As-Sa'diAn‑Nisa · 4:11–14

As-Sa'di · Tafsir · in Albanian

An-Nisa 4:11–14

4:11Page 78

يُوصِيكُمُ ٱللَّهُ فِيٓ أَوۡلَٰدِكُمۡۖ لِلذَّكَرِ مِثۡلُ حَظِّ ٱلۡأُنثَيَيۡنِۚ فَإِن كُنَّ نِسَآءٗ فَوۡقَ ٱثۡنَتَيۡنِ فَلَهُنَّ ثُلُثَا مَا تَرَكَۖ وَإِن كَانَتۡ وَٰحِدَةٗ فَلَهَا ٱلنِّصۡفُۚ وَلِأَبَوَيۡهِ لِكُلِّ وَٰحِدٖ مِّنۡهُمَا ٱلسُّدُسُ مِمَّا تَرَكَ إِن كَانَ لَهُۥ وَلَدٞۚ فَإِن لَّمۡ يَكُن لَّهُۥ وَلَدٞ وَوَرِثَهُۥٓ أَبَوَاهُ فَلِأُمِّهِ ٱلثُّلُثُۚ فَإِن كَانَ لَهُۥٓ إِخۡوَةٞ فَلِأُمِّهِ ٱلسُّدُسُۚ مِنۢ بَعۡدِ وَصِيَّةٖ يُوصِي بِهَآ أَوۡ دَيۡنٍۗ ءَابَآؤُكُمۡ وَأَبۡنَآؤُكُمۡ لَا تَدۡرُونَ أَيُّهُمۡ أَقۡرَبُ لَكُمۡ نَفۡعٗاۚ فَرِيضَةٗ مِّنَ ٱللَّهِۗ إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ عَلِيمًا حَكِيمٗا ١١

Allāh instructs you concerning your children [i.e., their portions of inheritance]: for the male, what is equal to the share of two females. But if there are [only] daughters, two or more, for them is two thirds of one's estate.1 And if there is only one, for her is half. And for one's parents, to each one of them is a sixth of his estate if he left children. But if he had no children and the parents [alone] inherit from him, then for his mother is one third. And if he had brothers [and/or sisters], for his mother is a sixth,2 after any bequest he [may have] made or debt.3 Your parents or your children - you know not which of them are nearest to you in benefit. [These shares are] an obligation [imposed] by Allāh. Indeed, Allāh is ever Knowing and Wise.

Allahu i Lartësuar i ka qartësuar plotësisht dispozitat për trashëgiminë, në Kur’ân dhe në Sunetin e Profetit të Tij. Tekstet themelore ku mbështeten këto dispozita janë:1. Ajetet 11, 12 të kësaj sureje, që tashmë po shpjegohen.2. Ajeti i fundit i po kësaj sureje, pra, ajeti 176.3. Hadithi i Abdullah Ibn Abasit, i sjellë nga Buhariu: “Jepuni trashëgiminë atyre që u takon. Ajo që mbetet, le t’i jepet mashkullit më të afërt (të të ndjerit).”Këto tekste përfshijnë të gjitha argumentet që rregullojnë dispozitat për trashëgiminë, sikurse do të shtjellohet më poshtë. Përjashtim bën vetëm rasti i trashëgimisë që meritojnë gjyshet, për të cilin shërben si mbështetje hadithi që ndodhet në “Sunen”, i përcjellë prej Mugira Ibn Shu'bes dhe Muhamed Ibn Meslemes, të cilët tregojnë se Profeti (a.s.) ka përcaktuar që gjysheve t’u jepet një e gjashta e pasurisë së lënë, dhe dijetarët janë në konsensus për këtë çështje. Kështu, Allahu i Lartësuar thotë:Allahu ju urdhëron kështu për fëmijët tuaj: -Allahu i Lartësuar ua drejton këtë porosi të mrekullueshme të gjithë atyre që janë prindër, të cilët Ai i ka begatuar me fëmijë: Allahu i Lartësuar ju ka dhuruar këtë mirësi (fëmijët), por ju ka ngarkuar edhe me përgjegjësi për ta. Ai jua ka lënë fëmijët në kujdesin tuaj, ndërkohë që ju keni detyrime kundrejt tyre. Ju duhet të kujdeseni si për fenë, ashtu edhe për çështjet e dynjasë së tyre. Ju duhet t’i mësoni dhe t’u jepni edukatën më të mirë. Ju duhet t’i ndaloni ata nga çdo gjë që dëmton besimin dhe dynjanë e tyre. Ju duhet t’i brumosni me dashurinë për Allahun dhe me bindjen ndaj urdhrave të Tij. Ju duhet t’i edukoni që gjithmonë dhe në çdo situatë të jenë të devotshëm dhe të përkushtuar ndaj Allahut të Lartësuar, sikurse thotë Ai në një ajet tjetër: “O ju që keni besuar! Ruajeni veten dhe familjen tuaj prej Zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët! Atë e mbikëqyrin melekë të rreptë e të ashpër, që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron. Ata zbatojnë gjithçka për të cilën urdhërohen.” [Tahrim 6]. Kështu, Allahu i Lartësuar na ka porositur për t’u kujdesur në mënyrë të veçantë për fëmijët. Ne duhet ta plotësojmë dhe ta çojmë në vend këtë porosi; në të kundërt, nëse e shpërfillim, do të meritojmë ndëshkimin e rëndë. Ajeti tregon, gjithashtu, se Allahu i Lartësuar është më i mëshirshëm sesa prindi me fëmijët e tij, sepse Ai i porosit prindërit për të plotësuar detyrimet ndaj fëmijve, edhe pse prindërit, për nga natyra, janë të kujdesshëm ndaj tyre.Më pas, Allahu i Lartësuar tregon mënyrën e shpërndarjes së pasurisë:...mashkullit i takojnë sa për dy femra. -Këtu bëhet fjalë për fëmijët (bijtë dhe bijat) dhe për fëmijët e djemve (domethënë, nipat dhe mbesat), nëse babai i tyre nuk është gjallë, sepse, në të kundërt, është babai i tyre që përfiton nga trashëgimia dhe jo ata. Gjithashtu, këta përfitojnë në pjesën e mbetur nga ndarja mes trashëgimtarëve parësorë (që meritojnë furud-et). Kjo pjesë e mbetur ndahet mes tyre po me të njëjtin raport, pra, për mashkullin sa për dy femra. Ky është mendimi unanim i dijetarëve. Me fjalë të tjera, nëse fëmijët e lindur nga i ndjeri janë gjallë, trashëgimia u takon atyre, ndërsa fëmijët e tyre (d.m.th., nipërit dhe mbesat e të ndjerit) nuk përfitojnë gjë. Kështu veprohet kur fëmijët (e lindur nga i ndjeri) janë meshkuj dhe femra. Por kemi edhe dy raste të tjera që duhen sqaruar:1. Nëse fëmijët trashëgimtarë janë vetëm meshkuj. Ky rast do të shpjegohet më pas.2. Nëse fëmijët trashëgimtarë janë vetëm femra. Këtë Allahu i Lartësuar e ka sqaruar në vijim të këtij ajeti, kur thotë:Nëse(trashëgimtarët)janë vetëm femra dhe më shumë se dy, atyre u takojnë dy të tretat e pasurisë që ai lë pas... -Pra, nëse janë vetëm femra, qofshin ato bija apo mbesa (vajza të djemve), tri në numër a më shumë, atyre u takojnë dy të tretat e pasurisë, të cilën e ndajnë në mënyrë të barabartë mes tyre....e nëse është vetëm një femër, asaj i takon gjysma. -Por nëse është një femër e vetme, qoftë bijë apo mbesë (vajza e djalit), asaj i takon gjysma e pasurisë. Kjo është e pranuar në mënyrë konsensuale nga dijetarët, pa ndonjë kundërshtim mes tyre. Lind pyetja: Gjykimi për rastin kur janë tri femra e më shumë dhe për rastin kur është një e vetme është i përcaktuar qartë me unanimitet. Po kur janë dy pasardhëse, cili është argumenti që edhe në këtë rast ato përfitojnë dy të tretat e pasurisë? Përgjigjja është te thënia e Allahut të Lartësuar: “...e nëse është vetëm një femër, asaj i takon gjysma.” Pra, duke qenë se kur është një, asaj i takon një e dyta, atëherë, nëse janë dy, gjykimi zbret në masën që vijon pas një të dytës. Pas një të dytës, prej pjesëve të përcaktuara nga Sheriati, vjen pjesa dy të tretat. Gjithashtu, këtë gjykim e përforcon edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “...mashkullit i takojnë sa për dy femra”. Nëse trashëgimtarët janë një djalë dhe një vajzë, atëherë, sipas këtij ajeti, djalit duhet t’i takojë dyfishi i pjesës së vajzës. Por dihet dhe është i pakundërshtueshëm fakti që djalit në këtë rast i takojnë dy të tretat. Atëherë, sipas ajetit, dy vajzave u takojnë dy të tretat. Po kështu, në rastin në fjalë, kur trashëgimtarët janë një djalë dhe një vajzë, kësaj të fundit i takon një e treta, pra, sa gjysma e pjesës së vëllait të saj. Dihet se kur rival është vëllai i saj, kjo e cenon pjesën e saj më shumë sesa në rastin kur rivale është motra. Atëherë, sipas logjikës, themi: nëse ajo meriton një të tretën kur rival është vëllai, kjo tregon se në rastin kur rivale është motra e saj, ajo e meriton më tepër një të tretën. Po kështu, Allahu i Lartësuar ka përcaktuar që, nëse trashëgimtare janë vetëm dy motrat e të ndjerit, atyre u takojnë dy të tretat. Në ajetin e fundit të kësaj sureje, i Lartësuari thotë: “Në qoftë se janë dy motra (që trashëgojnë), atyre të dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai.” Duke qenë se dy motrat, të cilat për nga afërsia dhe merita për trashëgiminë qëndrojnë më larg sesa bijat, meritojnë dy të tretat, atëherë është më e pranueshme që edhe dy vajzat të meritojnë dy të tretat. Po kështu ka vepruar Profeti (a.s.), i cili dy vajzave të Sadit u dha dy të tretat e pasurisë së tij, sipas një hadithi sahih. Në përfundim, del edhe një pyetje tjetër: Çfarë dobie synohet kur thuhet shprehimisht: “Nëse (trashëgimtarët) janë vetëm femra dhe më shumë se dy...”? A nuk kuptohet kjo thjesht nga fakti që, nëse janë më shumë se një, ato kanë gjykimin e shumësit? Allahu e di më mirë, por, ndoshta, qëllimi këtu është për të treguar se pjesa e përcaktuar nga Sheriati si “dy të tretat” nuk shtohet me rritjen e numrit të femrave trashëgimtare, por, nga dy e sipër, ato të gjitha janë pjesëmarrëse në dy të tretat. Nëse trashëgimtarët janë një vajzë dhe një mbesë (vajzë djali) apo më shumë mbesa, atëherë ato janë pjesëtare në 2/3-at. Ndarja bëhet kështu: vajzës i takon 1/2 e trashëgimisë së lënë, ndërsa mbesave (vajzave të djalit), prej dy të tretave që është përcaktuar nga Sheriati për to (vajzat dhe vajzat e djemve) që të marrin, u mbetet një e gjashta. Pra, atyre u jepet një e gjashta, e cila është quajtur ndryshe “plotësuesja e dy të tretave”. Po kështu gjykohet edhe në rastin kur trashëgimtare janë vajza e djalit (të të ndjerit) me vajzat e djalit të saj (pra, stërmbesat e të ndjerit). Ajeti tregon se nëse vajzat dhe vajzat e djalit (pra, mbesat) marrin dy të tretat, atëherë vajzat e djemve (stërmbesat) poshtë tyre nuk marrin gjë, sepse ashtu del që pjesa e tyre të jetë më e madhe se dy të tretat. Pra, nëse dy të tretat plotësohen, atëherë nuk lejohet të shtohet mbi të, sepse kjo do të kundërshtonte tekstin kur’ânor. Të gjitha këto rregulla janë të pranuara unanimisht nga dijetarët dhe, për këtë, falënderimi i plotë i takon vetëm Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar duke treguar se nga çfarë pasurie përfitojnë trashëgimtarët, thotë: “Nëse (trashëgimtarët) janë vetëm femra dhe më shumë se dy, atyre u takojnë dy të tretat e pasurisë që ai lë pas.” Te pasuria që i vdekuri lë pas hyjnë pronat e paluajtshme si tokat, shtëpitë etj., por edhe pasuritë e luajtshme me të gjitha llojet e tyre, si: floriri, argjendi, madje edhe rrobat. Madje, edhe “shpagimi për vrasjen” (ed-dijetu), të cilin i ndjeri e ‘përfiton’ veçse pas vdekjes, hyn në pasurinë që ndahet si trashëgimi. Si pasuri e tij llogariten edhe borxhet që të tjerët ende nuk ia kanë shlyer atij etj. Të gjitha këto, pra, llogariten si pasuri që duhet të ndahet mes trashëgimtarëve. Më pas, Allahu i madhëruar përmend pjesën e prindërve të të ndjerit në trashëgimi:Për prindërit, për secilin prej tyre, jepet një e gjashta nga ajo që ka lënë(i vdekuri), nëse ka fëmijë. -Pra, nënës dhe babait, domethënë secilit prej tyre, i takon një e gjashta e trashëgimisë, nëse i vdekuri ka lënë pas fëmijë ose fëmijë fëmijësh, meshkuj apo femra qofshin, një apo shumë. Nëna nuk merr më shumë se një e gjashta nëse i vdekuri ka lënë pas një fëmijë. Babai nuk merr më shumë se një e gjashta nëse i vdekuri ka lënë pas fëmijë meshkuj. Por nëse fëmijët janë një vajzë ose shumë vajza, dhe mbetet diçka pas shpërndarjes së pjesëve të secilit, për shembull, kur trashëgimtarë janë babai nëna dhe dy vajza, ajo mbetje i takon babait (tea’ŝib). Nëse nuk mbetet gjë, atëherë atij i takon vetëm pjesa e përcaktuar e tij, pra, një e gjashta. Kjo sepse, pasi i është dhënë secilit prej trashëgimtarëve pjesa e përcaktuar me ligj (farđ), ajo që mbetet i takon mashkullit më të afërt, dhe babai është më i afërt se vëllai, xhaxhai e kështu me radhë.Në qoftë se(i vdekuri)nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta. -Ndërsa babait i takon ajo që mbetet, sepse vetëm babai dhe nëna janë trashëguesit. Nga kjo kuptohet se, nëse i vdekuri nuk ka lënë pas fëmijë, nëna merr pjesën e saj, ndërsa babai merr gjithë pjesën e mbetur ose atë që lënë trashëgimtarët e tjerë, nëse ka. Por nëse veç prindërve, e vdekura ka lënë pas bashkëshortin, atëherë ky i fundit merr pjesën e tij, pastaj nëna merr një të tretën e asaj që mbetet pas heqjes së pjesës së bashkëshortit, dhe ajo që mbetet është për babain. Për këtë tregon edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “..në qoftë se (i vdekuri)nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta.” Domethënë, një e treta e asaj që mbetet si pjesë për prindërit. Pra, nëse përveç dy prindërve, është edhe bashkëshorti, atëherë ndodhemi përpara dy rasteve:1. Kur trashëgimtarë janë burri, nëna dhe babai. Në këtë rast, burrit i takon gjysma, sepse e vdekura nuk ka lënë fëmijë. Pjesa e nënës është një e gjashta, dhe ç’mbetet është për babain.2. Kur trashëgimtarë janë gruaja (kur i vdekuri është burri), nëna dhe babai. Në këtë rast, gruas i takon një e katërta, sepse i vdekuri (d.m.th. burri) nuk ka lënë fëmijë. Pjesa e nënës është një e katërta, dhe ç’mbetet është për babain.Në të dyja këto raste, pjesët e burrit apo të gruas hiqen fillimisht nga e gjithë pasuria, nëna merr një të tretën e pasurisë që mbetet për t’u ndarë mes prindërve, ndërsa babait i takon ajo që mbetet. Pra, nëna nuk merr një të tretën e gjithë pasurisë, por një të tretën e asaj që mbetet pas ndarjes së pjesës së bashkëshortit. Me fjalë të tjera, nëse i vdekuri ka borxhe apo detyrime të tjera për të larë si gjoba, shërbimet e varrimit etj., fillimisht i hiqen nga e gjithë pasuria këto detyrime, e më pas bëhet ndarja e saj sipas pjesëve të përcaktuara. Edhe në rastin e mësipërm, pjesa e bashkëshortit trajtohet si detyrim parësor për t’u shlyer, prandaj fillohet me të. Ndërsa pjesa e prindërve është ajo që mbetet pas dhënies së pjesës së bashkëshortit. Po ashtu, nëse nëna do të merrte një të tretën nga e gjithë pasuria, atëherë, kur së bashku me prindërit, është trashëgimtar edhe burri, nënës i takon të marrë më shumë sesa babait. Ndërsa në rastin kur, së bashku me prindërit, trashëgimtare është edhe gruaja, babait i takon të marrë “gjysmën e një të gjashtës” më shumë se nëna, dhe kjo nuk është një pjesë e përcaktuar konkretisht. Ajo që njihet është se nëna mund të marrë njëlloj si babai, ose babai mund të marrë dyfishin e asaj që merr nëna. Këto janë rastet e njohura dhe të përcaktuara.Por në qoftë se ai(i vdekuri)ka vëllezër, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta. -Këtu e ka fjalën për çdo lloj vëllai apo motre: vëlla a motër nga babai dhe nëna, vëlla a motër vetëm nga babai, vëlla a motër vetëm nga nëna, pavarësisht a meritojnë pjesë apo privohen nga ajo për shkak të pranisë së babait ose të gjyshit. Pra, në rast se i vdekuri ka lënë pas një nga këta të përmendur, nënës i takon vetëm një e gjashta. Disa janë të mendimit se fjala “vëllezër” nuk përfshin ata që janë të privuar nga trashëgimia për shkak të pranisë së babait apo gjyshit, por vetëm ata vëllezër a motra që meritojnë trashëgimi dhe nuk janë të privuar. Në fakt, ky mendim është më i pranueshëm, sepse edhe reduktimi i pasurisë së nënës nga “një e treta” në “një të gjashtën” synon pikërisht që t’i mundësojë kësaj kategorie – vëllezërve e motrave trashëgues dhe jo të privuar – që të marrin pjesë nga trashëgimia. Sipas këtij mendimi, pjesa e nënës reduktohet nga një e treta në një të gjashtën vetëm në rastin kur i vdekuri ka lënë pas “vëllezër” që meritojnë pjesë dhe jo “vëllezër” të privuar nga prania e babait apo gjyshit. E gjithë kjo funksionon me kusht që ata të jenë më shumë se dy persona, pra, dy e lart. Dikush mund të pyesë: Përse fjala “vëllezër” është përdorur në shumës dhe jo në dyjës? Përgjigje: Ky është një stil që haset në Kur’ân, domethënë që edhe kur flitet për dy persona, përdoret numri shumës, sikurse thotë i Lartësuari kur flet për dy profetët e Tij Daudin dhe Sulejmanin: “....dhe Ne ishim dëshmues të gjykimit të tyre”. Këtu nuk është për qëllim të tregohet numri specifik i tyre, por thjesht të tregohet se ishin më shumë se një. I njëjti stil përdoret edhe në ajetin, kur i Lartësuari thotë: “Në qoftë se i vdekuri, qoftë mashkull ose femër, nuk ka lënë as prindër dhe as fëmijë, por ka vëlla ose motër (nga nëna), atëherë çdonjërit prej tyre u takon një e gjashta. E, nëse ka më shumë se dy (vëlla e motër), ata janë pjesëmarrës të barabartë në një të tretën e pasurisë, pasi të zbatohet porosia (testament)dhe pasi të lahen borxhet, kështu që asnjë të mos dëmtohet.” Pra, nëse janë më shumë se një, ata janë pjesëmarrës në një të tretën. Atëherë, sipas mendimit të parë - kur me fjalën “vëllezër” janë për qëllim të gjithë llojet e vëllezërve, pavarësisht a meritojnë pjesë apo privohen nga ajo për shkak të prezencës së babait apo të gjyshit, - nëse i vdekuri lë pas nënën, babain dhe vëllezër (më shumë se një), nënës i takon një e gjashta, dhe pjesa tjetër i takon babait, ndërkohë që vëllezërit dhe motrat nuk marrin gjë, sepse janë të privuar nga prezenca e babait. Ndërsa sipas mendimit të dytë – kur me fjalën “vëllezër” janë për qëllim vetëm vëllezërit trashëgues e jo të privuarit – nënës i takon një e treta dhe babait pjesa që mbetet. Pastaj i Lartësuari thotë:Ndarja e trashëgimisë bëhet pas zbatimit të porosisë së lënë nga ai(testament)dhe pasi të lahen borxhet. -Kështu, këto pjesë trashëgimie të përcaktuara nga Zoti shpërndahen vetëm pasi të jenë plotësuar detyrimet e të vdekurit. Detyrimet e tij financiare mund të jenë ose ndaj njerëzve, ose ndaj Zotit, ose testament që ai ka lënë për t’u zbatuar pas vdekjes. Pasi plotësohen këto detyrime, ajo që mbetet duhet të shpërndahet mes trashëgimtarëve, sipas përcaktimit të Allahut të Lartësuar. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar ka përmendur vasijet-in (porosinë e veçantë) para borxhit, edhe pse ky i fundit duhet të plotësohet i pari. Kjo është bërë për t’i dhënë rëndësi plotësimit të tij, sepse shpesh trashëgimtarët e kanë të vështirë që ta zbatojnë atë. Sidoqoftë, plotësimi i borxhit është më parësor dhe ai duhet të jepet nga kreu i mallit, ndërsa për (vasijetin / testamentin) porosinë e veçantë mund jepet deri te një e treta e pasurisë ose më pak se aq. Prej porosisë së veçantë mund t’u jepet nga pasuria e të vdekurit vetëm atyre njerëzve që nuk kanë pjesë të përcaktuar nga Sheriati në trashëgiminë e të ndjerit. Ndërsa jashtë këtyre kushteve, pra, që vasijeti të jetë më shumë se një e treta, mund të lejohet veçse me lejen e trashëgimtarëve të përcaktuar me ligj. Më tej, i Lartësuari thotë:Ju nuk e dini se cilët janë më dobiprurës për ju: prindërit tuaj apo fëmijët tuaj. -Nëse përcaktimi i masës së trashëgimisë do të lihej në dorën tonë, do të kishte patur padrejtësi dhe pasoja, që vetëm Zoti i di, sepse mendjet tona janë të mangëta, injorante dhe të prirura drejt padrejtësisë. Pa ndihmën dhe udhëzimin e Zotit, ato nuk mund ta njohin se çfarë është më e mira dhe më e drejta në çështjet e dynjasë dhe të fesë. Ne nuk mund ta dinim se cilët trashëgimtarë, prindërit apo fëmijët, janë më të dobishëm për ne, që të mund të gjykojmë se cilëve u duhet dhënë më shumë e cilëve më pak. Islami është rregulluesi i vetëm i të gjitha çështjeve, në çdo kohë, vend dhe gjendje.Këto janë urdhrat e Allahut. Allahu është i Gjithëditur dhe i Urtë. -Kuptimi: Këto përcaktime janë detyrime për ju. Ky është i vetmi gjykim që ju duhet të zbatoni, sepse është vendosur prej të Gjithëditurit e të Urtit, që e ka përcaktuar çdo gjë me përpikmëri dhe në mënyrën më të mirë. Mendjet njerëzore nuk mund të sjellin kurrë diçka më të mirë dhe më të plotë se ligji i Zotit.Ky fakt dëshmohet qartë në hadithin që e ka përnxjerrë imam Muslimi në “Sahih”-un e tij, në kapitullin “Pendimi”, me numër 22, ku thuhet se Profeti (a.s.), pas një beteje, pa mes njerëzve një grua që nuk po gjente fëmijën e saj. Ajo kërkonte mes njerëzve dhe, kur e gjeti, e pushtoi fort dhe filloi t’i jepte gji. Atëherë, Profeti (a.s.) tha: “A mendoni se kjo grua mund ta flakë foshnjën e saj në Zjarr?!” - “Jo, o i Dërguari i Allahut!” – thanë të pranishmit. Ndërsa Profeti (a.s.) vazhdoi: “E pra, betohem në Allahun, se Allahu është më i Mëshirshëm me robërit e Tij, sesa kjo nënë me foshnjën e saj!”Pjesët e përcaktuara nga Sheriati në ndarjen e trashëgimisë janë gjashtë: 1/2, 1/4, 1/8, 1/3, 1/6 dhe 2/3. Për secilën masë janë përcaktuar përfituesit e saj.Dihet që, nëse është i pranishëm babai apo gjyshi i të vdekurit, ata që janë në shkallë më poshtë privohen nga trashëgimia.Si, për shembull, kur i ndjeri ka thyer ndonjë betim, që duhet të kompensonte, apo kur nuk ka dhënë zekatin brenda kohës së përcaktuar etj.Këtu hyjnë edhe shpenzimet për varrimin apo për shërbime të tjera të ngjashme, të cilat merren nga pasuria e të ndjerit, para se të fillojë ndarja e trashëgimisë.

4:12Page 79

۞ وَلَكُمۡ نِصۡفُ مَا تَرَكَ أَزۡوَٰجُكُمۡ إِن لَّمۡ يَكُن لَّهُنَّ وَلَدٞۚ فَإِن كَانَ لَهُنَّ وَلَدٞ فَلَكُمُ ٱلرُّبُعُ مِمَّا تَرَكۡنَۚ مِنۢ بَعۡدِ وَصِيَّةٖ يُوصِينَ بِهَآ أَوۡ دَيۡنٖۚ وَلَهُنَّ ٱلرُّبُعُ مِمَّا تَرَكۡتُمۡ إِن لَّمۡ يَكُن لَّكُمۡ وَلَدٞۚ فَإِن كَانَ لَكُمۡ وَلَدٞ فَلَهُنَّ ٱلثُّمُنُ مِمَّا تَرَكۡتُمۚ مِّنۢ بَعۡدِ وَصِيَّةٖ تُوصُونَ بِهَآ أَوۡ دَيۡنٖۗ وَإِن كَانَ رَجُلٞ يُورَثُ كَلَٰلَةً أَوِ ٱمۡرَأَةٞ وَلَهُۥٓ أَخٌ أَوۡ أُخۡتٞ فَلِكُلِّ وَٰحِدٖ مِّنۡهُمَا ٱلسُّدُسُۚ فَإِن كَانُوٓاْ أَكۡثَرَ مِن ذَٰلِكَ فَهُمۡ شُرَكَآءُ فِي ٱلثُّلُثِۚ مِنۢ بَعۡدِ وَصِيَّةٖ يُوصَىٰ بِهَآ أَوۡ دَيۡنٍ غَيۡرَ مُضَآرّٖۚ وَصِيَّةٗ مِّنَ ٱللَّهِۗ وَٱللَّهُ عَلِيمٌ حَلِيمٞ ١٢

And for you is half of what your wives leave if they have no child. But if they have a child, for you is one fourth of what they leave, after any bequest they [may have] made or debt. And for them [i.e., the wives] is one fourth if you leave no child. But if you leave a child, then for them is an eighth of what you leave, after any bequest you [may have] made or debt. And if a man or woman leaves neither ascendants nor descendants but has a brother or a sister, then for each one of them is a sixth. But if they are more than two, they share a third,1 after any bequest which was made or debt, as long as there is no detriment [caused].2 [This is] an ordinance from Allāh, and Allāh is Knowing and Forbearing.

Nga ajo që lënë bashkëshortet tuaja juve ju takon gjysma, nëse ato nuk kanë fëmijë. -Me fjalën “fëmijë” këtu kuptohen fëmijët biologjikë (jo të birësuar), djemtë apo vajzat e djalit të saj, një apo shumë qofshin, qofshin fëmijë nga burri apo nga burra të tjerë (nëse ka qenë e martuar më parë). Këtu nuk hyjnë djemtë dhe vajzat e vajzës së saj, dhe ky është një mendim konsensual i dijetarëve. Pra, nëse gruaja e vdekur nuk ka lënë pas fëmijë (sipas kësaj që u përmend), burrit i takon gjysma e pasurisë së saj. Në të kundërt:Por nëse ato kanë fëmijë, juve ju takon një e katërta e pasurisë që lënë ato, pasi të zbatohet porosia e tyre(testament)dhe pasi të lahen borxhet e tyre. -Ndërsa në rastin kur i vdekuri është burri, Allahu i madhëruar thotë:Nga ajo që lini ju, atyre(grave)ju takon një e katërta, nëse nuk keni fëmijë. Por, nëse keni fëmijë, atyre ju takon një e teta nga ajo që lini, pasi të zbatohet porosia juaj(testament)dhe pasi të lahen borxhet tuaja. -Në vijim Allahu i madhëruar na sqaron rastin e njohur El kelâleh. Ai thotë:Në qoftë se i vdekuri, qoftë mashkull ose femër, nuk ka lënë as prindër dhe as fëmijë, por ka vëlla ose motër(nga nëna), atëherë çdonjërit prej tyre u takon një e gjashta. -Fjalët “vëlla” e “motër” tregojnë vëllain e motrën nga nëna, sikurse është përcjellë në disa variante të këndimeve të Kur’ânit. Edhe dijetarët janë të një mendimi se këtu bëhet fjalë për vëllezërit dhe motrat vetëm nga nëna.Rasti el kelalehSikurse ka thënë Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), rasti “el kelaleh”ndodh kur i vdekuri nuk lë pas as baba, as gjysh, as djalë, as djalë djali, as vajzë, as vajzë djali e ç’ka poshtë tyre. Në këtë rast, nëse ai ka lënë pas veç një vëlla ose një motër vetëm nga nëna, atëherë secilit prej tyre i takon një e gjashta e trashëgimisë. Megjithatë, sikur i vdekuri të ketë lënë pas qoftë edhe një fëmijë e ç’ka poshtë tyre (nipër e stërnipër) apo baba e ç’ka sipër tyre (gjyshër e stërgjyshër), kjo i përjashton nga trashëgimia vëllezërit dhe motrat e tij vetëm prej nëne. Ky është mendimi konsensual i dijetarëve.E, nëse ka më shumë se dy(vëlla e motër), ata janë pjesëmarrës të barabartë në një të tretën e pasurisë, pasi të zbatohet porosia(testamenti)dhe pasi të lahen borxhet, kështu që asnjë të mos dëmtohet. Këto janë porositë e Allahut. Allahu është i Gjithëditur e Durimtar. -Nëse janë disa (më shumë se një) vëllezër dhe motra nga nëna, atëherë ata janë pjesëmarrës të barabartë në një të tretën e trashëgimisë. Pra, këtu nuk është i vlefshëm rregulli: “mashkulli merr sa për dy femra”, pasi Allahu i Lartësuar ka thënë ata janë “shurekâe”, domethënë, pjesëmarrës të barabartë në një të tretën. Nga ky ajet përfitojmë edhe një gjykim tjetër, atë për çështjen “el ĥimarijeh”. Kështu, nëse një grua lë pas vetes: bashkëshortin, nënën, vëllezër e motra nga nëna, vëllezër dhe motra nga nëna e babai, atëherë ndarja e trashëgimisë bëhet në këtë mënyrë: bashkëshorti i saj merr gjysmën, sepse e ndjera nuk ka lënë pas fëmijë. Nëna merr një të gjashtën, sepse e ndjera ka lënë vëllezër dhe motra. Vëllezërit dhe motrat nga nëna janë pjesëtarë të barabartë në një të tretën. Ndërsa vëllezërit dhe motrat nga nëna e babai nuk marrin gjë, sepse Allahu i Lartësuar ua ka lënë një të tretën vëllezërve dhe motrave nga nëna, kështu që përzierja e tyre me vëllezërit nga babai e nëna do të ishte një veprim që Allahu nuk e ka përmendur në ajet. Këtë e përforcon edhe fakti që vëllezërit dhe motrat nga nëna e babai nuk hyjnë në mesin e atyre trashëgimtarëve që meritojnë pjesë (furuđ) të përcaktuar nga Sheriati, por hyjnë tek ata që përfitojnë si “aŝabe”, pra, nga ajo që mbetet pasi trashëgimtarët e furuđ-eve marrin pjesën e tyre. Ndërsa vëllezërit vetëm nga nëna janë vetë trashëgimtarë të furuđ-eve, domethënë ata kanë pjesë të përcaktuar nga Sheriati. Në rastin tonë, meqë nuk mbetet gjë, vëllezërit nga nëna e babai nuk marrin gjë. Ky është mendimi më i saktë mbi këtë çështje. Ndërsa për sa i përket pjesës që meritojnë vëllezërit dhe motrat nga babai dhe nëna apo vetëm nga babai, kjo është sqaruar në ajetin 176 të kësaj sureje, ku i Lartësuari thotë: “Ata kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: “Allahu ju përgjigjet për çështjen e atij që nuk ka lënë baba e as fëmijë që e trashëgojnë (el kelale). Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë, por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë. Ai (vëllai) trashëgon atë (motrën), nëse ajo nuk ka fëmijë. Në qoftë se janë dy motra (që trashëgojnë), atyre të dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai. Në qoftë se janë vëllezër dhe motra, atëherë mashkullit i takon pjesë sa dyfishi i pjesës së femrës. Kështu jua sqaron Allahu dispozitat, që ju të mos humbni rrugën e drejtë. Allahu Di gjithçka.” Kështu, sipas ajetit, nëse ajo që trashëgon është një motër prej babe e nëne apo vetëm prej babe, asaj i takon gjysma e pasurisë së lënë. Nëse ato që trashëgojnë janë dy motra prej babe e nëne apo vetëm prej babe, atyre u takojnë dy të tretat e pasurisë së lënë. Nëse ato që trashëgojnë janë një motër prej babe e nëne dhe një motër ose disa motra vetëm nga babai, ndarja bëhet në këtë mënyrë: motra prej babe e nëne merr gjysmën, ndërsa motrat vetëm nga babai marrin një të gjashtën, apo siç quhet ndryshe “plotësuesen e 2/3 (dy të tretave)”. Por nëse motrat prej babe e nëne janë më shumë se një, ato marrin dy të tretat, dhe motrave vetëm prej babe nuk u mbetet gjë prej pasurisë, sikurse e përmendëm një gjë të tillë kur folëm për pjesën e vajzave dhe të vajzave të djalit. Nëse trashëgimtarë janë vëllezër e motra të përzierë, atëherë këtu vlen fjala e Allahut të Lartësuar: mashkullit i takon pjesë sa dyfishi i pjesës së femrës. Dikush mund të pyesë: Po për rastet e tjera të trashëgimisë, a kuptohet gjë nga ajeti? Përgjigjja është po. Në ajet ka disa shenja udhëzuese për çështje të tjera, të cilat vetëm një i pavëmendshëm nuk mund t’i vërejë. Kështu, për shembull, shkaqet privuese të trashëgimisë janë: skllavëria, vrasja e trashëgimlënësit dhe ndryshimi i përkatësisë fetare. Por si kuptohet kjo nga ajeti? Allahu i Lartësuar thotë: “Ju nuk e dini se cilët janë më dobiprurës për ju: prindërit tuaj apo fëmijët tuaj.”. Pa ndihmën dhe udhëzimin e Zotit, ne nuk mund ta njohim se çfarë është më e mira dhe më e drejta në çështjet e dynjasë dhe të fesë. Ne nuk mund ta dinim se cilët trashëgimtarë, prindërit apo fëmijët, janë më të dobishëm për ne, që të mund të gjykojmë se cilëve u duhet dhënë më shumë e cilëve më pak. Ky është një tregues i urtësisë së Allahut të Lartësuar, që dëshiron të plotësojë mirësinë e Tij ndaj nesh në ndarjen e pasurisë mes trashëgimtarëve, në varësi të afërsisë dhe të dobisë që ofron secili në aspektin e dynjasë dhe të fesë tonë. Kështu, po të shohim në këtë drejtim, do të kuptojmë se vrasësi dhe jomuslimani e cenojnë këtë urtësi të Allahut të Lartësuar në shpërndarjen e trashëgimisë. Vrasësi i ka shkaktuar trashëgimlënësit dëmin më të madh, i ka marrë jetën. Për këtë arsye, atij nuk duhet t’i takojë kurrsesi pjesë nga trashëgimia, e cila është përcaktuar në varësi të dobisë që ofron trashëgimtari për trashëgimlënësin. Gjithashtu, është e njohur edhe norma ligjore që thotë: “Ai që synon përshpejtimin e një gjykimi para kohës së përcaktuar nga Sheriati për të, ndëshkohet duke u privuar prej tij”. Kështu, vrasësi i trashëgimlënësit synon të përshpejtojë marrjen e trashëgimisë nga i vrari, prandaj edhe ndëshkohet duke u privuar nga pjesa e tij (përveç ndëshkimit për vrasjen, sigurisht). Ndërsa jomuslimani, edhe pse mund të jetë i afërm i trashëgimlënësit, nuk meriton pjesë prej tij. Ai mund ta meritojë trashëgiminë për shkak të afërsisë farefisnore, por është kufri i tij që e privon prej saj. Nuk ka dyshim se mosbesimi në fe është një ndasi shumë e madhe mes trashëgimlënësit dhe trashëgimtarit. Ata nuk i sjellin asnjë dobi njëri-tjetrit. Shkaku i privimit nga trashëgimia është më i fortë se shkaku i meritimit të saj. Po ashtu, të drejtat e muslimanëve janë më parësore për t’u plotësuar sesa të drejtat e të afërmve jobesimtarë. Është e vërtetë që Allahu i Lartësuar thotë në suren Enfalë: “Megjithatë, farefisi ka më shumë përparësi ndaj njëri-tjetrit, sipas Librit të Zotit. Allahu Di gjithçka.” Në fillim, në Medinë, Profeti (a.s.) bëri një vëllazërim të veçantë mes muhaxhirve (emigrantëve mekas) dhe ensarëve (vendasve medinas), përveç vëllazërisë së përgjithshme që ekziston në Islam mes besimtarëve, aq sa ata u bënë pjesëtarë në trashëgiminë e njëri-tjetrit. Por Allahu i Lartësuar shpalli më pas dispozitat për trashëgiminë, sipas të cilave, vëllazëria në Islam nuk të jep të drejtë në trashëgimi, por është lidhja e gjakut faktor kryesor për përfitimin nga trashëgimia. Megjithatë, jo çdo lloj farefisnie është përfituese, prandaj ajeti duhet kuptuar saktë. Qëllimi këtu është për pjesëtarët muslimanë të farefisit, jo për ata që janë qafirë. Nëse një farefis është jomusliman, atëherë është më parësore vëllazëria në Islam. Ibn Kajjimi, në librin e tij “Xhelâul Efhâm”, thotë: “Shih me vëmendje se si Allahu i Lartësuar e ka lidhur ngushtë meritën për trashëgimi mes burrit dhe gruas me të qenurit e tyre bashkëshortë të njëri-tjetrit. Ai ka thënë: “Nga ajo që lënë bashkëshortet tuaja juve ju takon gjysma, nëse ato nuk kanë fëmijë.”. Pra, nuk ka thënë “gratë tuaja”, por ka përdorur fjalën “bashkëshortet”, për të treguar se shkak i meritës së trashëgimisë është një lidhje më e ngushtë mes atyre të dyve, dhe jo thjesht lidhja mes një burri dhe një gruaje. Pa dyshim, edhe mes qafirit dhe muslimanit nuk ekziston ndonjë lidhje e tillë e ngushtë dhe, si rrjedhojë, ata nuk mund të jenë trashëgimtarë të njëri-tjetrit. Të fshehtat e termave të përdorura në Kur’ân qëndrojnë shumë më lart se mendjet dhe arsyetimet e njerëzve.” Për sa i përket skllavit, ai as trashëgohet dhe as trashëgon gjë. Ai nuk trashëgohet, sepse nuk zotëron pasuri. Ai dhe pasuria e tij janë pronë e padronit të tij. Po ashtu, ai nuk trashëgon, sepse edhe nëse merr pasuri në formë trashëgimie, ajo automatikisht i takon zotërisë së tij. Për sa i përket atij që është gjysëm skllav dhe gjysëm i lirë, gjykimi për të është në varësi të secilës pjesë. Kjo çështje gjendet e sqaruar në librat e fikh-ut. Për sa i përket hermafroditit (deledashit), ekzistojnë dy raste:1. Kur është më e theksuar njëra gjini e tij. Për shembull, nëse anon më tepër nga mashkulli, atij i takon pjesa si trashëgimtar mashkull. Por nëse anon më tepër nga seksi femër, atëherë i takon pjesa si trashëgimtare femër.2. Kur nuk ka asnjë gjini të theksuar. Edhe në këtë rast paraqiten dy mundësi: a. Nëse pjesa e tij në trashëgimi është e njëjtë si të ishte mashkull, si femër, çështja është e thjeshtë dhe e qartë. Kjo ndodh, për shembull, kur janë shumë vëllezër e motra, që përfitojnë nga trashëgimia në mënyrë të barabartë. b. Nëse pjesa e tij në trashëgimi ndryshon po të trajtohet si mashkull apo si femër. Kështu, nëse i japim pjesë si mashkull, do t’u bënim padrejtësi trashëgimtarëve të tjerë, por nëse i japim pjesë si femër, do t’i bënim padrejtësi atij, se mund të meritojë pjesë mashkulli. Atëherë, në një rast të tillë, gjejmë rrugën e mesme, duke i dhënë diçka më shumë se një pjesë femre dhe diçka më pak se një pjesë mashkulli.Kështu na urdhëron i Lartësuari, kur thotë: “Mbani drejtësinë, se ajo është më pranë devotshmërisë!”. Më shumë se kaq nuk mund ta mbajmë drejtësinë. Kaq e kemi mundësinë dhe Allahu i Lartësuar nuk ngarkon asnjë tej mundësive, siç thotë në një ajet: “Allahu nuk e ngarkon asnjë më shumë sesa ai ka mundësi.” Apo: “Frikësojuni Allahut aq sa të keni mundësi!” A trashëgojnë apo jo vëllezërit nga babai e nëna apo vetëm nga babai, nëse është edhe gjyshi? A përmendet në Kur’ân dispozita për këtë çështje? Është i pranuar fakti që prania e babait i përjashton vëllezërit nga babai e nëna apo vetëm nga njëra palë. Por a gjykohet njëlloj edhe prania e gjyshit? A ka ai të njëjtën gradë si babai? Përgjigja për këtë pyetje është dhënë në pjesë të tjera të Kur’ânit, ku Allahu i Lartësuar e ka quajtur gjyshin “baba”, si për shembull: “A ishit ju të pranishëm, kur Jakubi, në momentin e vdekjes, u tha bijve të vet: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” Ata thanë: “Do të adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut; një Zot të vetëm. Vetëm Atij i nënshtrohemi!” [Bekare 133]. Ose kur Jusufi thotë: “Unë ndjek fenë e etërve të mi: Ibrahimit, Is’hakut, Jakubit.” [Jusuf 38]. Pra, Allahu i Lartësuar i ka quajtur “etër” edhe gjyshërit, edhe stërgjyshërit. Kjo tregon se gjyshi gëzon të njëjtin status si babai dhe ka të njëjtin rol si ai. Pra, ai trashëgon si babai dhe privon nga trashëgimia njëlloj siç privon babai. I tillë ka qenë edhe gjykimi i Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Dijetarët janë të një mendimi që gjyshi gëzon të njëjtin status si babai (kur babai mungon), në lidhje me trashëgimtarët e tjerë, si fëmijët, fëmijët e vëllezërve, xhaxhallarët dhe fëmijët e tyre etj. Por a ka gjyshi të njëjtin ndikim edhe në lidhje me vëllezërit jo nga ana e nënës? Edhe në këtë rast ai duhet të gëzojë të njëjtin status. Duke qenë se ai e gëzon këtë status në rastet e lartpërmendura, nuk ka arsye që në këtë rast të jetë ndryshe. Këtë e përforcon edhe fakti që biri i djalit (nipi) gëzon të njëjtin status si biri. Pra, pse të mos jetë ky vlerësim edhe për rastin e babait të babait. Me fjalë të tjera, duke qenë se nipi konsiderohet njëlloj si djali, pse të mos konsiderohet edhe gjyshi njëlloj si babai? Dijetarët janë unanimë në faktin që gjyshi i babait (të të ndjerit) privon nga trashëgimia djalin e vëllait (të të ndjerit). Atëherë, pse të mos e privojë gjyshi i të ndjerit, vëllanë e të ndjerit?! Ata që u bëjnë pjesë vëllezërve edhe kur gjyshi është i pranishëm, nuk kanë argument apo tekst ku të mbështeten.Po çështjet e quajtura “el aul” dhe “el redd”, a janë përmendur në Kur’ân? Përgjigjja është po. Por le të kuptojmë fillimisht se çfarë janë këto dy çështje, dhe pastaj të vërtetojmë përgjigjen e mësipërme. Allahu i Lartësuari ka përcaktuar trashëgimtarët si dhe pjesët e tyre, qofshin ato meritues me furud, qofshin meritues me teasib. Trashëgimtarët janë të tillë që ose e privojnë njëri-tjetrin, ose që nuk e privojnë njëri-tjetrin nga trashëgimia. Në rastin e parë, të privuarit nuk meritojnë gjë, dhe çështja është e qartë. Ndërsa në rastin e dytë shfaqen tri mundësi:1. Pasi trashëgimtarët e furud-eve marrin pjesën e tyre, nga trashëgimia mbetet sërish diçka.2. Pasi trashëgimtarët e furud-eve marrin pjesën e tyre, nga trashëgimia nuk mbetet asgjë.3. Nga ndarja e trashëgimisë, mbetet ndonjë trashëgimtar i furud-eve pa pjesë.Në dy rastet e para nuk ka ndonjë problem, sepse secili e merr pjesën e vet të plotë. Ndërsa për rastin e tretë ka dy mundësi: a. T’ia pakësojmë ndonjë trashëgimtari pjesën e tij, për t’ia dhënë tjetrit të plotë. Në fakt, kjo do të ishte padrejtësi, sepse askush prej tyre nuk e meriton më shumë se tjetri për ta marrë pjesën e vet të plotë. Po ashtu, një gjykim i tillë është i pabazuar. Atëherë mbetet mundësia e dytë. b. T’i japim secilit nga pjesa e tij aq sa mundemi, dhe pastaj, për të plotësuar pjesët e të gjithëve, veprojmë me përqindje, sikurse bëhet në rastin e shlyerjes së borxhit të të ndjerit, ku secili jep sipas pjesës që meriton prej trashëgimisë. Kështu, nëse dikush meriton 20% të trashëgimisë, ai do të mbulojë 20% të borxhit, e kështu me radhë. Kjo çështje dhe mënyrë zgjidhjeje quhet “el aul”. Ndërsa rasti i kundërt i saj quhet el redd. Pra, nëse trashëgimtarët marrin pjesët e tyre të plota dhe prej trashëgimisë tepron ende pjesë, ndërkohë që nuk ka meritues të saj të përcaktuar nga Sheriati, atëherë edhe pjesën e mbetur ua ndajmë trashëgimtarëve, në bazë të përqindjes që meritojnë. Nëse dikush, për shembull, meriton 30% të trashëgimisë, merr 30% të kësaj shtese, e kështu me radhë. Në të kundërt, nëse do t’ia jepnim vetëm njërit prej trashëgimtarëve, kjo do të ishte padrejtësi. Edhe nëse do t’ia jepnim dikujt tjetër jashtë kategorive të përcaktuara, përsëri do të ishte padrejtësi dhe thyerje e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Megjithatë, farefisi ka më shumë përparësi ndaj njëri-tjetrit, sipas Librit të Zotit. Allahu Di gjithçka.”. Prandaj, si rruga më e mirë mbetet ajo që u përshkrua më lart. Duke qenë se bashkëshortet nuk hyjnë në farefisni, ato nuk meritojnë shtesë prej el redd-it. Të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve që e pranojnë ushrimin e el redd-it. Si fakt mbështetës, ata përdorin ajetin e Allahut të Lartësuar: “Megjithatë, farefisi ka më shumë përparësi ndaj njëri-tjetrit, sipas Librit të Zotit. Allahu Di gjithçka.” Ndërsa të tjerët janë të mendimit se edhe bashkëshortet përfitojnë prej el redd-it, pasi shkaku i përfitimit është thjesht statusi i tyre si trashëgimtarë të furud-eve, pavarësisht në janë farefis apo bashkëshortë. Këta arsyetojnë e thonë: Duke qenë se, në rastin e el aul-it, edhe bashkëshorti jep prej pjesës së tij për të plotësuar pjesët e merituesve të furud-eve, nuk ka arsye që në rastin e el redd-it të mos trajtohen njëlloj. Këtë e dëshmon Libri (Kur’âni), Suneti dhe analogjia e saktë dhe e drejtë. Megjithatë, Allahu është më i ditur për gjithçka. Nga ajetet kur’ânore kuptojmë se, nëse i vdekuri nuk ka lënë pas asnjë prej trashëgimtarëve që përfitojnë me ligj, ndërkohë që ata të cilët mund të përfitojnë janë vetëm Rezervat e shtetit ose ndonjë farefis i largët, ai që përfiton nga pasuria është ky pjesëtar i farefisit, sado i largët qoftë, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Megjithatë, farefisi ka më shumë përparësi ndaj njëri-tjetrit, sipas Librit të Zotit. Allahu Di gjithçka.”. Nëse do t’ua jepnim të tjerëve, kjo do të ishte një vepër në kundërshtim me ajetin, që udhëzon qartë për të kundërtën. Edhe pse Allahu i Lartësuar nuk ka përcaktuar konkretisht pjesë në trashëgimi për një farefis të largët, ai përsëri përfiton prej trashëgimisë, duke qenë se ka lidhje me të vdekurin. Allahu i Lartësuar është më i ditur për gjithçka. Për sa i përket trashëgimisë që meritojnë të afërmit el asabe, pra, ata që trashëgojnë nëpërmjet teasib-it, Profeti (a.s.) ka thënë: “Jepuni trashëgiminë atyre që u takon. Ajo që mbetet, le t’i jepet mashkullit më të afërt (të të ndjerit).” Allahu i Lartësuar e përforcon këtë qëndrim kur thotë: “Ne i kemi caktuar secilit prej jush të afërm që trashëgojnë nga ajo që lënë prindrit dhe farefisi. Jepuni pjesën e vet edhe atyre me të cilët keni marrëveshje. Allahu është Dëshmitar për çdo gjë.” Nëse shpërndajmë pjesët për trashëgimtarët e furud-eve dhe nuk mbetet gjë, atëherë të afërmit el asabe nuk marrin gjë. Por nëse mbetet diçka, ai që përfiton është mashkulli më i afërt, sipas anës dhe nivelit të tij. Anët e afërsisë, sipas rëndësisë së tyre, janë pesë:1. Birësia.2. Atësia3. Vëllazëria dhe fëmijët e tyre.4. Xhaxhallarët me fëmijët e tyre.5. Çliruesi nga skllavëria (el uela).Kështu, fillimisht i jepet përparësi anës më të afërt. Nëse për nga ana e afërsisë palët janë njëlloj, atëherë i jepet përparësi nivelit më të afërt. Për shembull, nëse janë fëmijët e vëllezërve dhe fëmijët e fëmijëve të vëllezërve, atëherë u jepet përparësi fëmijëve të vëllezërve, sepse janë një nivel më lart. Nëse palët janë të një ane dhe të një niveli (si p.sh., janë të dy prej vëllezërve), atëherë i jepet përparësi atij që është vëlla nga babai e nëna, kundrejt atij që është vetëm nga njëra palë. Nëse janë njëlloj në çdo drejtim, atëherë ata janë pjesëmarrës të barabartë në trashëgimi. Allahu është më i ditur.Pyetje: Si veprohet nëse pas ndarjes së pasurisë mes trashëgimtarëve të furud-eve mbetet diçka dhe prej el asabe-s ndodhen vetëm motra jo nga nëna dhe vajza ose vajza djali? A ka ndonjë argument që të tregojë se prania e vajzave dhe e vajzave të djalit përjashtojnë motrat jo nga nëna nga trashëgimia? Përgjigja është jo. Nuk ka argument nga Kur’âni që të tregojë për këtë gjë. Nëse çështja është kështu, atëherë pasi vajzat marrin pjesën e tyre të furud-eve dhe mbetet diçka prej pasurisë, atëherë ajo u jepet motrave dhe nuk u jepet atyre që janë më larg se ato, si djali i vëllait apo xhaxhai e më larg se ata. Allahu është më i ditur për gjithçka.Për shembull, një vëlla e një motër, dy vëllezër, dy motra, dy vëllezër e një motër, dy motra e një vëlla, etj, të gjithë nga nëna.

4:13Page 79

تِلۡكَ حُدُودُ ٱللَّهِۚ وَمَن يُطِعِ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ يُدۡخِلۡهُ جَنَّٰتٖ تَجۡرِي مِن تَحۡتِهَا ٱلۡأَنۡهَٰرُ خَٰلِدِينَ فِيهَاۚ وَذَٰلِكَ ٱلۡفَوۡزُ ٱلۡعَظِيمُ ١٣

These are the limits [set by] Allāh, and whoever obeys Allāh and His Messenger will be admitted by Him to gardens [in Paradise] under which rivers flow, abiding eternally therein; and that is the great attainment.

Këta janë kufijtë që ka vënë Allahu. -Pra, dispozitat e mësipërme të trashëgimisë janë kufijtë e vendosur nga Zoti, të cilët nuk duhet t’i shkelim, por duhet t’i zbatojmë me korrektësi. Nuk lejohet shkelja apo tjetërsimi i tyre. Ky ajet dëshmon, gjithashtu, që trashëgimtarët nuk mund të përfitojnë edhe nga (vasijeti) porosia e veçantë e të ndjerit, sepse do të konsiderohej si kalim i kufijve të vendosur nga Allahu i Lartësuar në përcaktimin e pjesës së secilit prej trashëgimtarëve. Këtë e përforcon edhe thënia e Profetit (a.s.): “Nuk ka porosi të veçantë (vasijet) për trashëgimtarët e përcaktuar”. Pra, nuk lejohet që ai i cili ka pjesë në trashëgimi të përfitojë edhe nga (vasijeti / testamenti) porosia e veçantë e të ndjerit. Më pas, Allahu i Lartësuar urdhëron për bindje ndaj Tij dhe ndaj të Dërguarit të Tij, ku përfshihet edhe bindja për dispozitat e trashëgimisë, duke e përforcuar mirë këtë porosi. I Lartësuari thotë:Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij... -Bindja ndaj Allahut të Lartësuar dhe Profetit (a.s.) ka format e saj se si duhet të shprehet. Më e pakta është zbatimi i urdhrave dhe largimi prej ndalesave të Tij. Urdhri më i rëndësishëm është njësimi i Zotit në adhurim, dhe pastaj vijnë të tjerët. Ndalesa më e madhe së cilës duhet t’i largohemi është idhujtaria, pra, përkushtimi i adhurimeve dikujt tjetër, veç Allahut të Lartësuar. Pastaj vijnë gjynahet e niveleve të tjera. Si urdhrat, ashtu edhe ndalesat, Allahu i Lartësuar ua ka sqaruar krijesave plotësisht nëpërmjet Kur’ânit dhe Traditës së Profetit të Tij. Detyra e robit është që, fillimisht, t’i njohë ato dhe ta lusë Zotin që ta ndihmojë në zbatimin dhe qëndrimin brenda tyre. Atë që Zoti e ka begatuar me këtë dituri dhe e udhëzon që të punojë me të, ai është në rrugë të mbarë dhe atë e pret një premtim madhështor, siç thotë i Lartësuari:do të hyjnë në kopshte, nëpër të cilët rrejdhin lumenj e ku do të jenë përgjithmonë. -Ai që kryen urdhëresat e Zotit me sinqeritet, sipas porosive të Tij, dhe që i largohet harameve, patjetër që do të hyjë në Xhenet dhe do të jetë i shpëtuar nga Zjarri. Pikërisht ai e ka arritur suksesin e madh, siç thotë i Lartësuari:Ky është suksesi më i madh. -Suksesi i madh është kur ke shpëtuar nga zemërimi e ndëshkimi i Allahut dhe kur je i lumtur në bujarinë dhe kënaqësinë e Allahut, në Xhenetin e mirësisë, që Ai e ka përgatitur për besimtarët e Tij të bindur dhe që asnjë krijesë nuk mund ta përshkruajë ashtu si është në realitet.

4:14Page 79

وَمَن يَعۡصِ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ وَيَتَعَدَّ حُدُودَهُۥ يُدۡخِلۡهُ نَارًا خَٰلِدٗا فِيهَا وَلَهُۥ عَذَابٞ مُّهِينٞ ١٤

And whoever disobeys Allāh and His Messenger and transgresses His limits - He will put him into the Fire to abide eternally therein, and he will have a humiliating punishment.

Ndërsa ata që e kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i shkelin kufijtë e Tij, do të futen në Zjarr, ku do të jenë përjetësisht. Për ta është përgatitur një dënim poshtërues. -Te “kundërshtimi” përfshihen gjynahet më të mëdha, që janë kufri dhe idhujtaria, duke vazhduar pastaj me gjynahet e tjera. Megjithatë, hauarixh-ët nuk mund të përdorin vetëm këtë ajet si mbështetës të tezës së tyre të gabuar se çdokush që “kundërshton” ka bërë kufër dhe meriton përjetësinë në Xhehenem. Arsyeja është se fjala “mea’sije” (kundërshtim ose mosbindje) përdoret jo vetëm për kufrin, por edhe për gjynahet poshtë tij. Kur Allahu i Lartësuar thotë se ata që bëjnë “mea’ŝije” do të jenë në Zjarr përjetësisht, kjo nuk duhet kuptuar se çdo lloj mea’ŝije e meriton këtë ndëshkim. Kjo thënie është e përgjithshme dhe duhet parë bashkë me të gjitha tekstet e tjera të Sheriatit, për të dhënë një gjykim të drejtë mbi të. Allahu i Lartësuar e ka lidhur ngushtë futjen në Xhenet me bindjen ndaj Tij dhe ndaj Profetit të Tij, ndërsa futjen në Zjarr e ka lidhur ngushtë me kundërshtimin e mosbindjen ndaj Tij dhe ndaj Profetit të Tij. Ata që i binden Zotit plotësisht do të hyjnë në Xhenet dhe kurrë nuk do të ndëshkohen në Zjarr. Ndërsa ata që nuk i binden aspak Allahut dhe Profetit, por që bëjnë idhujtari, kufër dhe gjynahe të tjera, ata do të hyjnë në Zjarr dhe atje do të jenë përjetësisht. Ndërsa ata që tregojnë edhe bindje ndaj Zotit e Profetit, edhe mosbindje ndonjëherë, atëherë sipas shkallës së bindjes apo mosbindjes, do të shpërblehen apo do të ndëshkohen. Tekstet e sakta të Sheriatit tregojnë se ata që e njësojnë Allahun e Lartësuar dhe nuk bëjnë idhujtari, ata kurrsesi nuk do të qëndrojnë përjetësisht në Zjarr, çfarëdo gjynahu poshtë kufrit dhe idhujtarisë të kenë bërë. Monoteizmi i tyre nuk e lejon përjetësinë në zjarrin e Xhehenemit. Kështu duhen trajtuar tekstet e Sheriatit, të cilët duhen parë gjithmonë nën dritën e njëri-tjetrit.

Text: Quranic Universal Library (Tarteel), via spa5k/tafsir_api (MIT), at a fixed version. The ayahs: Quran Foundation. Sources and licences

Contents

Ayat al-Kursi36Al-Kahfpage 42juz 15Bukhari 1Muslim 2999

Style

Theme
Text size
Layout

Читать на русском