjithçka -Sikurse thotë Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër, në suren Hadidë, ajeti 4: “...Ai di gjithçka që futet në Tokë dhe gjithçka që del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngrihet në të. Ai është me ju kudo që të jeni. Allahu vështron gjithçka që bëni ju." Ose në suren Ta Ha: “Edhe nëse ti e ngre zërin (në lutjet e tua), Ai e di të fshehtën dhe atë që është më e fshehtë (se e fshehta)." Ai thotë gjithashtu: "Ai e di atë që e mbani të fshehur dhe atë që e publikoni”. Janë të shumta ajetet në Kur’ân, ku Allahu i Lartësuar, së bashku me faktin që është Krijues, përmend edhe dijen e Tij absolute, sikurse ka ndodhur në këtë ajet, në suren Mulk, ajeti 14: “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur Ai di në imtësi çdo sekret.” Këtë bashkim të dy cilësive, Allahu i Madhëruar e sjell si argument për madhështinë e cilësive të Krijuesit. Krijimi i krijesave prej Tij tregon se Ai ka dituri, urtësi dhe pushtet absolut, për të arritur gjithçka që dëshiron. I Lavdëruari thotë:
Text: Quranic Universal Library (Tarteel), via spa5k/tafsir_api (MIT), at a fixed version. The ayahs: Quran Foundation. Sources and licences