As-Sa'di · Tafsir · in Albanian
Al-Baqarah 2:143–151
2:143Page 22
وَكَذَٰلِكَ جَعَلۡنَٰكُمۡ أُمَّةٗ وَسَطٗا لِّتَكُونُواْ شُهَدَآءَ عَلَى ٱلنَّاسِ وَيَكُونَ ٱلرَّسُولُ عَلَيۡكُمۡ شَهِيدٗاۗ وَمَا جَعَلۡنَا ٱلۡقِبۡلَةَ ٱلَّتِي كُنتَ عَلَيۡهَآ إِلَّا لِنَعۡلَمَ مَن يَتَّبِعُ ٱلرَّسُولَ مِمَّن يَنقَلِبُ عَلَىٰ عَقِبَيۡهِۚ وَإِن كَانَتۡ لَكَبِيرَةً إِلَّا عَلَى ٱلَّذِينَ هَدَى ٱللَّهُۗ وَمَا كَانَ ٱللَّهُ لِيُضِيعَ إِيمَٰنَكُمۡۚ إِنَّ ٱللَّهَ بِٱلنَّاسِ لَرَءُوفٞ رَّحِيمٞ ١٤٣
And thus We have made you a median [i.e., just] community that you will be witnesses over the people and the Messenger will be a witness over you. And We did not make the qiblah which you used to face except that We might make evident who would follow the Messenger from who would turn back on his heels.1 And indeed, it is difficult except for those whom Allāh has guided. And never would Allāh have caused you to lose your faith [i.e., your previous prayers]. Indeed Allāh is, to the people, Kind and Merciful.
Dhe kështu, Ne ju bëmë ju një popull të zgjedhur(e të drejtë),” -Kuptimi: Ju bëmë të ekuilibruar, ju mbushëm me mirësi, e kështu ju shpëtuam. Ekstremet janë gjithmonë në rrezik, dhe ky është një fakt. Ndërsa muslimanët Allahu i Lartësuar i ka udhëzuar të gjejnë ekuilibrin e artë në të gjitha çështjet, të fesë apo të jetës qofshin. Kështu për shembull, nëse flasim për qëndrimin ndaj profetëve, ata i qëndrojnë besnikë mesit të artë. Ata nuk e teprojnë në lëvdimin dhe madhërimin e tyre, sikurse bëjnë krishterët, të cilët e konsiderojnë Isain si Zot dhe si bir të Zotit. Por ata as nuk tregohen të padrejtë, duke shpërfillur profetët e duke shkuar në ekstremin tjetër, sikurse vepruan çifutët, të cilët mohuan shumë profetë dhe shumë të tjerë i vranë. Muslimanët i besojnë të gjithë profetët, pa dallim, duke mos lejuar asnjë prishje të ekuilibrit të caktuar nga Zoti i gjithësisë. Ata i besojnë profetët ashtu sikurse janë në të vërtetë: si njerëz, si krijesa, si adhurues të Zotit të tyre, të cilët përçonin mesazhin e Tij ndër njerëz. Edhe ligjet që ata zbatojnë në jetën dhe në fenë e tyre janë të ekuilibruar, sepse ato nuk janë të ashpra dhe të vështira, sikurse janë ato të çifutëve. Por, nga ana tjetër, muslimanët nuk lejohen të kalojnë në ekstrem, duke i shpërfillur këto ligje, sikurse bëjnë krishterët, që pothuajse nuk kanë kufij që t’u përmbahen. Çifutët, sipas ligjit të tyre, lejohen të falen veçse nëpër sinagogat e tyre. Po sipas fesë së tyre, papastërtia në rroba nuk mund të pastrohet me ujë. Atyre iu bënë të ndaluara shumë nga ushqimet e mira, si ndëshkim për poshtërsitë e tyre. Ky është njëri ekstrem. Ndërsa në ekstremin tjetër qëndrojnë të krishterët, të cilët nuk njohin ndonjë gjë si të papastër apo të ndaluar. Ata lejojnë gjithçka që ka kjo botë. Ndërsa të ekuilibruarit janë të tillë në të gjitha çështjet e fesë dhe të jetës. Allahu i Lartësuar u ka lejuar atyre çdo gjë të pastër, të dobishme dhe të mirë, qofshin këto në ushqime, pije, veshje apo në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Ai u ka ndaluar atyre veçse gjërat që janë të papastra, të dëmshme dhe të këqija. Ky popull (muslimanët) ka fenë më të ekuilibruar dhe moralin më të lartë. Veprat e tyre kanë vetëm një synim: përmirësimin. Allahu i Lartësuar i dhuroi këtij populli dituri, butësi, drejtësi dhe mëshirë, në atë masë që nuk ia ka dhuruar asnjë bashkësie të mëparshme. Allahu i Lartësuar i bëri muslimanët një popull të ekuilibruar në drejtësinë dhe urtësinë e tyre, për një arsye të caktuar, siç e thotë në vijim:…për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt … -Për shkak të drejtësisë dhe urtësisë së tyre të madhe, ata do të dëshmojnë për popujt e tjerë dhe kurrë nuk do të ndodhë e kundërta. Ata që ky popull i quan “të pranuar tek Zoti”, ata do të jenë vërtet të tillë. Ndërsa ata të cilët janë “të papranueshëm” në gjykimin e muslimanëve, ata do të jenë të tillë edhe për Allahun e Lartësuar. Dikush mund të thotë: Si mund të pranohet dëshmia e njërës palë për tjetrën, kur ato do t’i nënshtrohen të dyja të njëjtit gjykues? Aq më tepër që gjykimi i njërës palë kundër tjetrës është i papranueshëm, kur ato janë në konflikt me njëra tjetrën. Atëherë, si është e mundur që, Ditën e Gjykimit, do të pranohet gjykimi i muslimanëve kundër popujve të tjerë? Përgjigja: Është e vërtetë që, gjykimi i ndërsjelltë i palëve në konflikt me njëra-tjetrën nuk lejohet dhe nuk merret në konsideratë. Por kjo ndalesë vlen vetëm për rastet kur të dyja palët janë të akuzuara dhe të përlyera. Ndërsa kur njëra palë nuk është e akuzuar apo e përlyer, çështja ndryshon. Kështu shpjegohet edhe dëshmia e umetit islam Ditën e Gjykimit. Duke qenë se muslimanët janë të pajisur me drejtësi dhe dituri, ata e meritojnë që të gjykojnë dhe të dëshmojnë për popujt e tjerë, sepse kushte të dëshmisë dhe gjykimit janë që ato të kryhen me dije dhe me drejtësi. Si rrjedhojë, ato do të jenë të pranueshme Ditën e Gjykimit. Nëse dikush do ta kundërshtonte këtë gjykim dhe do të kërkonte ndonjë argument për drejtësinë e këtij umeti (muslimanëve) në dëshminë e tyre, Allahu i Lartësuar e ka plotësuar edhe këtë kërkesë. Për të gjykuar dhe dëshmuar mbi drejtësinë dhe dijen e muslimanëve, Ai ka zgjedhur dëshmitarin më të ditur dhe më të drejtë, krijesën më të mirë, Profetin e fundit, Muhamedin (a.s.):Edhe i Dërguari ka për të qenë dëshmitar për ju. -Ndër dëshmitë e këtij umeti ndaj popujve të tjerë, mund të përmendim se, Ditën e Gjykimit, Allahu i Lartësuar do t’i pyesë profetët: A e përçuat mesazhin Tim ndër popujt tuaj? Ata, sigurisht, do të përgjigjen se e kryen detyrën e ngarkuar. Por, kur Allahu i Lartësuar do t’i pyesë popujt në të cilët ata u dërguan si profetë, popujt do ta mohojnë këtë fakt. Ata nuk do ta pranojnë që profetët e përcollën mesazhin e Zotit. Atëherë, profetët do të kërkojnë dëshminë e popullit të fundit, muslimanëve, të cilët do të dëshmojnë se çdo profet e kreu me përkushtim dhe totalisht detyrën e ngarkuar prej Allahut. Për vërtetësinë dhe saktësinë e kësaj dëshmie, do të dëshmojë edhe Profeti i umetit të fundit, Muhamedi (a.s). Ky ajet provon se mendimi unanim i këtij umeti është argument i sigurt, i tillë që është detyrë të besohet, të pranohet dhe të zbatohet. Ky umet nuk mund të bjerë në pajtueshmëri mendimi për diçka të gabuar. Ai nuk mund të pranojë një gjë të gabuar si të saktë, sepse Allahu i Lartësuar e ka cilësuar atë si “ueseţa” (të ekuilibruar) në dije dhe drejtësi. Nëse muslimanët do të binin të gjithë në konsensus për diçka të gabuar, atëherë nuk do të meritonin të quheshin të tillë. Këtë qëndrim e përforcon edhe fjala e Allahut të Madhëruar: “…për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt”. Nëse ky umet dëshmon se diçka është hallall apo haram, sipas gjykimit të Zotit, atëherë kjo dëshmi është e pakundërshtueshme, sepse ata janë të pagabueshëm në këtë drejtim. Muslimanët janë të pagabueshëm në qëndrimet e tyre unanime, sepse përndryshe nuk do të meritonin të përzgjidheshin që të dëshmonin mbi të gjithë popujt e tjerë. Nga ky ajet mësojmë, gjithashtu, se dëshmia, gjykimi dhe dhënia e fetvave janë të papranueshme, nëse ai që i kryen nuk e gëzon cilësinë “adâle”.Dhe Ne e ndryshuam Kiblen nga e cila ti drejtoheshe… -Fjala është për kiblën e parë, që ishte drejt Xhamisë së Shenjtë në Palestinë. Sigurisht që ky vendim kishte urtësi në vetvete. Allahu i Lartësuar ka dituri absolute dhe nuk ka nevojë që, për të ditur diçka, të provokojë krijesat që ta shfaqin atë të cilën e mbajnë të fshehur brenda shpirtit të tyre. Ai i sjell sprovat me qëllim që krijesat ta shfaqin qëndrimin që e mbajnë të fshehur dhe, në këtë mënyrë, të bëjnë të meritueshëm shpërblimin ose ndëshkimin e Tij. Allahu i Lartësuar nuk do të gjykonte kurrë për të dhënë shpërblime dhe ndëshkime, duke u bazuar thjesht në dijen e Tij absolute për të fshehtat. Shpërblimi ose ndëshkimi janë të lidhur ngushtë me veprat, të cilat shfaqen dhe lënë gjurmë. Kjo është drejtësia absolute e të Madhërishmit. Ai ndëshkon veçse pas sqarimit të argumenteve dhe qartësimit të së vërtetës nga ana e Tij. Ai nuk ndëshkon thjesht dhe vetëm duke u bazuar në dijen e Tij të fshehtë rreth krijesave, por sipas veprave të kryera prej tyre, pasi kështu ato nuk do të kenë asnjë justifikim para Krijuesit. Allahu i Lartësuar thotë:…vetëm për t'u dalluar ata që pasojnë sinqerisht të Dërguarin, nga ata që kthehen pas… - Domethënë, për t'u dalluar qartë ata që e pasojnë rrugën e Profetit, pasi e njohën mirë atë. Njeriu e ka detyrë që, pasi ta ketë njohur të vërtetën, ta pasojë atë rigorozisht në të gjitha rastet, sepse ai është thjesht një krijesë, e cila duhet me domosdo t’i nënshtrohet ligjeve të Krijuesit të saj dhe të zbatojë urdhrat e Tij. Aq më tepër që, edhe në librat e para të Zotit sqarohej qartë që Profeti i fundit do të drejtohej nga një kah tjetër për të kryer faljen e namazit dhe, më konkretisht, drejt Qabes. Ai që realisht e kërkon rrugën e drejtë nuk ia lejon vetes që të mos bindet dhe të mos pasojë të vërtetën e sigurt. Përkundrazi, argumentet ia shtojnë edhe më shumë atij besimin dhe bindjen ndaj Profetit të fundit të Allahut. Ndërsa ata që ia kthejnë shpinën të vërtetës së qartë dhe të sigurt, duke ndjekur pasionin dhe mendjemadhësinë e vet, pa dyshim që do të zhyten edhe më shumë në mosbesimin e tyre. Më shumë do të çoroditen e turbullohen. Të tillët, si fatkeqë e të pashpresë, vazhdimisht do të sjellin argumente të pabaza dhe të pafaktuara. Justifikimet e tyre do të jenë gjithmonë të ndërtuara mbi dyshime e hamendësi.Vërtet, kjo provë qe e rëndë, -Kjo dispozitë për ndryshimin e Kiblës ishte shumë e vështirë për t'u pranuar. I Madhëruari thotë se ajo ishte sprovë e madhe.…por jo për ata që Allahu i ka udhëzuar -Ai i ka udhëzuar ata që ta kuptojnë drejt se kjo dispozitë është një mirësi e madhe nga Zoti i tyre. Kjo është një mirësi, ndaj së cilës duhet të tregohesh mirënjohës. E si të mos tregohesh mirënjohës ndaj Allahut të Lartësuar, kur Ai na drejtoi drejt kësaj Shtëpie madhështore, të cilën e dalloi mbi të gjitha vendet e tjera. Vizita e kësaj Faltoreje për haxh dhe umre është një nga kushtet e Islamit dhe shkak për fshirjen e të gjitha gjynaheve të robit. Këto mirësi e lehtësojnë shumë pranimin, madje me kënaqësi, të dispozitës së zbritur prej Allahut të Lartësuar. Ndërsa të tjerët, të cilët nuk janë udhëzuar të kuptojnë mirësitë që fsheh kjo dispozitë, sigurisht që do ta kenë të vështirë t’i përballojnë ndryshime të tilla kaq të mëdha. Pastaj i Madhëruari thotë:Dijeni se Allahu nuk jua humb kurrë besimin (namazin)tuaj. -Është e pamundur të mendohet një gjë e tillë për Allahun e Lartësuar. Është jashtë çdo mundësie që Allahu t'ua humbasë dhe t'ua çojë dëm veprat dhe besimin e të mirëve. Ky është një përgëzim shumë i madh për këdo që Allahu i Lartësuar e ka begatuar me besim të sinqertë dhe me fenë Islame: Ai do t'ia mbrojë besimin dhe do ta ruajë nga devijimi. Ruajtja që jep Allahu i Lartësuar në këtë aspekt është dy llojesh:1. Që adhuruesi të mos e humbasë besimin e tij prej shumë faktorëve që e shkaktojnë një gjë të tillë, siç janë, për shembull, sprovat, fatkeqësitë, dëshirat apo pasionet e shfrenuara.2. Ndërsa lloji i dytë i ruajtjes së Allahut të Lartësuar është suksesi që Ai i jep adhuruesit për ta shtuar e plotësuar imanin e tij. Ai i jep sukses atij të cilit dëshiron t’ia ruajë imanin besimin, duke i krijuar çdo mundësi për këtë gjë. Ashtu sikurse e udhëzon që të gjejë rrugën e besimit fillimisht, në të njëjtën mënyrë e ndihmon që ta përsosë dhe ta ruajë atë më tej, të pacënuar. Kësisoj, Allahu e plotëson mirësinë e Tij ndaj adhuruesit, duke ia shtuar imanin, por edhe shpërblimin për veprat që kryhen në emër të këtij imani, sepse besimtarin e vërtetë nuk mund ta devijojnë kurrë sprovat, sado të mëdha qofshin ato.Nga Fjala e Allahut të Lartësuar: “Ne e ndryshuam Kiblen nga e cila ti drejtoheshe vetëm për t'u dalluar ata që pasojnë sinqerisht të Dërguarin, nga ata që kthehen pas…” dikush mund të kuptojë gabimisht se, sprova mund të bëhet shkak që, edhe disa besimtarë të kthehen mbrapa dhe të braktisin besimin e tyre. Por Allahu i Lartësuar, në ajetin që vjen më poshtë, e mohon kategorikisht këtë mendim të gabuar, kur thotë: “Dijeni se Allahu nuk jua humb kurrë besimin (namazin)tuaj.”. Kështu, Ai deklaron që, sprovat, sado të mëdha qofshin, nuk mund ta devijojnë besimtarin dhe nuk mund t’ia humbasin besimin atij. Ky premtim përfshin edhe ata të cilët vdiqën para se të ndryshohej Kibla. Pra, Allahu i Lartësuar nuk do t'ua humbasë besimin edhe asaj kategorie njerëzish, sepse ata nuk bënë gjë tjetër, por veçse zbatuan urdhrat e Allahut dhe të Profetit të Tij. Bindje ndaj Allahut quhet zbatimi i përpiktë i urdhrave të Tij, në çdo kohë qofshin ato. Ky ajet dëshmon, gjithashtu, për saktësinë e mendimit të Ehli Sunetit, se: edhe veprat janë pjesë e imanit, pasi Allahu i ka quajtur punët e gjymtyrëve (namazin) “iman”.Vërtet, Allahu është Përdëllimtar dhe Mëshirëplotë me njerëzit. -Allahu i mëshiron shumë njerëzit. Prej kësaj mëshire shumë të madhe është edhe plotësimi i mirësive të Tij ndaj tyre, duke ua ruajtur dhe shtuar besimin që ua dhuron fillimisht. Është pikërisht mëshira e Tij që i dallon ata mbi njerëzit që shtiren si besimtarë dhe mashtrojnë. Po prej mëshirës së Tij ishte edhe sprova e mësipërme, nëpërmjet së cilës Ai e shtoi edhe më tepër besimin dhe bindjen e tyre. Me mëshirën e Tij, Ai ua ngriti gradat shumë lart, duke i urdhëruar ata që të drejtoheshin për nga Faltorja më e nderuar që ekziston mbi Tokë, e cila është Qabja.Adil është ai që cilësohet si i rregullt në fenë e tij, dhe i pa cënuar nga cilësi të dukshme që tregojnë mangësinë e fesë dhe moralit të tij.
2:144Page 22
قَدۡ نَرَىٰ تَقَلُّبَ وَجۡهِكَ فِي ٱلسَّمَآءِۖ فَلَنُوَلِّيَنَّكَ قِبۡلَةٗ تَرۡضَىٰهَاۚ فَوَلِّ وَجۡهَكَ شَطۡرَ ٱلۡمَسۡجِدِ ٱلۡحَرَامِۚ وَحَيۡثُ مَا كُنتُمۡ فَوَلُّواْ وُجُوهَكُمۡ شَطۡرَهُۥۗ وَإِنَّ ٱلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلۡكِتَٰبَ لَيَعۡلَمُونَ أَنَّهُ ٱلۡحَقُّ مِن رَّبِّهِمۡۗ وَمَا ٱللَّهُ بِغَٰفِلٍ عَمَّا يَعۡمَلُونَ ١٤٤
We have certainly seen the turning of your face, [O Muḥammad], toward the heaven, and We will surely turn you to a qiblah with which you will be pleased. So turn your face [i.e., yourself] toward al-Masjid al-Ḥarām.1 And wherever you [believers] are, turn your faces [i.e., yourselves] toward it [in prayer]. Indeed, those who have been given the Scripture [i.e., the Jews and the Christians] well know that it is the truth from their Lord. And Allāh is not unaware of what they do.
Ne të shohim që e kthen shpesh fytyrën tënde nga qielli. -Profeti (a.s.) e kthente vazhdimisht fytyrën nga qielli, duke pritur me mall dhe dëshirë një urdhër nga Zoti për t'u drejtuar gjatë faljes së namazit për nga Qabja. Allahu i Lartësuar, për të treguar rëndësinë e madhe që i kushtonte Profeti (a.s) ndryshimit të Kiblës, thotë që ai kthente fytyrën, dhe jo thjesht vështrimin. Nga dëshira e madhe që kishte për Kiblën e zemrës, Qaben, Profeti (a.s.) nuk hidhte drejt qiellit vetëm shikimin e tij, por kthehej i gjithi me fytyrën e tij, duke pritur me mall urdhrin e Zotit.Ne do të të drejtojmë ty nga një Kible që do të të kënaqë. -Kuptimi: Nga dashuria jote për atë drejtim, Ne do të të drejtojmë me fytyrë nga Qabja. Ky ajet dëshmon për gradën e lartë të Muhamedit (a.s.), sepse Allahu i Lartësuar u kujdes që t’ia përmbushte dëshirën Profetit (a.s). Më pas, Allahu i Lartësuar urdhëron qartë për t'u kthyer drejt Qabes:Ktheje pra, fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë(Qabes)! -Në fakt, “el- uexhhu”quhet pjesa e përparme e trupit të njeriut.Kudo që të jeni (o besimtarë), kthejini fytyrat tuaja drejt saj! -Pra, kudo qofshi, në tokë, në det, në lindje, në perëndim, në jug, në veri etj., kthehuni në drejtim të Kiblës madhështore, që është Qabja. Ky ajet është provë që tregon se drejtimi nga Qabja është kusht i domosdoshëm për saktësinë e namazit, farz apo nafile qoftë ai. Nëse është e mundur, duhet që të drejtohesh pikërisht drejt Qabes. Por nëse kjo është krejtësisht e pamundur, atëherë duhet të drejtohesh me përafërsi nga ajo anë. Nga dobitë e ajetit mund të pëmendim, se devijimi me trup nga Kibla e prish namazin, sepse ky drejtim është kusht i domosdoshëm për saktësinë e faljes. Urdhri për të kryer diçka nënkupton që e kundërta e saj të jetë e ndaluar. Pra, kur jemi urdhëruar që të drejtohemi nga Kibla, kjo nënkupton se devijimi prej saj gjatë namazit është i ndaluar. Pastaj Allahu i Lartësuar vijon me një fakt shumë të rëndësishëm: Dijetarët e ithtarëve të Librit e dinin shumë mirë se kjo dispozitë e Zotit ishte një e vërtetë e sigurt dhe e pakundërshtueshme.Ata të cilëve u patëm dhënë Librin e dinë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre. -Ata e kanë patur të shkruar në librat e tyre se cila do të ishte Kibla e Profetit të fundit, por ata e fshehin dhe e mohojnë një fakt të tillë, për shkak të zilisë që mbush zemrat e tyre. Meqenëse ata e kundërshtojnë të vërtetën për të tilla shkaqe, atëherë nuk ia vlen të shqetësohesh për ta dhe për kundërshtimet e tyre. Njeriu, për nga natyra, shqetësohet për kundërshtimet e të tjerëve ndaj tij, sidomos kur çështjet janë të diskutueshme. Por kur sigurohesh që kundërshtari nuk ka asnjë bazë në kundërshtimet e tij dhe e vërteta qëndron në anën tënde, atëherë nuk ia vlen aspak të shqetësohesh për të. E vetmja gjë që besimtari duhet të presë në të tilla situata është ndëshkimi i merituar për kundërshtimin e padrejtë të tyre. Pra, ndëshkimi mbi të padrejtët pritet të zbresë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar kërcënon duke thënë:Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që ata punojnë. -Ai ua ruan me përpikmëri e me drejtësi shënimet për veprat që ata kryejnë, dhe po me drejtësi Ai përgatit shpagimin. Kjo thënie përmban kërcënim për mohuesit e të vërtetës dhe përgëzim, qetësi e kënaqësi për besimtarët e sinqertë, që i përmbahen kësaj të vërtete të ardhur nga Zoti. Nga përkushtimi dhe dëshira e madhe për të udhëzuar krijesat në rrugën drejtë, Profeti (a.s) bënte ç’ishte e mundur që t'i këshillonte ata dhe t'ua qartësonte të vërtetën. Ai trishtohej shumë kur krijesat nuk i nënshtroheshin urdhrave të Zotit. Mes atyre që mohuan Zotin dhe treguan mendjemadhësi ndaj pasimit të Profetit të Tij, ishin edhe çifutët e të krishterët, që kishin librat e tyre, të cilët ata i lexonin. Ata e dinin të vërtetën, por e mohuan Profetin (a.s) me vetëdije. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e njofton Profetin (a.s) se:
2:145Page 22
وَلَئِنۡ أَتَيۡتَ ٱلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلۡكِتَٰبَ بِكُلِّ ءَايَةٖ مَّا تَبِعُواْ قِبۡلَتَكَۚ وَمَآ أَنتَ بِتَابِعٖ قِبۡلَتَهُمۡۚ وَمَا بَعۡضُهُم بِتَابِعٖ قِبۡلَةَ بَعۡضٖۚ وَلَئِنِ ٱتَّبَعۡتَ أَهۡوَآءَهُم مِّنۢ بَعۡدِ مَا جَآءَكَ مِنَ ٱلۡعِلۡمِ إِنَّكَ إِذٗا لَّمِنَ ٱلظَّٰلِمِينَ ١٤٥
And if you brought to those who were given the Scripture every sign, they would not follow your qiblah. Nor will you be a follower of their qiblah. Nor would they be followers of one another's qiblah. So if you were to follow their desires after what has come to you of knowledge, indeed, you would then be among the wrongdoers.
Edhe sikur t’u sillje atyre që u është dhënë Libri(çifutëve dhe krishterëve)çdo lloj Argumenti, ata nuk do ta pasonin Kiblen tënde. -Kuptimi: Çfarëdo argumenti dhe fakti që të sjellësh për të qartësuar dhe vërtetuar fjalën tënde, ata kurrë nuk kanë për të ndjekur drejtimin dhe udhëzimet e tua. Ata kurrë nuk do ta pasojnë rrugën tënde, sepse shkaku i mosbesimit dhe mosbindjes së tyre nuk është padituria për të vërtetën. Ata e njohin shumë mirë të vërtetën, por ata të mohojnë thjesht nga zilia dhe inati kundër teje. Dihet shumë mirë se faktet dhe argumentet vlejnë veç për ata që e kërkojnë sinqerisht të vërtetën, por nuk arrijnë ta dallojnë atë. Vetëm këta e gjejnë rrugën e udhëzimit, pasi u sqarohet e vërteta. Ndërsa për ata që e braktisin me vetëdije të vërtetën, nuk ka shpresa për t’u udhëzuar. Në fakt, ata nuk janë në kundërshtim vetëm me të tjerët, por ata kundërshtohen edhe mes njëri-tjetrit dhe asnjëra palë nuk ka për ta pasuar udhëzimin e ofruar nga pala tjetër.As ti nuk do ta pasosh Kiblen e tyre. Asnjëra palë nuk do ta pasojë Kiblen e tjetrës. -Kuptimi: Kur ata nuk pranojnë udhëzimet e njëri-tjetrit, atëherë si mund të presësh që ata të pasojnë udhëzimet e tua, o Muhamed?! Ata janë armiq ziliqarë e të pabindur. Thënia: “As ti nuk do ta pasosh Kiblen e tyre” është më shprehëse sesa thjesht: “Mos e ndiq rrugën e tyre”, sepse vetë fakti që Profeti (a.s.) ishte kundërshtar i hapur i rrugës së tyre e bënte të pamundur që ai t’i ndiqte ata dhe, si rrjedhojë, ishte e panevojshme që Allahu i Lartësuar ta urdhëronte Profetin dhe t’i thoshte: “Mos e ndiq rrugën e tyre!”. Gjithashtu, këtu mund të përmendim edhe diçka tjetër. Pas fjalëve: “As ti nuk do ta pasosh Kiblën e tyre”, Allahu i Lartësuar nuk thotë: “…edhe nëse ata të sjellin çdo lloj argumenti”. Kur foli për ta, Allahu i Lartësuar e tha një gjë të tillë, kurse në këtë rast nuk e thotë. Përse? Sepse ithtarët e Librit nuk kanë asnjë argument që të mund të vërtetojë qëndrimin e tyre. Profeti (a.s) nuk mund të ishte kurrë pasues i tyre, sepse qe i bindur se ata ishin në humbje. Pasi e vërteta është sqaruar plotësisht dhe me fakte, bëhet e panevojshme që për çdo dyshim të japësh përgjigje. Mjafton të kuptohet qartë e vërteta, dhe çdo gjë që bie ndesh me të është e refuzuar vetvetiu. Megjithatë, edhe sikur të bëhej, do të ishte jo e detyrueshme.Nëse ti, edhe pas dijes që të ka ardhur, do të pasoje dëshirat e tyre, atëherë ti do të ishe i padrejtë. -Këtu Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nëse ti, edhe pas dijes që të ka ardhur, do të pasoje dëshirat e tyre (ehuãehum)”, dhe nuk ka thënë “Nëse do të pasoje fenë e tyre” (dînehum), sepse ajo që kanë ata nuk meriton të quhet ‘fe’, por thjesht dëshira të pabazuara në argumenta nga Zoti. Madje, edhe ata vetë e dinë dhe e pranojnë se rruga që ata ndjekin nuk quhet fe dhe as besim i bazuar në të vërtetën e Zotit. Kush braktis fenë e drejtë të Zotit, domosdo që do të bëhet pasues i nënshtruar i dëshirave dhe pasioneve të tij. Për këtë, thotë i Lartësuari: “A e ke parë atë që, me vetëdije, dëshirat e veta i konsideron si zot?! Allahu, me urtësinë e Tij, e ka humbur atë nga rruga e drejtë, ia ka bllokuar të dëgjuarit dhe zemrën dhe mbi sytë e tij ka vënë perde. Përveç Allahut, kush tjetër mund ta udhëzojë atë?! A nuk e kuptoni?!” [Xhathije 23].…edhe pas dijes që të ka ardhur… -Pra, nëse ndjek dëshirat e tyre pasi të kanë ardhur dija dhe argumentet që vërtetojnë se ti je në rrugën e drejtë dhe ata në të kotën, atëherë:…atëherë ti do të ishe i padrejtë” -Edhe pse është përjashtuar më përpara mundësia që Profeti (a.s) të ndiqte dëshirat e tyre, kjo thuhet për përforcim, që një gjë e tillë as të mos mendohet. Nëse do të ndodhte e kundërta, ai do të ishte sikurse ata, i padrejtë. E ku ka padrejtësi më të madhe se ta njohësh të vërtetën dhe pastaj ta refuzosh atë! Ku ka padrejtësi më të rëndë se të dish të dallosh të vërtetën nga e kota dhe pastaj t'i japësh përparësi të kotës mbi të vërtetën! Edhe pse në këtë ajet Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit (a.s), këto këshilla i drejtohen edhe popullit të tij, umetit musliman. Pra, nëse vetë Profeti (a.s.), me gradat e larta dhe veprat e tij të shkëlqyera, do të quhej i padrejtë po ta bënte një gjë të tillë, atëherë çfarë mund të mendosh për të tjerët poshtë tij?! Kështu pra, muslimanët duhet që t'i largohen rrugës së të humburve dhe të ruhen nga pasimi i çdo udhe të gabuar, përveç asaj të treguar nga Allahu dhe Profeti i tij (a.s.) e cila është e vetmja udhë e drejtë.
2:146Page 23
ٱلَّذِينَ ءَاتَيۡنَٰهُمُ ٱلۡكِتَٰبَ يَعۡرِفُونَهُۥ كَمَا يَعۡرِفُونَ أَبۡنَآءَهُمۡۖ وَإِنَّ فَرِيقٗا مِّنۡهُمۡ لَيَكۡتُمُونَ ٱلۡحَقَّ وَهُمۡ يَعۡلَمُونَ ١٤٦
Those to whom We gave the Scripture know him [i.e., Prophet Muḥammad (ﷺ)] as they know their own sons. But indeed, a party of them conceal the truth while they know [it].
Ata, të cilëve u kemi dhënë Librin(çifutët dhe të krishterët), e njohin atë(Profetin Muhamed)ashtu ashtu siç njohin bijtë e vet. -Allahu i Lartësuar na tregon se ithtarët e Librit ishin të sigurt se Muhamedi qe profet i dërguar nga Allahu. Ata e dinin se libri që ai solli ndër njerëz qe, pa dyshim, shpallje e vërtetë nga Zoti i gjithësisë. Ata e njihnin këtë fakt ashtu siç njihnin fëmijët e tyre, të cilët nuk mund t'i ngatërronin me tjetër njeri. Njohja e tyre rreth Muhamedit (a.s) ishte aq e sigurt, saqë nuk linte asnjë vend për dyshim.Por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, edhe pse e dinë. -Por, pavarësisht nga kjo, shumica e tyre, që parapëlqyen mohimin kundrejt besimit dhe bindjes, i fshehën provat e qarta rreth këtij Profeti të madh, që ndodheshin në duart e tyre. Ata e bënë këtë, edhe pse e dinin se qe një padrejtësi shumë e madhe. I Lartësuari thotë: “E ku ka më të padrejtë se ata që e fshehin të vërtetën që u është dhënë prej Allahut?! Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëni ju”. [El bekare 140]. Këto fjalë ishin një ngushëllim për zemrën e Profetit (a.s) dhe për zemrat e besimtarëve. Ato, gjithashtu, i këshillojnë besimtarët që të jenë të ruajtur nga dyshimet dhe e keqja e atyre të padrejtëve që e fshehin të vërtetën. Nga ky ajet kuptohet se, mes ithtarëve të Librit pati edhe nga ata që nuk pranuan ta fshihnin të vërtetën, pas dijes dhe sigurisë që krijuan rreth Profetit (a.s), ashtu siç pati edhe nga ata që e mohuan këtë të vërtetë nga padija e tyre. Nga kjo rrjedh që, është detyrë për dijetarin e të vërtetës, që ta shfaqë, ta zbulojë dhe ta qartësojë atë, me të gjitha mundësitë, rrugët dhe mjetet e tij. Ai e ka detyrë që t'ua zbukurojë të vërtetën njerëzve të paditur, me qëllim që ata ta pranojnë atë lehtësisht dhe me dëshirë. Dijetari, gjithashtu, duhet të punojë që t'ia çjerrë maskën mashtrimit, duke treguar fytyrën e vërtetë të atyre që e fshehin të vërtetën. Ai duhet që, njerëzve të thjeshtë, t'ua bëjë të shëmtuar dhe të urryer rrugën e mashtrimit, në mënyrë që ata të largohen dhe të ruhen prej saj. Por mashtruesit dhe fshehësit e të vërtetës vepruan të kundërtën e detyrës së dijetarit, prandaj ata u shkatërruan të gjithë: dijetarë dhe injorantë, prijës dhe pasues.
2:147Page 23
ٱلۡحَقُّ مِن رَّبِّكَ فَلَا تَكُونَنَّ مِنَ ٱلۡمُمۡتَرِينَ ١٤٧
The truth is from your Lord, so never be among the doubters.
E vërteta vjen nga Zoti yt -E çfarë mund ta meritojë këtë emër më shumë sesa kjo Shpallje e mrekullueshme, sesa ai udhëzim i sjellë prej Allahut të Lartësuar nëpërmjet të Dërguarit të Tij? Kjo Shpallje meriton më shumë se çdo gjë tjetër të quhet "e vërteta e sjellë nga Zoti", sepse ajo përmban qëllime të larta dhe dispozita të drejta. Ajo është pastruesja e shpirtrave dhe nxitësja e tyre drejt përkushtimit për arritjen e çdo të mire dhe për largimin nga çdo e keqe. E si të mos ishte e tillë, kur dihet se ajo buron nga vetë Zoti, që përkujdeset për adhuruesit e Tij? Prej përkujdesjes së Tij të posaçme është edhe shpallja e Kur’ânit, i cili pastron dhe lartëson mendjet e shpirtrat. Me anë të tij, arrihet çdo mirësi e mbarësi, në dynja dhe në ahiret.“…prandaj mos u bëj nga ata që dyshojnë! -Mos lejo të hyjë në zemrën tënde asnjë lloj dyshimi rreth vërtetësisë së Shpalljes! Përkundrazi, shtoji edhe më shumë përsiatjet mbi librin e Zotit tënd, që të shtosh edhe më tepër sigurinë që tashmë e ke! Meditimi i gjatë dhe i thellë mbi Kur’ânin ka për të larguar çdo lloj dyshimi.
2:148Page 23
وَلِكُلّٖ وِجۡهَةٌ هُوَ مُوَلِّيهَاۖ فَٱسۡتَبِقُواْ ٱلۡخَيۡرَٰتِۚ أَيۡنَ مَا تَكُونُواْ يَأۡتِ بِكُمُ ٱللَّهُ جَمِيعًاۚ إِنَّ ٱللَّهَ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٖ قَدِيرٞ ١٤٨
For each [religious following] is a [prayer] direction toward which it faces. So race to [all that is] good. Wherever you may be, Allāh will bring you forth [for judgement] all together. Indeed, Allāh is over all things competent.
Çdokush ka një drejtim, nga i cili kthehet. -Kuptimi: Çdo populli, të cilit i kemi zbritur rregulla për të zbatuar, i kemi përcaktuar edhe një pikë nga e cila duhet të drejtohej gjatë kryerjes së adhurimeve. Përcaktimi i Kiblës së adhurimeve është nga ato lloj ligjesh, që e pranojnë anulimin dhe ndryshimin, në varësi të kohës dhe situatës. Duhet kuptuar që, çështja themelore dhe më e rëndësishme është nënshtrimi dhe bindja ndaj urdhrave dhe dispozitave të Zotit. Njeriu duhet t'i nënshtrohet dhe bindet Krijuesit të tij, në çdo kohë, dhe duhet të synojë gjithmonë afrimin tek Ai me punë të mira. Vetëm kjo i mundëson njeriut lumturinë në të dyja jetët. Çdokush që e humb këtë mundësi dhe nuk stoliset me të tilla cilësi, është i destinuar të dëshpërohet në këtë jetë dhe në jetën tjetër të pasosur. Bindja ndaj urdhrave të Zotit është e vetmja mundësi shpëtimi. Kjo është pohuar nga të gjitha Shpalljet hynore dhe të gjithë janë të një mendimi për këtë çështje. Madje, shkaku pse Allahu i Lartësuar i krijoi krijesat është nënshtrimi dhe bindja ndaj Tij. Më tej, i Madhëruari urdhëron dhe thotë:Garoni në vepra të mira! -Allahu i Lartësuar urdhëron për të garuar me punë të mira. Ky urdhër kërkon më shumë sesa thjesht të kryejmë vepra të mira, sepse garimi nënkupton edhe përpjekjen për t'i kryer ato në formën më të plotë e më të bukur. Kush garon në këtë jetë për të bërë punë të mira do të jetë i pari që do të shijojë kënaqësinë e Xhenetit në ahiret. Ai do të arrijë i pari në të. Garuesit do të kenë gradat më të larta në atë botë. Fjala “ħajrât” (vepra të mira) i përfshin të gjitha llojet e veprave të mira, qofshin ato të detyrueshme apo vullnetare, qofshin ato namaze, agjërime, sadaka, haxh, xhihad në rrugën e Allahut etj. Ajo përfshin çdo punë të mirë, qoftë mirësia e saj vetëm për vepruesin apo edhe për të tjerët. Duke qenë se nxitësi më i madh për të garuar në punë të mira është shpërblimi i përgatitur tek Allahu, ajeti vijon:Kudo që të jeni, Allahu ka për t’ju tubuar të gjithëve. Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka. -Nuk ka dyshim se Allahu i Lartësuar ka për t'i grumbulluar të gjitha krijesat Ditën e Gjykimit, për t'i shpërblyer ato, me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij, për gjithçka që kanë bërë në dynja. Çdokush do të marrë shpërblimin për aq sa ka punuar. Në suren Nexhm, ajeti 31, i Lartësuari thotë: “Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai ka për t'i dënuar ata që bëjnë keq sipas veprave të veta e ka për t’u dhënë shpërblimin më të mirë atyre që bëjnë vepra të mira.” Ky ajet është argument dhe nxitës për të kryer çdo adhurim në formën dhe mënyrën më të mirë, si për shembull, falja e namazit sapo hyn koha e tij, kryerja pa vonesë e agjërimit të ditëve të mbetura nga Ramazani, kryerja e haxhit, dhënia e zekatit në kohën e tij të përcaktuar. Përkryerja e adhurimit farz nënkupton edhe plotësimin e tij me anë të adhurimeve vullnetare. Kështu, mangësitë e namazeve farze i plotësojnë namazet vullnetare, e kështu me radhë. Subhanallah! Sa madhështor është ky ajet! Sa i dobishëm është ai për adhuruesit!
2:149Page 23
وَمِنۡ حَيۡثُ خَرَجۡتَ فَوَلِّ وَجۡهَكَ شَطۡرَ ٱلۡمَسۡجِدِ ٱلۡحَرَامِۖ وَإِنَّهُۥ لَلۡحَقُّ مِن رَّبِّكَۗ وَمَا ٱللَّهُ بِغَٰفِلٍ عَمَّا تَعۡمَلُونَ ١٤٩
So from wherever you go out [for prayer, O Muḥammad], turn your face toward al-Masjid al-Ḥarām, and indeed, it is the truth from your Lord. And Allāh is not unaware of what you do.
Ngado që të shkosh, ktheje fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë! -Kudo qofsh, o Profet i Zotit, në vendin tënd, gjatë udhëtimeve etj., drejtohu nga ana e Xhamisë së Shenjtë, Qabes! Pastaj i Madhëruari i drejtohet umetit në përgjithësi.Kjo është e vërteta e sigurt nga Zoti yt. -Fjalia ka dy përforcues: “inne” (me të vërtetë) dhe pjesëzën “le” tek “lel ĥaķķu”(e vërteta e sigurt). Këtë përforcim e ka bërë që të mos mbetet në zemër asnjë dyshim rreth të vërtetës së sjellë nga Zoti, si edhe për të siguruar besimtarët se ky është një urdhër që duhet zbatuar me përpikmëri dhe nuk është një punë e lënë në dëshirën e adhuruesit.Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëni ju -Allahu është Gjithëshikuesi i veprave dhe i gjendjeve tuaja, prandaj kujtojeni gjithmonë këtë mbikëqyrje, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Ai nuk është i pavëmendshëm ndaj veprave tuaja, por për to do të merrni shpërblimin e plotë dhe me drejtësi: e mira me të mirë dhe e keqja me të keqe. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë:
2:150Page 23
وَمِنۡ حَيۡثُ خَرَجۡتَ فَوَلِّ وَجۡهَكَ شَطۡرَ ٱلۡمَسۡجِدِ ٱلۡحَرَامِۚ وَحَيۡثُ مَا كُنتُمۡ فَوَلُّواْ وُجُوهَكُمۡ شَطۡرَهُۥ لِئَلَّا يَكُونَ لِلنَّاسِ عَلَيۡكُمۡ حُجَّةٌ إِلَّا ٱلَّذِينَ ظَلَمُواْ مِنۡهُمۡ فَلَا تَخۡشَوۡهُمۡ وَٱخۡشَوۡنِي وَلِأُتِمَّ نِعۡمَتِي عَلَيۡكُمۡ وَلَعَلَّكُمۡ تَهۡتَدُونَ ١٥٠
And from wherever you go out [for prayer], turn your face toward al-Masjid al-Ḥarām. And wherever you [believers] may be, turn your faces toward it in order that the people will not have any argument against you, except for those of them who commit wrong; so fear them not but fear Me. And [it is] so I may complete My favor upon you and that you may be guided,
Ngado që të shkosh, ktheje fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë! Kudo që të gjendeni, kthejini fytyrat tuaja drejt saj, që njerëzit të mos kenë argument kundër jush… -Kuptimi: Këtë dispozitë (urdhrin për tu kthyer drejt Qabes) e sollëm, me qëllim që të ndërpritet çdo lloj kundërshtimi ndaj jush, prej idhujtarëve apo prej ithtarëve të Librit, çifutë e të krishterë qofshin. Nëse do të mbetej si Kible xhamia në Palestinë, të dyja grupet kundërshtare do të kundërshtonin. Kështu, ithtarët e Librit do të kundërshtonin, sepse ata e kishin të shkruar në librat e tyre se Kibla e Profetit të fundit do të ishte Qabja. Ndërsa idhujtarët arabë do të kundërshtonin, sepse Qabja ishte lavdia e tyre. Ata e quanin veten “pasardhës të Ibrahimit dhe të Ismailit”, dhe nëse Profeti (a.s) do të vazhdonte të drejtohej drejt xhamisë në Palestinë, kjo do të konsiderohej për ta si shpërfillje e lavdisë së të parëve të tyre. Nëse Muhamedi (a.s) nuk do të drejtohej nga Qabja, ata do të thonin: “Si pretendon ai se është pasues i fesë së Ibrahimit dhe nga pasardhësit e tij, ndërkohë që nuk drejtohet nga Shtëpia e Zotit, të ndërtuar nga vetë Ibrahimi?!” Vetëm këto dy lloj kundërshtimesh mund të merreshin në konsideratë, prandaj ia vlente një përgjigje për ta. Ndërsa të tjerët, të cilët kundërshtonin pa u mbështetur askund, nuk meritonin asnjë vëmendje. Me fjalë të tjera, këto argumente nga Zoti vlenin vetëm për ata që kërkonin të vërtetën, ndërsa për ata që kërkonin të arrinin veçse qëllimet dhe dëshirat e tyre të sëmura, ato nuk bënin dobi, siç thotë i Lartësuari:…përveç atyre që janë të padrejtë. -Pra, këta njerëz nuk mund të përfitojnë nga faktet dhe provat e sjella, sepse ata nuk e duan sqarimin e të vërtetës. Për të tillët nuk ia vlen të shqetësohesh dhe as të kesh frikë, siç thotë i Lartësuari:Por, ju mos u frikësoni prej atyre, por frikësohuni vetëm prej Meje! -Arsyeja është se “argumentet” e tyre janë boshe dhe të destinuara të hidhen poshtë. Si të tillë, ata nuk ngjallin respekt në zemrat e atyre që i dëgjojnë. Ndërsa ai që flet të vërtetën, fiton autoritet e respekt te çdokush që e sheh dhe e dëgjon. Ky urdhër i Allahut të Lartësuar është një begati e madhe prej Tij, sepse çdo mirësi e ka zanafillën te frikë-respekti ndaj Allahut. Ai që nuk i frikësohet shikimit të Allahut, nuk mund të frenohet nga poshtërsitë prej asgjëje tjetër. Asgjë tjetër nuk mund ta bëjë atë që t'i bindet urdhrave të Zotit të Tij. Kthimi i muslimanëve drejt Qabes ngjalli polemika të shumta, të cilat u nxitën nga ithtarët e Librit, munafikët dhe idhujtarët. Ata i nxisnin bisedat rreth kësaj teme, duke hedhur herë pas here dyshimet dhe helmet e tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e shtjelloi gjerësisht këtë çështje në Librin e Tij. Ai e përforcoi gjykimin e Tij me disa elementë, të cilët u përmendën më lart, por dhe me disa të tjerë, që do tregohen më poshtë. Një element i tillë përforcues është, për shembull, përsëritja e kësaj dispozite tri herë, edhe pse një herë do të ishte e mjaftueshme. Po ashtu, zakonisht, urdhrat e Allahut të Lartësuar ose i drejtohen Profetit (a.s.), dhe nëpërmjet tij nënkuptohet i tërë umeti, ose i drejtohen umetit në përgjithësi. Në këtë rast, Allahu i Lartësuar i përdor të dyja mënyrat, si mjet përforcues, edhe pse do të mjaftonte vetëm njëra. Kështu, Ai i drejtohet fillimisht Profetit (a.s.): “Ngado që të shkosh, ktheje fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë!” Pastaj i drejtohet edhe umetit në përgjithësi: “Kudo që të gjendeni, kthejini fytyrat tuaja drejt saj”. Allahu i Lartësuar u ktheu përgjigje të gjitha dyshimeve të hedhura nga mohuesit, duke i sqaruar ato një për një, dhe kjo tregon për rëndësinë e madhe të kësaj çështjeje. Ai preu çdo shpresë të mohuesve se Muhamedi (a.s.) do të ndiqte Kiblën e ithtarëve të Librit, dhe ky është, gjithashtu, element përforcues. Përforcues tjetër gjendet edhe te thënia: “Me të vërtetë, kjo është e vërteta e sigurt nga Zoti yt.” Do të mjaftonte lajmi i madh i Allahut të Lartësuar për ndryshimin e Kiblës, që kjo dispozitë të zbatohej menjëherë dhe pa ngurrim. E, megjithatë, Allahu i Lartësuar i thotë këto fjalë, për të siguruar njerëzit se kjo qe një e vërtetë prej Atij. Element tjetër përforcues është edhe një informacion i sjellë prej Atij, që është Njohësi i të fshehtave. Allahu i Lartësuar lajmëroi se Kibla e Profetit të fundit të botës ishte pikërisht ajo për të cilën Ai i urdhëroi besimtarët, por mohuesit e fshehën dhe e mohuan padrejtësishit një gjë të tillë. Kjo dispozitë ishte shprehje e dashurisë dhe e mëshirës së Allahut të Lartësuar për këtë umet. Ai e deklaron një fakt të tillë, kur tregon qëllimin e saj:…që Unë ta përsos mirësinë Time ndaj jush… -Mirësitë e Allahut ndaj këtij umeti do të vazhdojnë të ndjekin njëra tjetrën, përjetësisht. Në themel të tyre qëndron udhëzimi për të pranuar fenë e Tij të drejtë, të cilën e sqaroi nëpërmjet Profetit të Tij të fundit dhe Librit që i shpalli atij. Ky është burimi i çdo mirësie të këtij umeti të ekuilibruar, të cilat janë plotësuese të mirësisë kryesore, të shumta në numër dhe mjaft të larmishme. Për mirësinë e Tij ndaj profetit Muhamed dhe umetit të tij, Allahu i Lartësuar thotë: Sot (ditën e Arafatit), u dëshpëruan ata që mohuan (Allahun dhe Profetin)dhe e humbën çdo shpresë, që t'ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por vetëm Mua mu frikësoni! Sot e përsosa për ju fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe u kënaqa që Islami të jetë feja juaj. [Maide 3]. I lavdëruar qoftë Allahu, për mirësitë dhe begatitë e panumërta që na ka dhuruar, të cilat ne nuk mundemi as t'i numërojmë, e jo më ta falënderojmë aq sa Ai e meriton.…dhe që ju të gjeni rrugën e drejtë. -Kjo na tregon një tjetër arsye të ligjërimit të këtyre dispozitave. Pra, Allahu i Lartësuar i caktoi këto rregulla, me qëllim që ne të udhëzohemi në rrugën e drejtë. Udhëzimi arrihet veçse duke njohur të vërtetën e sjellë prej Zotit dhe duke e zbatuar atë. Allahu i Lartësuar, me mëshirën e Tij të pamatë, ua ka lehtësuar njerëzve rrugën e udhëzimit dhe gjithmonë i nxit ata për ta ndjekur atë. Ai ua ka qartësuar të vërtetën plotësisht, në mënyrën më të plotë. Madje, për ta ndriçuar sa më mirë të vërtetën, Allahu i Lartësuar ka përcaktuar që të padrejtët të shfaqin dyshime, të cilat Ai ua shpjegon më pas adhuruesve të Tij. Nga debatet e kundërshtimet, Allahu ka përforcuar shenjat e Profetit të Tij dhe e ka nxjerrë në pah fytyrën reale të gënjeshtrës. Nëse pasuesit e të kotës nuk do të polemizonin, ndoshta çështjet do të mbeteshin të panjohura në hollësitë e tyre për shumë njerëz. Allahu i Urtë dhe i Ditur e nxjerr të vërtetën në pah me urtësinë dhe dijen e Tij. Çështjet qartësohen më mirë kur ballafaqohen me të kundërtat e tyre. Po të mos ishte nata, nuk do të kuptohej plotësisht dobia e ditës. Po të mos ekzistonte e shëmtuara, nuk do të konceptohej e bukura. Po të mos ishte errësira, si do të njihej drita? Nëse nuk do të shfaqej e kota, edhe e vërteta nuk do të zbulohej plotësisht. Allahu qoftë i lavdëruar për këto mirësi!
2:151Page 23
كَمَآ أَرۡسَلۡنَا فِيكُمۡ رَسُولٗا مِّنكُمۡ يَتۡلُواْ عَلَيۡكُمۡ ءَايَٰتِنَا وَيُزَكِّيكُمۡ وَيُعَلِّمُكُمُ ٱلۡكِتَٰبَ وَٱلۡحِكۡمَةَ وَيُعَلِّمُكُم مَّا لَمۡ تَكُونُواْ تَعۡلَمُونَ ١٥١
Just as We have sent among you a messenger from yourselves reciting to you Our verses and purifying you and teaching you the Book and wisdom1 and teaching you that which you did not know.
Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na kujton se dispozita për Kiblën, plotësimi i begative të Tij ndaj nesh dhe udhëzimi në rrugën e drejtë nuk janë as mirësitë e para e as të fundit që Ai u ka falur adhuruesve të Tij.Ja kështu Ne dërguam mes jush një profet nga gjiri juaj, -Pra, mirësitë e lartpërmendura janë të ngjashme me mirësinë e dërgimit të një Profeti nga mesi juaj. Allahu i Lartësuar kujdeset për adhuruesit e Tij, duke u falur mirësitë themelore në fillim dhe duke vazhduar më tej me mirësitë plotësuese. Më e madhja mirësi ishte pikërisht përzgjedhja e një Profeti nga mesi i tyre. Ai zgjodhi një Profet, të cilit ata ia dinin prejardhjen dhe përkatësinë farefisnore. Kështu, ata ishin të sigurt për sinqeritetin dhe pastërtinë e tij si njeri, pasi ata e njihnin atë si besnik, të ndershëm, të moralshëm dhe të urtë. Po përse u dërgua ai Profet? Thotë i Lartësuari:…që t’ju lexojë ajetet Tona… -Domethënë, t'ju kumtojë ajetet kur’ânore dhe çdo fjalë tjetër të sjellë prej Allahut. Shpjegimi: Profeti i fundit ju kumton juve gjithçka, nëpërmjet së cilës ju do të dalloni të vërtetën nga e kota. Nëpërmjet Shpalljes, ju do të dalloni rrugën e drejtë nga e gabuara. Shpallja hyjnore ju sqaroi fillimisht njëshmërinë e Allahut dhe faktin se Ai është i Vetmi që meriton adhurimet tuaja. Nëpërmjet saj, ju u siguruat plotësisht rreth sinqeritetit dhe vërtetësisë së Profetit të Zotit dhe e kuptuat domosdoshmërinë e besimit dhe të pasimit të rrugës së tij. Po nëpërmjet Shpalljes, ju mësuat ligjin e jetës, të cilin duhet ta zbatoni derisa të takoni Krijuesin tuaj. Ajo ju njohu me gjithçka që ju pret pas vdekjes dhe ju nxiti të punoni për Ditën e Premtuar. Ajo ju pajisi me jaķîn-in, me sigurinë e plotë në premtimin e Zotit, e cila është nxitësja e çdo të mire. Më tej:…që t’ju pastrojë -T’ju pastrojë moralin nga çdo cilësi e ulët dhe shpirtin nga çdo gjë e keqe. Allahu do t’ju pastrojë nga idhujtaria, dhe do t’jua mbushë zemrën me teuhid, fillimisht, pastaj do t'ju pastrojë nga cilësitë e këqija, dhe do t’ju pajisë me virtyte të larta. Këto do të bëhen nëpërmjet Profetit dhe mësimeve të tij. Allahu do t’ju nxjerrë nga idhujtaria në teuhid, nga mashtrimi në sinqeritet, nga tradhtia në besnikëri, nga mendjemadhësia në modesti, nga morali më i ulët në moralin më të lartë. Ai do t’ju shpëtojë nga armiqësia dhe urrejtja që keni ndaj njëri-tjetrit, dhe do t’ju fusë në miqësi dhe dashuri mes jush. Mirësi tjetër që Allahu i Lartësuar u bëri adhuruesve nëpërmjet Vulës së profetëve, ishte edhe mësimi i Librit dhe Urtësisë, siç thotë Ai:…t’ju mësojë Librin dhe Urtësinë -Libri është Kur’âni. Domethënë, Profeti do t’ju mësojë të lexoni Kur’ânin dhe të kuptoni brendinë e tij. Por ai do t’ju mësojë edhe atë që quhet ĥikmet-in, domethënë urtësinë. Siç kanë thënë disa dijetarë, qëllimi me këtë fjalë është Suneti ose Tradita profetike. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se fjala “ĥikmet”nënkupton hollësitë e Sheriatit të zbritur nga Allahu i Lartësuar. Kështu, sipas tyre, kuptimi është: Nëpërmjet Profetit, ju do të aftësoheni që, përveç kuptimit të Kur’ânit dhe të Sunetit, të cilët përfshihen në fjalën “Libër”, ju do të mësoni edhe imtësitë e ligjit hyjnor, duke i dhënë çdo gjëje vendin e vet. Me kuptimin e dytë, fjala ‘Libër’ përfshin Kur’ânin dhe Sunetin. Edhe kjo mundësi është e saktë, sepse Tradita profetike është plotësuese dhe shpjeguese e Kur’ânit.…dhe t’ju mësojë atë që nuk e dini -Para ardhjes së Profetit të fundit, njerëzit ishin të paditur dhe në humbje të thellë. Ata nuk e njihnin të vërtetën dhe as nuk punonin sipas saj, prandaj çdo mësim i vyer dhe çdo vepër e mirë që ka arritur ky umet, është rezultat dhe fryt i ardhjes së Profetit të nderuar. Profeti (a.s) është mirësia më e madhe që Allahu i Lartësuar u ka falur adhuruesve të Tij, e cila e bën të detyrueshme mirënjohjen e tyre ndaj Tij. Më tej, i Madhëruari thotë:
Text: Quranic Universal Library (Tarteel), via spa5k/tafsir_api (MIT), at a fixed version. The ayahs: Quran Foundation. Sources and licences