As-Sa'di · Tafsir · in Albanian
At-Tawbah 9:26–29
9:26Page 190
ثُمَّ أَنزَلَ ٱللَّهُ سَكِينَتَهُۥ عَلَىٰ رَسُولِهِۦ وَعَلَى ٱلۡمُؤۡمِنِينَ وَأَنزَلَ جُنُودٗا لَّمۡ تَرَوۡهَا وَعَذَّبَ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْۚ وَذَٰلِكَ جَزَآءُ ٱلۡكَٰفِرِينَ ٢٦
Then Allāh sent down His tranquility upon His Messenger and upon the believers and sent down soldiers [i.e., angels] whom you did not see and punished those who disbelieved. And that is the recompense of the disbelievers.
Por Allahu zbriti qetësinë Tij mbi të Dërguarin dhe mbi besimtarët. -‘Es-sekinetu’ (qetësia) është një ndjenjë e dashur, që Allahu e zbret në zemrat e njerëzve në kohë sprove e tronditjesh të mëdha. Kjo i bën njerëzit të gjejnë qetësinë e nevojshme dhe të rimarrin forcat me gjallëri. Kjo është nga mirësitë më të mëdha që Zoti u dhuron robërve të Tij. Përveç këtij ushtari kaq të veçantë, që quhet “Es-sekine”, Allahu i Madhëruar dërgoi edhe:Ai zbriti një ushtri(melekësh), që ju nuk e patë,... -Madhëruari zbriti një ushtri melekësh, si ndihmë për besimtarët. Kështu, Ai u dha forcë e shpresë për fitore....dhe i dënoi jobesimtarët. -dënoi duke i mposhtur e shfarosur në fushëbetejë, por edhe duke bërë që pasuritë, gratë dhe fëmijët e tyre të ishin në dorë të muslimanëve.Ky qe “shpërblimi” i mohuesve. -Allahu i Madhëruar i ndëshkoi ata që në këtë jetë, por ndëshkimi i ahiretit është shumë më i rëndë dhe i përjetshëm. Megjithatë, për ata që pendohen, i Madhërishmi është Falës i Madh dhe Pranues i pendimit:Beteja e Hunejnit. Kjo quhet ndryshe edhe beteja e Eutasit. Hunejni dhe Eutasi janë dy vende mes Mekës dhe Taifit, prandaj beteja mori emrin e vendit ku ajo u zhvillua. Ajo quhet ndryshe edhe lufta e Havazinasve, sipas emrit të popullit që u ngrit kundër Profetit (s.a.u.s.).Ibn Ishaku thotë: “Havazinasit, kur dëgjuan për Profetin (s.a.u.s.) dhe suksesin e madh që Allahu i Lartësuar i dhuroi atij për çlirimin e Mekës, filluan të mobilizonin gjithçka për një luftë kundërtij. Prej fiseve të Hauazinit, ushtrisë iu bashkëngjit i gjithë Thekifi, Mudari dhe Xhusheru. Gjithashtu me ta u bashkuan edhe fisi i Sad Ibn Bekrit dhe njerëz prej fisit Benu Hilal, por ata ishin të pakët në numër. Nga fisi i Kajs Ajlanit nuk morën pjesë veçse këta të fundit. Ndërsa nga havazinasit nuk mori pjesë Keabi dhe as fisi i Kilabëve. Mes fisit të Xhushamit ishte edhe një plak i shtyrë shumë në moshë. Por ai nuk kishte në dorë gjë tjetër përveç gjykimin e tij dhe përvojës luftarake. Kishte qenë trim, i guximshëm dhe i sprovuar në beteja. Ndërsa mes pjesëmarrësve nga Thekifi ishin edhe dy prijësa të tyre. Në krye të aleatëve ishte Karib Ibn Esuedi dhe në krye të fisit Benu Malik ishte edhe Subej Ibn Harithi dhe i vëllai Ahmer Ibn Harith. Në krye të të gjithë ushtrisë qëndronte Malik Ibn Auf Nasriju, i cili urdhëroi që në fillim të marshimit që të gjithë luftëtarët të merrnin me vete pasuritë, gratë dhe fëmijët e tyre. Kur mbërritën në Eutas, njerëzit u grumbulluan rreth tij. Mes tyre ishte edhe Durajd Ibn Simehi, i cili zbriti dhe pyeti:- Në ç’luginë jemi këtu?- Në Eutas.- Vend i mirë për kuajt. As shkëmb i thepisur dhe as fushë fort e butë. Ç’janë këta zëra që po dëgjoj? Zëra deveje, pëllitje gomarësh, të qara fëmijësh dhe blegërima delesh?- Malik Ibn Aufi urdhëroi që të merrnim gjithçka me vete: gratë, fëmijët, pasuritë, - i thanë.- Ku është Maliku?- Ja atje, – i tha.- O Malik, – iu drejtua ai, – ti je sot udhëheqësi i këtij populli. Pas kësaj dite do të vijnë edhe ditë të tjera. Çfarë janë këta zëra që dëgjohen? Ç’janë këta zëra deveje, pëllitje gomarësh, të qara fëmijësh dhe blegërima delesh?! – e pyeti.- Urdhërova unë që ata të merrnin me vete fëmijët, gratë dhe pasuritë e tyre – u përgjigj ai.- Po pse?- Mendova se, duke u shoqëruar çdo luftëtar me familjen dhe pasurinë e tij, ai do të luftojë më fort për mbrojtjen e tyre.- Pasha Allahun, ti je bari delesh! E çfarë mund ta kthejë pas të mundurin në betejë?! Për të arritur fitoren, të hyjnë në punë veçse burrat me shpatë. Por nëse mundesh, ke për t’u shkatërruar me familje dhe pasuri.Pastaj Duejdi tha:- Po fisi i Keabit dhe Kulabit?- Ata nuk morën pjesë në betejë.- Atëherë, në këtë betejë munguakan trimat këmbëngulës. Nëse do të ishte ditë fitoreje, ata nuk do të mungonin. Do të dëshiroja shumë që edhe ju të vepronit ashtu fisi i Keabi dhe Kulabët. Kush merr pjesë ndër ju?- Amër Ibn Amiri dhe Auf Ibn Amiri.- Ata janë dy trungje të Amirit, që nuk sjellin as dëm, as dobi. Më pas tha: O Malik, duke marrë bashkë me ushtrinë gratë, fëmijët dhe pasuritë e Hauazinit, nuk ke gjë në vijë. Largoji ata në një vend të sigurt, diku mes popullit tënd, dhe pastaj nisu të përballësh armikun. Nisuni të armatosur e mbi kuaj. Nëse fitoni, le të vijnë edhe të tjerët që ke lënë pas, e nëse jo, të paktën ke shpëtuar familjen dhe pasurinë tënde.- Maliku ia ktheu: Për Zotin, nuk bëj unë ashtu si thua ti. Ti dhe mendja jote janë plakur shumë. O fiset e Hauazinit! Ose do të më bindeni mua, ose do të hidhem mbi këtë shpatë dhe të më dalë në shpinën time.- Të bindemi ty, o Malik! – u përgjigjën ata.- Atëherë Durejdi tha: Nuk jam dëshmitar i kësaj dite, edhe pse jam i pranishëm.Ah, i mjeri unë, të qeshë djalë, të luftoja,Me vrull e mbi kalë të ikja fluturim,Krifë-bukurin krenar me frerë ta drejtoja,Majtas e djathtas, i ashpër në luftim.Maliku iu drejtua ushtrisë: “Kur t’i shihni, thyejini këllëfët e shpatave tuaja dhe lëshohuni si një grusht i vetëm!” Ai dërgoi zbuluesit e vet të kontrollonin zonën. Por, ata u kthyen të këputur nga frika dhe lemeria e madhe. Ai u tha: “Të mjerët ju! Çfarë ju ndodhi?” – “Pamë burra të bardhë mbi kuaj pullali. Vallahi, siç e sheh, u tmerruam aq shume, sa që nuk e mbajtëm dot veten”. Por, – për Allah! – edhe kjo nuk e ktheu mbrapsht Malikun nga drejtimi që kishte marrë.Kur dëgjoi për ta, Profeti (s.a.u.s.) dërgoi zbuluesin e tij Abdullah Ibn Hadrade el Eslemi, duke e urdhëruar që të hynte në kampin e tyre dhe të merrte informacione. Dhe ai ashtu bëri: hyri mes tyre dhe mori informacionet që dëshironte. Ai mësoi përse ishin mbledhur dhe për planet e tyre për luftë kundër Profetit (s.a.u.s.) Pastaj u kthye te Profeti (s.a.u.s.) dhe ia përcolli të gjitha ç’kishte dëgjuar. Atëherë, Profeti (s.a.u.s.) vendosi të nisej drejt havazinasve. Atij i kishin thënë se Safuani Ibn Umeje kishte plot parzmore dhe armë, prandaj dërgoi dikë që ta thërriste. Në atë kohë Safuani ishte idhujtar. Kur u paraqit, Profeti (s.au.s) i tha: “O Ebu Umeje! Na jep hua armët e tua, sepse na duhen të luftojmë armikun tonë.” Safuani pyeti: “A po m’i rrëmben me forcë ato, o Muhamed?” Profeti (s.a.u.s.) iu përgjigj: “Jo! Po t’i kërkoj hua, për t’i përdorur, duke marr përsipër dëmshpërblimin e plotë, në rast të ndonjë dëmtimi a humbjeje derisa të t’i kthej.” Kur pa këtë përgjigje, Safuani tha: “Mirë! Pse jo?!” Dhe, vërtet, ai dha 100 gjoksore bashkë me armët që shoqërohen me to. Madje disa përmendin se Profeti (s.a.u.s.) i kërkoi atij që të merrte përsipër edhe transportin e armëve, dhe ai e bëri. Më tej, Profeti (s.a.u.s.) u nis bashkë me 2000 luftëtarë mekas dhe 10000 medinas, që kishin shkuar me të për të çliruar Mekën; pra ishin 12000 luftëtarë gjithsej. Si mëkëmbës në Mekë, u emërua Attab Ibn Usejdi.Ibn Ishaku thotë: “Më ka treguar Asim Ibn Omer Ibn Katade, që përcjell prej Abdurahman Ibn Xhabirit, ky prej babait të tij Xhabir Ibn Abdilahi, i cili tregon: “Kur mbëritëm në luginën e Hunejnit, filluam të zbresim në tatpjetën e saj. Kështu, u varëm me shpejtësi teposhtë në njërën prej luginave të Tihame-s. Por ushtria armike, që kishte mbëritur atje para nesh, na kishin zënë pusi në qafat, shtigjet, kthesat, ngushticat dhe rrugicat e luginës. Ata kishin ngitur kurthin dhe ishin përgatitur mirë me një plan të hollësishëm. Ata ishin të gatshëm të na sulmonin. Kështu, në muzgun e agimit, ndërkohë që ne po zbrisnim, befas skuadrat e ushtrake të armikut na mësyjnë njëherësh. Njerëzit tanë filluan t'ia mbathnin pa e kthyer më kokën pas. Asnjëri nuk e kthente kokën tek tjetri dhe as nuk pyeste për të. Në këtë situatë, Profeti (s.a.u.s.) mori anën e djathtë të luginës dhe pastaj thirri me zë të lartë: “O njerëz! Ku po shkoni?! Ejani tek unë! Unë jam Profeti i Allahut! Unë jam Muhamed Ibn Abdullahi!” Me Profetin (s.a.u.s.) mbetën vetëm një grup muhaxhirësh, ensarësh dhe farefisi i tij. Prej muhaxhirëve që mbetën me të ishin Ebu Bekri dhe Omeri, ndërsa nga familja e tij ishin Aliu, Abasi, Ebu Sufjan Ibn Harithi dhe i biri, ishin El Fadl Ibn Abasi, Rabia Ibn Harithi, Usame Ibn Zejdi dhe Ejman Ibn Umi Ejmani. Ky i fundit u vra atë ditë. Një burrë nga Hauazini qëndronte hipur mbi një deve të kuqe dhe në duar mbante një flamur të zi, të lidhur në majën e një heshte të gjatë. Ai ecte përpara havazinasve, kurse të tjerët qëndronin pas tij. Këdo që e arrinte, e shponte me heshtë; kur i shpëtonin, ai u ngrinteflamurin me dorë të tjerëve pas tij, që të përparonin. Në një situatë të tillë, drejt tij lëshohet Ali Ibn Ebu Talibi dhe një ensar për ta vrarë. Aliu i shkon nga pas dhe ia pret nyjet e këmbëve devesë së tij, e cila rrëzohet përdhe. Atëherë mbi të lëshohet ensari, që i jep një goditje dhe ia fluturon këmbën që nga mesi i kërcirit. Havazinasi bie nga deveja në tokë. Që këtu filloi dueli me shpata. Dhe, vallahi, kur u kthyen ata që u larguan nga fushëbeteja, gjetën robërit e luftës pranë Profetit (s.a.u.s.)…”.” Përsëri Ibn Is'haku thotë: “Kur muslimanët po pësonin humbje fillimisht, disa të pagdhendur të mekasve që merrnin pjesë në atë betejë me Profetin (s.a.u.s.), filluan të shfrejnë mllefin brenda gjoksit të tyre. Kështu, Ebu Sufjan Ibn Harbi tha: “Ata nuk do të ndalen nga kjo thyerje pa arritur në bregun e detit”. Ai i kishte shigjetat e fallit me vete në trastë. Kurse Xhebeletu Ibn Hanbeli, – ose sikurse thotë Ibn Hishami: Keledetu Ibn Hanbeli, – tha: “Sot u prish magjia që ai ka bërë …”. Safuani, vëllai i tij nga nëna, i cili në atë kohë ishte ende idhujtar i bërtiti: “Hesht, o t’u thaftë goja! Për Zotin, unë parapëlqej më tepër që të udhëhiqem nga një kurejsh, sesa të udhëhiqem nga një havazinas!”.”Ibn Sadi përcjell prej Shejbe Ibn Othman el Haxhebit rrëfimin e tij: “Ditën e çlirimit, Profeti (s.a.u.s.) hyri në Mekë me forcë. Unë thashë me vete: ‘Do të shkoj me kurejshët në Hunejn. Ndoshta gjatë luftës do të më krijohet mundësia që ta vras Muhamedin pabesisht, duke u bërë unë ai që do të marrë hakun e të gjithë kurejshëve”. Në atë kohë isha shumë i vendosur, saqë gjithmonë thoja me vete: “Sikur të mos mbetej asnjë arab dhe joarab pa e pasuar Muhamedin, unë kurrë nuk do të bëhesha pasues i tij”. Unë rrija i gatshëm, në pritë, sa të më jepej mundësia. Çdo moment që kalonte më shtonte urrejtjen dhe dëshirën për ta vrarë. Kështu, kur filloi beteja (në Hunejn) dhe njerëzit filluan të përzihen, Profeti (s.a.u.s.) u hodh nga mushka dhe hoqi shpatën nga këllëfi për sulm. Unë iu afrova, të plotësoja atë vepër që aq me zjarr e prisja. E ngrita shpatën dhe gati sa nuk e lëshova mbi të, por në çast mu shfaq një valë zjarri, e fortë si vetëtima, e cila gati sa s’më dogji. Ngrita duart të mbuloja sytë, nga frika prej verbimit. Në këtë moment, Profetit (s.a.u.s.) hodhi vështrimin drejt meje dhe më thirri: “O Shejbu, afrohu pranë meje!” Unë iu afrova pranë, ndërsa ai e vendosi dorën e tij mbi gjoksin tim, e pastaj u lut: “OAllah! Ruaje atë prej shejtanit!” Betohem në Allahun se, që në atë moment, ai u bë njeriu më i dashur për mua. E desha më shumë edhe se dëgjimi, shikimi dhe jeta ime. Allahu i Lartësuar ma largoi atë që ndodhej në gjoksin tim. Pastaj ai më tha: “Afrohu dhe lufto!” Unë dola para tij dhe po kosisja me shpatën time këdo që më dilte përpara. Allahu është dëshmitar që unë isha gati të vetëflijohesha për ta mbrojtur Profetin prej çdo gjëje. Në ato momente, edhe sikur të dilte përpara im atë, do ta godisja me shpatë. Unë i qëndrova pranë bashkë me të tjerët që i qëndruan pranë derisa u kthyen muslimanët dhe iu vërsulën tok armikut. Dikush i afroi mushkën Profetit (s.a.u.s.) dhe ai i hipi. Profeti i ndoqi pas armiqtë gjerësa u shpërndanë në çdo anë dhe ia mbathën. Pastaj ai u kthye në kamp dhe hyri në çadrën e vet. Atje nuk hyri tjetërkush veç meje, dhe kjo nga dashuria për të, nga dëshira e madhe që kisha për ta kundruar dhe gëzimi që më sillte qëndrimi pranë tij. Ai më tha: “O Shejbu! Ajo që Allahu deshi për ty ishte më e mirë sesa ajo që ti doje për veten tënde.” Pastaj filloi të më tregonte imtësisht gjithçka që kisha menduar unë fshehtas, në veten time. Më tregoi gjithë çfarë kisha menduar dhe që nuk ia kisha treguar kurrë askujt. Pastaj unë i thashë: “Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, dhe se ti je i dërguari i Allahut! Kërkoji Allahut falje për mua.” Ai tha: “Allahu të faltë!”.”Ibn Ishaku thotë: “Më ka treguar Zubejri, që transmeton prej Kuthejr Ibn Abasit, ky nga i ati, El Abas Ibn Abdil Mutalibi, se ka rrëfyer: "Unë isha pranë Profetit (s.a.u.s.) dhe mbaja fort frerët e mushkës së tij të bardhë. Unë isha trupmadh dhe kisha zë kumbues. Profeti (s.a.u.s.), kur pa muslimanët që po largoheshin, tha: “Ku shkoni, o njerëz?” Por unë pashë se askush nuk e ktheu kokën pas. Atëherë, ai më tha: “O Abas! Thirr fort, me zë të lartë: “O ensarë! O ju që dhatë besën poshtë pemës!”” Atëherë ata u përgjigjën: “Si urdhëron, si urdhëron!” Veç t’i shihje se si vraponin drejt Profetit (s.a.u.s.)! Kur mundoheshin të frenonin dhe të kthenin devetë apo kuajt e tyre drejt Profetit (s.a.u.s.) dhe e shihnin të pamundur, hidhnin gjoksoret në qafë, merrnin shpatën, harkun dhe mburojën, kërcenin prej kafshëve, i lëshonin të iknin dhe vinin me shpejtësi drejt zërit derisa mbërrinin tek Profeti (s.a.u.s.). Pasi u grumbulluan rreth 100 vetë, filloi një luftë e ashpër. Në fillim të betejës, refreni që dëgjohej ishte “Përpara, o ensarë!” Pastaj, nga fundi i saj, dëgjohej “Përpara, o Hazrexh!”. Ata ishin shumë të ashpër dhe të qëndrueshëm në betejë. Profeti hipi mbi kafshën e tij dhe, kur pa njerëzit duke u përleshur shumë ashpër me shpata, tha: “Tani u ndez beteja!”.” Disa shtojnë se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë gjithashtu: “Unë jam Profet, dhe jo mashtrues! Unë jam i biri i Abdul Mutalibit!” Ndërsa në ‘Sahih’-un e Muslimit thuhet se Profeti (s.a.u.s.) mori në dorë një grusht guralecësh, gjuajti me ta në drejtim të armikut, dhe pastaj tha: “U mundën, pasha Zotin e Muhamedit!” Dhe menjëherë pas goditjes, fillova të shoh se ata po dobësoheshin dhe po shpartalloheshin. Ndërsa në një transmetim tjetër, po tek Muslimi, thuhet se Profeti (s.a.u.s.) zbriti nga mushka e tij, mori një grusht dheu dhe e flaku në drejtim të tyre, duke thënë: “Të shëmtuara qofshin fytyrat tuaja!” Gjithësecilit prej tyre iu mbushën sytë prej atij dheri dhe, dhe nisën t’ia mbathin. Ibn Ishaku sjell rrëfimin e Xhubejr Ibn Mutaimit, që ka thënë: “Përpara se të mposhteshin armiqtë, ndërkohë që beteja në Hunejn ishte e ndezur fort, unë pashë diçka si një petk i zi, që po zbriste nga qielli dhe që ra mes nesh dhe armikut. Kur shoh mirë, dallova se ato ishin milingona të zeza, që tashmë ishin përhapur dhe kishin mbuluar luginën. Nuk vonoi shumë, e armiku u thye. Unë nuk dyshova aspak se ata ishin melekët.” Ibn Ishaku thotë: “Idhujtarët, pas humbjes që pësuan, u nisën për në Taif. Së bashku me ta ishte edhe Malik Ibn Aufi. Një pjesë e tyre e ngritën kampin ushtarak në Eutas, ndërsa të tjerët shkuan drejt Nahles. Profeti (s.a.u.s.) dërgoi në ndjekje të atyre që u qëndruan në Eutas Ebu Amir el Eshariun. Kur Ebu Amiri i zuri, ata filluan të shigjetonin muslimansët prej së largu dhe një shigjet gjuhet në drejtim të Ebu Amirit dhe e vret. Pas tij, flamurin e mori djali i vëllait të tij, Ebu Musa el Eshariu, i cili i lufoi armiqtë. Allahu i Lartësuar ia mundësoi t’i shpartallonte. Mes idhujtarëve të vrarë ishte edhe vrasësi i Ebu Amirit. Pas ngjarjes, Profeti (s.a.u.s.) u lut: “O Allah, fale Ubejd Ebu Amirin dhe familjen e tij dhe lartësoje atë Ditën e Gjykimit në gradë të lartë, mbi shumë prej krijesave të Tua!”. Ai kërkoi falje gjithashtu edhe për Ebu Musa el Eshariun.” Malik Ibn Aufi vazhdoi rrugën, derisa u strehua në kështjellat e Thekifit. Profeti (s.a.u.s.) urdhëroi që të grumbulloheshin të gjithë robërit, robëreshat dhe plaçka e luftës dhe të dërgoheshin në El Xhiranete. Numri i robërve dhe robëreshave ishte rreth 6.000. Pati 24.000 kokë deve dhe mbi 40.000 kokë dele të kapura. Ndër pasuritë e fituara ishin edhe 4.000 ukije argjend.Profeti (s.a.u.s.) i priti ata, se ndoshta vinin të dorëzuar si muslimanë, për mbi 10 ditë e net. Pastaj filloi të shpërndajë plaçkën e luftës. Të parëve u dha atyre që kërkonte t’u fitonte zemrat për përqafimin ose forcimin e Islamit. Ebu Sufjan Ibn Harbit i dha 40 ukije argjend dhe 100 deve. Ebu Sufjani tha: “Po djalit im, Jezidit?” – “Jepini edhe atij 40 ukije argjend dhe 100 deve!” – tha Profeti (s.a.u.s.). Por Ebu Sufjani tha përsëri: “Po djalit tim, Muavijes?” – “Jepini edhe atij 40 ukije argjend dhe 100 deve!” – urdhëroi Profeti (s.a.u.s.). Edhe Hakim Ibn Hizamit iu dhanë 100 deve. Ky kërkoi edhe 100 të tjera, dhe Profeti (s.a.u.s.) i dha edhe 100 të tjera. Ai i dha gjithashtu Nadir Ibn Harith Ibn Katades 100 deve, Ata Ibn Harithe el Thekafiut 50 deve. Kështu morën edhe disa të tjerë nga 100 deve ose 50 deve. Pas këtyre, Profeti (s.a.u.s.) i dha Abas Ibn Mirdasit 40 deve, por Abasi, nëpërmjet një vjershe, shprehu dëshirën për më shumë, dhe Profeti (s.a.u.s.) ia plotësoi numrin me 100 deve.Më tej, Zejd Ibn Thabiti u urdhërua që të llogariste të tërë plaçkën e luftës dhe njerëzit që do t’i merrnin. Pas llogaritjes Profeti (s.a.u.s.) ua shpërndau, duke i dhënë çdo këmbësor 4 deve dhe 40 bagëti të imëta, ndërsa çdo kalorësi 12 deve dhe 120 bagëti të imëta. Ibn Ishaku tregon: “Më ka treguar Asim Ibn Omer Ibn Katade, që përcjell prej Mahmud Ibn Lebidit, ky prej Ebu Seid el Hudriut, se: “Kur Profeti (s.a.u.s.) shpërndau ato pasuritë e mëdha disa kurejshëve dhe krerëve të disa fiseve arabe dhe ensarët nuk morën asgjë prej tyre, diçka filloi të vërtitej në zemrat e ensarëve. Ata u mërzitën dhe nisën të flisnin me njëri-tjetrin, krejt të turbulluar. Dikush thoshte: “Për Zotin, Profeti (s.a.u.s.) tani u takua me popullin e tij”, e të tjera fjalë si këto. Atëherë Sad Ibn Ubade shkoi tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ensarët se ç’ndiejnë në zemër, pas ndarjes së plaçkës së luftës! Vërtet, disave prej popullit tënd dhe disa krerëve të fiseve arabe iu bëre dhurata të mëdha prej plaçkës së luftës, ndërsa asnjëri prej ensarëve nuk ka marrë dhuratë të tillë…”.Profeti (s.a.u.s.) i tha Sadit: “Po ti vetë, o Sad, çfarë mendon?” – “Edhe unë jam pjesëtar i popullit tim, o i Dërguari i Allahut…”. Atëherë, Profeti (s.a.u.s.) tha: “Shko e mblidhe popullin tënd këtu, në këtë vend të rrethuar!” Me ta erdhën edhe një grup muxhahirësh, të cilët u lejuan të qëndronin. Më pas u afruan edhe të tjerë, por ata u ndaluan. Kur u grumbulluan të gjithë, Sadi njoftoi Profetin (s.a.u.s.) dhe ai erdhi. Pasi falënderoi Allahun e Lartësuar dhe e lavdëroi ashtu si e meriton i Madhërishmi, ai (s.a.u.s.) tha: – “O ensarë! Çfarë janë ato fjalë që kam dëgjuar prej jush? Ç’janë ato ndjenja mërzitje që vërtiten në zemrat tuaja?! Kur erdha unë tek ju, a nuk ishit ju të humbur nga Rruga e Drejtë dhe Allahu i Lartësuar ju udhëzoi nëpërmjet meje! A nuk ishit ju të varfër dhe Allahu ju pasuroi me mua? A nuk ishit ju armiq të njëri-tjetrit dhe Allahu ju bashkoi zemrat nëpërmjet meje?” – “Bamirësia e Allahut dhe e Profetit të Tij mbi ne është e madhe dhe meriton mirënjohje”, – thanë njerëzit. Pastaj tha: “A nuk po më përgjigjeni, o ensarë?” – “E çfarë përgjigje të të japim, o i Dërguari i Allahut! Pa dyshim, bamirësia e Allahut dhe e Profetit të Tij mbi ne është e madhe dhe meriton mirënjohje.” Profeti (s.a.u.s.) vijoi: “E pra, vallahi! Ju mund të thoni diçka që është shumë e vërtetë, dhe të gjithë do t’ju besonin. Ju mund të thoni: “Ti erdhe tek ne i mohuar nga të tjerët dhe ne të besuam, erdhe i tradhtuar nga të gjithë dhe ne të mbështetëm e të ndihmuam, erdhe i dëbuar dhe ne të strehuam, erdhe i varfër dhe ne të përkrahëm me pasuritë tona”. O ensarë! Vërtet menduat dhe ndjetë për mua pakënaqësi, për shkak të atyre palo pasurish që unë u dhurova disa njerëzve për t’u afruar zemrat në Islam?! Ndërsa juve nuk u bëra dhurata të tilla me bindjen se ju keni aq besim të fortë islam sa që nuk keni nevojë për gjëra të tilla. A nuk jeni të kënaqur, o ensarë, që njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre me deve dhe bagëti, ndërsa ju të ktheheni me Profetin e Allahut në vendqëndrimet tuaja?! Betohem në Atë në dorë të të Cilit është shpirti i Muhamedit, se ju po ktheheni në shtëpitë tuaja me diçka më të mirë sesa ajo me të cilën ata do të kthehen në shtëpitë e tyre. Sikur të mos ishte mirësia e hixhretit, unë do të preferoja të isha një prej ensarëve. Nëse njerëzit do të ndiqnin një qafë mali apo luginë, dhe ensarët të ndiqnin një qafë mali apo luginë tjetër, unë do të ndiqja grykën dhe luginën e ensarëve. Ensarët janë miqtë dhe rrethi im i ngushtë, ndërsa njerëzit e tjerë janë më larg. O Allah! Mëshiroji ensarët, fëmijët e ensarëve dhe fëmijët e fëmijëve të ensarëve!”. Ata filluan të qajnë, sa lagën mjekrat e tyre me lot, dhe thanë: “Jemi të kënaqur që Profeti i Allahut të jetë pjesa dhe fati ynë!”. Pastaj Profeti (s.a.u.s.) u largua dhe ata u shpërndanë.” Te Profeti (s.a.u.s.) shkoi edhe Shejma Bintu el Harith Ibn Abdil Uzza, motra nga gjiri e Profetit (s.a.u.s.), e cila tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam motra jote nga gjiri.” – “E çfarë shenje sjell si argument?” – e pyeti Profeti (s.a.u.s.). – “Kam një të kafshuar në kurrizin tim, që ma ke bëre ti i vogël kur unë po të mbaja.” Dhe, vërtet, Profeti (s.a.u.s.) e njohu shenjën. Ai i shtroi asaj mantelin e tij dhe e ftoi të ulej në të. Pastaj i dha mundësi të zgjidhte, duke i thënë: “Nëse dëshiron të qëndrosh me mua, qëndro, dhe do të jesh e dashur dhe e respektuar. Nëse dëshiron të kthehesh te familja jote e unë të të dhuroj pasuri, ashtu vepro, se do të të jap.” Ajo tha: “Atëherë, më jep pasuri dhe më lër që të rri me familjen time.” Fisi i Benu Sadit thonë se asaj iu dha një shërbëtor dhe shërbëtore, të cilët i martoi me njëri-tjetrin. Djali quhej Mekhul. Ata patën shumë pasardhës në këtë fis, deri shumë vonë. Ebu Omeri tregon se ajo pranoi Islamin dhe se Profeti (s.a.u.s.) i dhuroi asaj tre robër, një shërbyese, si dhe mjaft deve e bagëti. Ai e quajti atë Hudhafe, ndërsa Shejma qe llagapi i saj.
9:27Page 191
ثُمَّ يَتُوبُ ٱللَّهُ مِنۢ بَعۡدِ ذَٰلِكَ عَلَىٰ مَن يَشَآءُۗ وَٱللَّهُ غَفُورٞ رَّحِيمٞ ٢٧
Then Allāh will accept repentance after that for whom He wills; and Allāh is Forgiving and Merciful.
Pas kësaj, Allahu ia pranon pendimin atij që do. -Allahu i Madhëruar pranoi pendimin e shumë prej atyre që shkuan tek Profeti dhe pranuan Islamin. Për këtë arsye Profeti urdhëroi që këtyre t’u ktheheshin pasuritë, gratë dhe fëmijët e tyre.Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -Falja e Tij është e gjerë dhe mëshira e Tij është gjithëpërfshirëse. Allahu ua fal të penduarve edhe gjynahet më të mëdha. Pa dyshim, është mëshira e Allahut që u mundëson atyre të pendohen dhe të binden. Me mëshirën e Tij, Ai i fal dhe mbulon krimet dhe gabimet e tyre dhe ua pranon pendimin. Askush nuk duhet të humbasë shpresën nga falja dhe mëshira e Zotit, edhe sikur të ketë bërë gjynahet më të mëdha.Delegacioni i havazinasve. Te Profeti (s.a.u.s.) shkoi një delegacion nga Hauazini. Ata ishin 14 burra, të cilët kryesoheshin nga Zubejr Ibn Sardi. Mes tyre ishte edhe Ebu Burkani, xhaxhai i Profetit (s.a.u.s.) nga gjiri. Ata i kërkuan Profetit (s.a.u.s.) që t’u kthente atyre pa shpërblesë robërit dhe pasuritë e tyre të humbura në betejë. Ai (s.a.u.s.) u tha: “Sikurse e shihni, me mua janë këta njerëz, dhe ju e dini shumë mirë se fjala më e dashur për mua është ajo e sinqerta dhe e vërteta. Po ju pyes: Më të dashur për ju janë fëmijët dhe gratë tuaja apo pasuritë tuaja?” Ata thanë: “Ne nuk vëmë asgjë mbi familjet dhe pasardhësit tanë.” – “Atëherë, kur të fal namazin e sabahut, ngrihuni dhe thoni: ‘Ne pondërmjetësojmë me Profetin (s.a.u.s.) te besimtarët dhe me besimtarët te Profeti (s.a.u.s.), që të na i ktheni gratë dhe fëmijët tanë të marrë robër’.” E kështu, pasi fali sabahun, ata u ngritën dhe thanë ato fjalë. Pas kësaj, Profeti (s.a.u.s.) tha: “Për sa u përket atyre që janë në dorën time dhe të fisit të Abdul Mutalibit, të gjitha janë tuajat. Ndërsa për të tjerat, do të pyes njerëzit. Muhaxhirët dhe ensarët thanë: “Çfarë është e jona, po ia lëmë në dorë Profetit (s.a.u.s.).” El Ekra Ibn Habisi tha: “Unë dhe fisi i Benu Temimit nuk i japim ata.” Ujejne Ibn Hisni gjithashtu tha: “Edhe unë e fisi i Fezarate nuk i kthejmë”. Edhe Abas Ibn Mirdasi tha: “Unë dhe Benu Sulejmët nuk i dorëzojmë”. Por fisi i Benu Sulejmit tha: “Çfarë është e jona është në dorë të Profetit (s.a.u.s.)”. Abas Ibn Mirdasi ua ktheu: “Më poshtëruat!” Këtu ndërhyn Profeti (s.a.u.s.) dhe thotë: “Këta njerëz erdhën si muslimanë. Fillimisht unë i prita ata që të vinin, duke i ruajtur robërit, pa i shpërndarë. Unë i vura të zgjedhin: ose të marrin njerëzit dhe pasardhësit e tyre ose të marrin pasuritë, por ata nuk vënë asgjë mbi gratë dhe fëmijët e tyre. Nëse dikush pranon me shpirtmirësi që t’ua kthejë gratë dhe fëmijët, le ta bëjë. Në të kundërt, nëse ndonjëri nuk heq dorë nga haku i tij, përsëri le t’ua kthejë atyre, sepse unë i premtoj atij që, për çdo hise do t’i jap 6 hise të tilla prej plaçkës së parë që Allahu i Lartësuar do të na e sjellë pa luftë.” Njerëzit thanë: “Ne po i dhurojmë me gjithë zemër për Profetin (s.a.u.s.).” Në këtë moment, Profeti tha: “Ne nuk mund të dallojmë kështu se kush është i kënaqur e kush jo, prandaj shkoni tani, dhe le të vijnë të parët tuaj për të raportuar tek unë.” Në këtë mënyrë, atyre ua kthyen mbrapsht gratë dhe fëmijët.” Askush nuk mbajti më prej atyre robërve, veç Ujejne Ibn Hisnit, i cili nuk pranoi që të kthente pas një plakë. Por më vonë, gjithsesi ai e ktheu. Profeti i veshi të gjithë robërit e luftës, një për një. Zadul Mead 3.
9:28Page 191
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ إِنَّمَا ٱلۡمُشۡرِكُونَ نَجَسٞ فَلَا يَقۡرَبُواْ ٱلۡمَسۡجِدَ ٱلۡحَرَامَ بَعۡدَ عَامِهِمۡ هَٰذَاۚ وَإِنۡ خِفۡتُمۡ عَيۡلَةٗ فَسَوۡفَ يُغۡنِيكُمُ ٱللَّهُ مِن فَضۡلِهِۦٓ إِن شَآءَۚ إِنَّ ٱللَّهَ عَلِيمٌ حَكِيمٞ ٢٨
O you who have believed, indeed the polytheists are unclean, so let them not approach al-Masjid al-Ḥarām after this, their [final] year. And if you fear privation, Allāh will enrich you from His bounty if He wills. Indeed, Allāh is Knowing and Wise.
O ju që keni besuar! Idhujtarët janë vërtet të papastër,... -Allahu i Madhëruar i njofton besimtarët se idhujtarët janë të papastër. Ata janë të pisët në besimet e tyre dhe në veprat që kryejnë. E ku ka papastërti më të madhe dhe më të dukshme sesa ajo e atij që adhuron zota të stisur, të cilët nuk mund të sjellin dëm e dobi dhe as nuk mund të ndihmojnë e të të shpëtojnë nga dënimi i Zotit. Ky është besimi i tyre. Ndër veprat e tyre të shëmtuara janë edhe lufta kundër Allahut, pengimi dhe devijimi i njerëzve nga rruga e Allahut, ndihma dhe mbështetja në përhapjen e së kotës, refuzimi dhe urrejtja e të vërtetës. Ata bëjnë çdo punë të keqe, që sjell shkatërrimin e tokës. Kjo është arsyeja që ju duhet të pastroni Shtëpinë e Shenjtë, që është më e pastra dhe më e nderuara Shtëpi në faqen e dheut:...prandaj mos i lini t'i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti! -Ky ishte viti i 9-të pas hixhretit, kur Ebu Bekri, bashkë me disa të tjerë, kreu haxhin. Profeti dërgoi djalin e xhaxhait të tij, Aliun, që të deklaronte distancimin nga çdo marrëveshje me idhujtarët se, pas atij viti, në Shtëpinë e Shenjtë nuk do të bënte më haxh asnjë idhujtar, se askush nuk do të lejohej më që të bënte tavaf rreth Qabes i zhveshur, siç ndodhte në kohën e injorancës.Ky ajet nuk ka për qëllim papastërtinë fizike e trupore të idhujtarëve, por papastërtinë e tyre konceptuale e kuptimore. Mohuesit konsiderohen të pastër nga ana fizike, si të gjithë njerëzit. Argument për këtë është fakti se Allahu i Lartësuar e ka lejuar martesën me gratë e krishtera dhe çifute, ashtu si edhe komunikimin dhe bashkëjetesën me mohuesit. Nuk ka dëshmi që muslimanët t’i kenë trajtuar mohuesit si të pështirë dhe të papastër fizikisht, apo që të kenë urdhëruar që të pastrohemi pasi t’i prekim ata. Përkundrazi, qëllimi është që, ashtu sikundër teuhidi dhe imani janë të pastër dhe pastrues, ashtu edhe shirku është papastërti.Dhe mos kini frikë nga varfëria, sepse Allahu, nëse dëshiron, ju bën të pasur me mirësinë e Tij. -Nëse mendoni se pengimi i idhujtarëve nga Xhamia e Shenjtë do të bëhet shkak që ju të varfëroheni, atëherë dijeni dhe qetësohuni se është Allahu Ai që do t'ju begatojë nga mirësitë dhe bujaria e Tij. Furnizimi ose mirësitë nuk janë të kufizuara që të vijnë veçse nga një drejtim i caktuar. Madje, edhe nëse mbyllet një portë, hapen shumë të tjera, sepse bujaria e Allahut është e madhe dhe e gjerë, ashtu si mëshira e Tij është e pamatë, në mëyrë të veçantë për ata që e lënë diçka për hir të Tij. Le ta dinë dhe të jenë të bindur se Allahu është më Bujari i bujarëve. Dhe vërtet, Allahu i Lartësuar e mbajti dhe e realizoi premtimin e Tij. Ai i pasuroi dhe begatoi shumë muslimanët me bujarinë e Tij. Aq shumë ua shtoi të mirat, sa që ata u bënë sundues të botës. Allahu i Madhëruar thotë: "Nëse Ai dëshiron." Kjo tregon se pasuria në këtë dynja është e lidhur me dëshirën dhe përcaktimin e Allahut. Pasuria nuk është e lidhur domosdoshmërisht me imanin, me kuptimin që sa më të plotë ta kesh imanin, aq më shumë pasuri do të kesh. Gjithashtu, pasuria e madhe nuk tregon domosdoshmërisht se Allahu të do. Allahu i Madhëruar ia jep të mirat e dynjasë atij që Ai e do dhe atij që Ai nuk e do. Por imanin dhe fenë, nga ana tjetër, Allahu ia jep veçse atij që Ai e do dhe e ka përzgjedhur.Allahu është i Gjithëditur dhe i Urtë. -Dituria e Zotit është e gjerë. Ai e di mirë se kujt i jepet pasuria dhe kush nuk është i përshtatshëm për të qenë i pasur. Allahu i vendos gjërat në vendin e vet dhe sipas urtësisë së Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “...mos i lini t'i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti!". Idhujtarët ishin kontrollues të Shtëpisë së Shenjtë deri ditën e çlirimit të Mekës, kur sundimi i takoi Profetit të Zotit dhe besimtarëve. Në këtë kohë, ata u afatizuan 4 muaj që të qëndronin në Mekë. Pastaj, sipas këtij ajeti, ata nuk do të lejoheshin më t’i afroheshin Xhamisë së Shenjtë. Madje, Profeti urdhëroi që ata të dëboheshin krejtësisht nga rajoni i Hixhazit. Dhe me të vërtetë, pas vdekjes së Profetit, ata u dëbuan dhe në Hixhaz nuk kishte më dy fe. E gjitha kjo ishte për fjalën e Allahut të Madhëruar: “...mos i lini t'i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti!".Aliu filloi t'u përcillte njerëzve mesazhin e Profetit a.s. Ai i njoftoi të gjithë se marrëveshja tashmë ishte prishur. Ai tha: “O njerëz! Mohuesit e Zotit nuk kanë për të hyrë në Xhenet. Pas këtij viti, nuk ka për të bërë haxh asnjë idhujtar. Nuk ka për t’u lejuar tavafi rreth Qabes i zhveshur. Çdokujt që ka pakt me Profetin a.s., do t'i plotësohet deri në kohën e përcaktuar.”.” El Humejdi thotë: “Na ka treguar Sufjani, se i ka rrëfyer Zejd Ibn Jutheju: “Ne e kemi pyetur Aliun: “Për çfarë u dërgove në atë haxh?” Ai tha: “Unë u dërgova për të përcjellë katër çështje: (1) Në Xhenet do të hyjë veçse shpirti besimtar; (2) nuk do të lejohej më tavafi rreth Qabes i zhveshur; (3) në Xhaminë e Shenjtë nuk do të lejoheshin më të bashkoheshin besimtarët dhe qafirët, pas atij viti; (4) dhe çdokujt që kishte marrëveshje me Profetin a.s., do t'i respektohej ajo deri në afatin e caktuar, ndërsa për ata që nuk kishin marrëveshje me Profetin, afati i tyre do të ishte katër muaj.”
9:29Page 191
قَٰتِلُواْ ٱلَّذِينَ لَا يُؤۡمِنُونَ بِٱللَّهِ وَلَا بِٱلۡيَوۡمِ ٱلۡأٓخِرِ وَلَا يُحَرِّمُونَ مَا حَرَّمَ ٱللَّهُ وَرَسُولُهُۥ وَلَا يَدِينُونَ دِينَ ٱلۡحَقِّ مِنَ ٱلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلۡكِتَٰبَ حَتَّىٰ يُعۡطُواْ ٱلۡجِزۡيَةَ عَن يَدٖ وَهُمۡ صَٰغِرُونَ ٢٩
Fight against those who do not believe in Allāh or in the Last Day and who do not consider unlawful what Allāh and His Messenger have made unlawful and who do not adopt the religion of truth [i.e., Islām] from those who were given the Scripture - [fight] until they give the jizyah1 willingly while they are humbled.
Luftojini ata që u është dhënë Libri, të cilët nuk besojnë në Allahun dhe në Ditën e fundit, që nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe që nuk e besojnë(Islamin) fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen me dorën e tyre, duke qenë të përulur. -Ky ajet urdhëron për luftë kundër mohuesve jehudë dhe të krishterë, të cilët sikurse i përshkruan Allahu i Madhëruar: “nuk besojnë në Allahun dhe në botën tjetër" ashtu siç duhet, gjë që e vërtetojnë me veprat e tyre. Cilësi tjetër e tyre është që: “nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij”. Këta nuk zbatojnë ligjin e Zotit, për sa u përket ndalesave. Cilësi tjetër e tyre është se: “nuk e besojnë fenë e vërtetë.”. Ata nuk nënshtrohen për të jetuar sipas fesë së vërtetë dhe të saktë, që Zoti ka shpallur. Edhe pse ata pretendojnë se janë pasues të një feje, ajo që ata pasojnë nuk është feja e vërtetë. Feja që ata ndjekin ose është një fe e tjetërsuar, që Allahu kurrë nuk e ka ligjëruar, ose është një fe e anuluar, të cilën Allahu e ligjëroi për njëfarë kohe, dhe pastaj - me të shpallur Sheriatin e Muhamedit (a.s)- ajo nuk vlen më. Në këtë mënyrë, çdokush që i përmbahet një feje të anuluar, pas shpalljes së ligjit të ri, është i gabuar dhe jobesimtar. Allahu i Lartësuar i urdhëroi besimtarët që të luftojnë këtë kategori, sepse ata i ftojnë të tjerët në fenë e tyre të devijuar, dhe kjo është shumë e dëmshme dhe e rrezikshme për njerëzit. Është e rrezikshme, sepse njerëzit i shohin ata si ndjekës së një libri dhe mund të mashtrohen nga ftesa e tyre. Sidoqoftë, urdhri për të luftuar kundër tyre është i përcaktuar dhe i kushtëzuar. Nëse realizohet një kusht, atëherë ata nuk luftohen. Allahu i Madhëruar thotë: “derisa të japin xhizjen me dorën e tyre, duke qenë të përulur”. Kjo është një taksë vjetore, që merret prej tyre, në mënyrë që të jenë në paqe me muslimanët dhe që të mos sulmohen. Ajo jepet në formën e një siguracioni për ruajtjen e jetës dhe pasurisë së tyre, që të jetojnë mes muslimanëve dhe në paqe me ta. Kjo taksë u merret çdo vit, secilit sipas mundësisë së vet. Ajo u merret të pasurve, të varfërve dhe mesatarëve, aq sa kanë mundësi. Kështu ka vepruar Omer Ibn Hatabi dhe udhëheqës të tjerë muslimanë. Allahu i Lartësuar thotë: "derisa të japin xhizjen me dorën e tyre". Kështu, ata janë të detyruar ta japin atë të nënshtruar, duke shprehur dobësinë dhe përuljen e tyre. Secili duhet ta japë me dorën e vet. Domethënë, nuk lejohet që dikush ta dërgojë taksën e vet nëpërmjet një shërbëtori, për shembull, por duhet të paraqitet vetë dhe ta paguajë atë, sikurse thotë i Lartësuari: “duke qenë të përulur". Nga kjo kuptohet që xhizja pranohet nga një popull jomusliman vetëm nëse plotësojnë disa kritere:1. Ata t’u kërkojnë muslimanëve që të pranojnë alternativën e xhizjes.2. Ata të jenë nën pushtetin e muslimanëve dhe të nënshtruar për të pranuar ligjet e Islamit.3. Të mos përbëjnë rrezik dhe të mos jenë në gjendje që të shkaktojnë trazira për muslimanët dhe për shtetin e tyre.4. Të nënshtrohen sipas kushteve që u kanë vendosur muslimanët, duke shtypur krenarinë ose mendjemadhësinë e tyre.Në të tilla kushte, është detyrë për udhëheqësin musliman ose zëvendësin e tij që ta pranojë xhizjen prej tyre. Nëse ata nuk pranojnë që të japin xhizjen të nënshtruar e të përulur, atëherë ajo nuk u pranohet, por luftohen derisa të pranojnë Islamin. Në këtë ajet janë mbështetur shumica e dijetarëve që janë të mendimit se xhizja pranohet veçse nga ehlul kitab-ët. Ata thonë se Allahu i Lartësuar e ka përmendur marrjen e xhizjes veçse për ata, ndërsa për të tjerët është përcaktuar lufta, derisa të pranojnë Islamin. Në fakt, për sa i përket marrjes së xhizjes dhe lejimit të qëndrimit në vendet muslimane, kështu janë gjykuar edhe mexhusët, sepse Profeti (a.s)u mori xhizjen mexhusëve të Hexherit. Po kështu veproi dhe Umeri, që u mori xhizjen mexhusëve persianë. Një mendim tjetër thotë se xhizja merret nga të gjithë llojet e jomuslimanëve, ehlul kitab-ë apo jo qofshin. Ata shpjegojnë duke thënë se ky ajet nuk ka për qëllim të tregojë se xhizja merret vetëm prej ehlul kitab-ëve, por thjesht i referohet një faze të re luftimesh, në të cilën po futej Profeti a.s. Pasi përfundoi luftën me idhujtarët kurejshë, Profeti filloi luftën me ehlul kitab-ët. Këtë mendim e mbështet edhe fakti që Profeti e pranoi xhizjen edhe nga mexhusët, dhe dihet se ata nuk konsiderohen si ehlul kitab-ë. Gjithashtu, këtë e dëshmon edhe tradita e muslimanëve që nga brezi i sahabëve dhe pas tyre, se si gjykonin nëpër luftëra. Ata u ofronin njerëzve që luftonin një nga tri zgjidhjet: ose Islamin, ose dhënien e xhizjes, ose luftën, duke mos bërë dallim a ishin ehlul kitabë apo jo.Akt-marrëveshja për garancinë e jetës dhe pasurisë, dhe vjelja e xhizjes. Profeti a.s. nuk i mori askujt xhizje, derisa zbriti sureja Teube, në vitin e tetë pas hixhretit. Pas shpalljes së ajeteve të xhizjes, ai filloi mbledhjen e saj prej mexhusëve dhe prej ehlu kitab-ëve. Ai dërgoi Muadh Ibn Xhebelin në Jemen për të nënshkruar aktin e garancisë me çifutët që jetonin atje dhe ua bëri të detyrueshme dhënien e xhizjes. Profeti a.s. nuk mori xhizje prej çifutëve të Hajberit dhe disa, gabimisht, menduan se kjo ishte e veçantë vetëm për çifutët e Hajberit. Ata menduan se xhizja nuk merrej prej hebrenjve të Hajberit, edhe nëse merrej prej të tjerëve. Por ky mendim është i gabuar, sepse Profeti a.s. luftoi kundër tyre dhe ra dakord me ta që t’i lejonte në atë tokë sa të dëshironte ai, ndërkohë dispozitat për xhizjen akoma nuk ishin shpallur. Lejimi i qëndrimit të tyre atje dhe marrëveshja me ta ndodhi para zbritjes së dispozitave të xhizjes. Më pas, Allahu i Lartësuar e urdhëroi atë që të luftonte ehlu kitab-ët derisa të jepnin xhizjen. Nga ky gjykim përjashtoheshin banorët e Hajberit të asaj kohe, me të cilët tashmë ishte lidhur marrëveshja për të punuar ato toka dhe për t’u dhënë gjysmën e prodhimit muslimanëve. Për këtë arsye, ai nuk u kërkoi atyre diçka tjetër përveç asaj që ishte nënshkruar. Ndërsa të tjerët, me të cilët Profeti a.s. nuk kishte ndonjë marrëveshje paraprake, ishin të detyruar të paguanin xhizjen, si të krishterët e Nexhranit, çifutët e Jemenit etj. Megjithatë, kur Umeri i dëboi hebrenjtë e Hajberit, pakti i dikurshëm u prish, dhe ata u konsideruan tanimë si të gjithë ehlu kitab-ët e tjerë. Disa vende islame, për shkak të paqartësisë së tyre ndaj qëndrimit të Profetit a.s., e anuluan marrjen e xhizjes prej çifutëve të Hajberit për një shkak të pavërtetë dhe të padrejtë: Një grup hebrenjsh u paraqitën atyre një dokument të falsifikuar, ku pretendohej se Profeti a.s. e ka ndaluar marrjen e xhizjes prej çifutëve të Hajberit. Këtë dokument, sipas pretendimit të tyre, e kishte nënshkruar dhe dëshmuar Ali Ibn Ebu Talibi, Sad Ibn Muadhi dhe një grup sahabësh. Kjo “dëshmi” në sytë e atyre që nuk e njihnin traditën e Profetit a.s. në këto fusha, u duk e saktë dhe e pranueshme, dhe kështu gjykuan dhe vepruan. Por jo për sytë e shejhu të Islamit Ibn Tejmije. Kur atij i kërkuan që të ndihmojë në një gjykim të tillë, ai e pështyu atë dokument, dhe solli dhjetë argumente rreth pavërtetësisë së tij, nga të cilat, si më të rëndësishme, mund të përmendim:Së pari, në të përmendet dëshmia e Sad Ibn Muadhit r.a., i cili pa dyshim është vrarë para betejës së Hendekut. Së dyti, në dokument thuhet se Profetit a.s. e ka anuluar marrjen e xhizjes prej tyre, ndërkohë që dispozitat e xhizjes akoma nuk ishin shpallur dhe asnjë sahab nuk dinte gjë për to, sepse shpallja e këtyre dispozitave u bë veçse në kohën e luftës së Tebukut, pas Hajberit plot tri vjet. Së treti, atje përmendet se Profetit a.s. i ka shfuqizuar të gjitha detyrimet e quajtura kulef dhe suhar, të cilat merreshin prej tyre. Por kjo është një shpifje e pastër kundër tij, sepse ai kurrë nuk pati vendosur të tilla detyrime as atyre, as ndonjë tjetri. Allahu i Lartësuar e kishte ruajtur Profetin e Tij nga të tilla padrejtësi, që u shkonin për shtat veçse mbretërve të padrejtë. Madje edhe pas Profetit a.s. e tillë rrugë u ndoq. Gjithashtu, një dokument të tillë nuk e ka përmendur asnjë dijetar, të çfarëdo lëmije qofshin ata. Për të nuk ka folur asnjë historian, kronist, dijetar hadithi a i traditës, as jurist dhe myfti e asnjë shpjegues Kur'ani. Madje një dokument të tillë ata nuk e shfaqën kurrë gjatë kohërave të para të selefëve, sepse nëse do ta shfaqnin, do të dilte sheshit mashtrimi i tyre. Por në të tilla kohë sprovash, kur njerëzit janë larguar nga njohuria e haditheve dhe traditës së Profetit a.s. në të gjitha lëmitë e jetës së tij, ata e falsifikuan dhe paraqitën një dokument të tillë, duke u ndihmuar nga disa tradhtarë të fesë së Allahut dhe të Profetit a.s. Por nuk kaloi shumë kohë që ky turp të zbulohej nga trashëgimtarët e profetëve a.s. (dijetarët). A lejohet marrja e xhizjes prej të tjerëve që nuk janë çifutë, të krishterë dhe mexhusë?Kur u shpallën ajetet e xhizjes, Profeti a.s. filloi ta mblidhte atë prej tri bashkësive: prej mexhusëve, çifutëve dhe prej të krishterëve. Ai nuk mori xhizje prej adhuruesve të idhujve.Kësisoj, disa thonë se marrja e xhizjes lejohet veçse prej këtyre tri bashkësive, sepse kështu veproi edhe Profeti a.s. Disa të tjerë thonë se xhizja u merret edhe të tjerëve përveç tri grupeve të përmendura, domethënë edhe prej adhuruesve të idhujve që nuk janë arabë. Me mendimin e parë kanë qenë imam Shafiiu dhe imam Ahmedi - sipas njërit mendim të transmetuar prej tij. Ndërsa me mendimin e dytë janë imam Ebu Hanife dhe imam Ahmedi - sipas transmetimit tjetër të ardhur prej tij. Allahu i mëshiroftë të gjithë!Pasuesit e qëndrimit të dytë thonë se Profeti a.s. vërtet nuk mori xhizje prej idhujtarëve arabë, por kjo ndodhi për shkak se dispozitat e xhizjes u shpallën pasi fiset arabe kryesisht e kishin pranuar Islamin dhe në gadishull nuk kishin mbetur këmbë idhujtari. Dispozitat e xhizjes zbritën pas çlirimit të Mekës, kur arabët filluan të hyjnë në fenë e Allahut grupe-grupe dhe në tokat e tyre nuk kishte më idhujtarë. Pikërisht për këtë arsye, Profeti a.s., pas çlirimit të Mekës, u drejtua për në Tebuk, tek të krishterëve. Nëse pranë tij do të kishte arabë të padorëzuar, ai nuk do t’u shkonte atyre që ishin më të largëtit. Ai që ndjek me vëmendje historinë dhe kronikat e ditëve të Islamit, e kupton se çështja vërtet qëndron kështu. Pra Profeti a.s. nuk mori xhizje prej tyre jo sepse nuk duhej marrë prej tyre, por sepse nuk kishte më të tillë. Argument për këtë është edhe fakti që Profeti a.s. ua mori xhizjen edhe mexhusëve, ndërkohë që ata nuk pretendojnë se kanë ndonjë tekst libër hyjnor. Nuk ka asgjë të saktë që të mund të vërtetojë se ata janë ehlu kitab-ë (ndjekës të një libri). Edhe ka ndonjë hadith që mund të aludojë për këtë mendim, themi gjykimi i ndërtuar mbi të është i pasaktë, madje i pasaktë është edhe vargu i transmetuesve të tij.87Nuk ka ndryshim mes adhuruesve të zjarrit (mexhus-ëve) dhe adhuruesve të idhujve. Madje mund të konstatojmë se adhuruesit e putave ishin më afër ehlu kitabëve, sesa adhuruesit e zjarrit, sepse ata vazhdonin të ishin fanatikë ndaj disa riteve të vjetra të fesë së Ibrahimit a.s, gjë të cilën nuk e kanë adhuruesit e zjarrit. Madje, a nuk ishin pikërisht adhuruesit e zjarrit armiqtë e Ibrahimit a.s, armiq të atij që ishte i dashuri i Allahut? E pra, nëse xhizja u mor prej tyre, atëherë është më se e pranueshme, madje parësore, që të merret edhe prejadhuruesve të putave. Këtë gjykim e përkrahin edhe transmetimet e sakta të ardhura nga Profeti a.s.Kështu, në Sahihun e Muslimit shënohet që Profeti a.s. ka thënë: “Kur të ballafaqohesh me idhujtarët armiq, ftoi ata në një nga tri gjërat. Nëse të binden, pranoji prej tyre dhe largoju luftës”, duke e patur fjalën për Islamin, xhizjen ose luftën.87 Mugira i tha përfaqësuesit të Kisras: “Profeti ynë na ka urdhëruar që t’ju luftojmë ju, derisa të adhuroni Allahun (si një të vetëm) ose të jepni xhizjen.” Profeti a.s. iu drejtua kurejshëve: “Përse nuk e thoni një fjalë, që përballë jush të nënshtrohen arabët dhe, për shkak të saj joarabët t’u japin xhizjen?!” Ata thanë “Ç’është ajo fjalë?” Ai u përgjigj: “La ilahe il-Allah.” Gjatë kthimit prej Tebukut, skuadrat e Profeti a.s. zunë rob Ukejdir Dûmen. Profeti a.s. e liroi atë në shkëmbim të xhizjes dhe i fali jetën dhe pasurinë.
Text: Quranic Universal Library (Tarteel), via spa5k/tafsir_api (MIT), at a fixed version. The ayahs: Quran Foundation. Sources and licences